Emiliano Vila: Teuta duhet të reagojë, kampionati prioriteti ynë
Pas humbjes në Kupën e Shqipërisë ndaj Egnatias, Teuta është e detyruar të lërë pas zhgënjimin dhe të përqendrohet te kampionati.

Në prag të ndeshjes së radhës ndaj Bylisit në Durrës, mesfushori i bluve, Emiliano Vila, flet për disfatën në Kupë, gjendjen e skuadrës dhe rëndësinë e sfidës së ardhshme, duke theksuar nevojën për reagim dhe rikthim te rezultatet pozitive.
Emiliano, Teuta u mund në Kupë ndaj Egnatias. Si e përjetuat këtë ndeshje?
Ishte një zhgënjim i madh për të gjithë ne. Kupa është një objektiv i rëndësishëm dhe besonim se mund të shkonim më larg. Ndeshja u vendos në detaje dhe, fatkeqësisht, nuk ishim mjaftueshëm konkretë në momentet kyçe. Megjithatë, janë edhe 90 minuta të tjera në lojë dhe gjithçka mbetet e hapur.
Çfarë mendon se i mungoi Teutës për të marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë?
Na mungoi qetësia dhe vendosmëria në zonë. Krijuam disa raste, por nuk arritëm t’i shfrytëzonim. Gjithashtu, gabimet e vogla kundër një skuadre si Egnatia ndëshkohen menjëherë.
Si është gjendja e skuadrës pas asaj humbjeje?
Normalisht ka mërzitje, por futbolli nuk të lejon të ndalesh. Kemi folur mes nesh dhe me stafin, kemi analizuar gabimet dhe tani fokusi është totalisht te kampionati.
Ju pret ndeshja e radhës në kampionat ndaj Bylisit në Durrës. Sa e rëndësishme është kjo sfidë?
Është shumë e rëndësishme. Luajmë në shtëpinë tonë dhe kemi nevojë për pikë. Pas humbjes në Kupë, kjo ndeshje është një mundësi e mirë për reagim dhe për t’i dhënë moral skuadrës.
Çfarë ndeshjeje pret ndaj Bylisit?
Bylisi është një ekip luftarak, që nuk dorëzohet lehtë. Do të jetë një ndeshje e fortë, por nëse luajmë me përqendrim dhe zbatojmë atë që kërkon trajneri, besoj se mund ta fitojmë.
Një mesazh për tifozët e Teutës?
I falënderojmë për mbështetjen e vazhdueshme. E dimë që humbja në Kupë i ka zhgënjyer, por na duhen më shumë se kurrë. Premtojmë se do të japim maksimumin për të nderuar fanellën e Teutës.
ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL













