Emini karikon Bylisin para Laçit, kërkohet kualifikimi
Bylisi do të zbresë nesës, ora 13:00, në stadiumin “Adush Muça”, ku do të zhvillojë sfidën e parë zyrtare për vitin 2026, përballë Laçit, e vlefshme për 1/8-at e Kupës së Shqipërisë. Ballshiotët pritet të aktivizojnë formacionin më të mirë në këtë duel, ndërsa periudha e pauzës ka shërbyer jo vetëm për rigjenerim energjish, por edhe për rikthimin në formë optimale të disa lojtarëve.

Sulmuesi Serxhi Emini, edhe pse ka kaluar një periudhë të vështirë për shkak dëmtimesh, duket se ka kapur formën më të mirë, duke shënuar gola me ekipin B. Me Bylisin ai bëri debutimin në Superiore në ndeshjen e fundit zyrtare të vitit 2025, ndaj Vorës. Emini synon që në vijimin e sezonit, përveç kontributit me ekipin B, të ketë më shumë minuta edhe në Superiore.
Për “Panorama Sport”, ai flet me optimizëm për gjendjen e skuadrës, sfidën e Kupës ndaj Laçit dhe objektivat personale. “Jam shumë i lumtur që pas një periudhe të gjatë riaftësimi kam arritur të kap formën dhe debutova në Superiore në fund ndaj Vorës. Në skuadër ka konkurrencë dhe kjo është pozitive për të gjithë, por unë jam i gatshëm të kontribuojë edhe në elitë.
Tashmë kam më shumë eksperiencë, kam luajtur rregullisht me ekipin B, ku edhe kam shënuar”, u shpreh Emini. Ai shtoi se synimi i tij është të fitojë sa më shumë minuta me ekipin A dhe pse jo të shënojë: “Në vijimin e garës shpresoj të kem më shumë hapësira në Superiore dhe të kontribuoj me gola.
Përpara kemi ndeshjen e Kupës me Laçin, e vlerësojmë kundërshtarin, por duhet ta kalojmë turin, pasi luhet me një takim dhe jemi shumë të fokusuar në përballjen në shtëpi. Tani nis një fazë shumë e rëndësishme e sezonit, çdo ndeshje duhet trajtuar si finale, sidomos në Ballsh. Bylisi ka cilësi dhe lojtarë dinjitozë, si brenda ashtu edhe jashtë fushe, ndaj duhet t’u tregojmë ‘dhëmbët’ të gjithëve, duke nisur nga ndeshja e Kupës me Laçin”, përfundoi sulmuesi Emini.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL













