“Elbasani të mos bjerë në presionin e titullit”, Çapja: Gara për kampion mbetet e hapur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2026 | 21:07

“Elbasani të mos bjerë në presionin e titullit”, Çapja: Gara për kampion mbetet e hapur

Ish-futbollisti i njohur Hetlen Çapja, një nga emrat që është shpallur kampion si me Dinamon ashtu edhe me Elbasanin, ka analizuar për “Panorama Sport” supersfidën e së dielës mes dy skuadrave. Sipas tij, ndeshja pritet të jetë tepër e luftuar dhe e ekuilibruar, ndërsa thekson se Elbasani nuk duhet të bjerë në presion pas rezultateve të javëve të fundit.

capja

Çapja vlerëson rrugëtimin e verdhebluve këtë sezon dhe kujton se është pikërisht ky grup që ka arritur deri në garën për titull dhe në kupat e Europës, ndaj skuadra duhet të ruajë qetësinë dhe besimin në momentin më të rëndësishëm të kampionatit.

”Unë mendoj se te Elbasani nuk duhet të ketë ngarkesë të tepërt psikologjike. Është normale që pas disa rezultateve jo të mira të krijohet tension, por skuadra nuk duhet ta humbasë qetësinë në këtë moment. Duhet parë e gjithë rruga që ka bërë ky ekip gjatë sezonit.

Është po ky Elbasan që ka arritur deri këtu, që ka luftuar me ekipet më të forta dhe që ka siguruar pjesëmarrjen në kupat e Europës. Kjo nuk është rastësi. Nuk mund të zhbëhet gjithë puna e një sezoni nga disa ndeshje të fundit. Futbollistët duhet të ndihen krenarë për atë që kanë bërë deri tani dhe jo të futen në presion më të madh”, pohoi fillimisht 43- vjeçari.

SFIDË E EKUILIBRUAR – Ish-kampioni me të dy klubet sheh një duel shumë të balancuar, por pranon se Dinamo hyn në fushë me një avantazh të vogël psikologjik. ”E shoh një ndeshje shumë të ekuilibruar. Të dy ekipet kanë cilësi dhe e njohin mirë rëndësinë e këtij takimi. Ndoshta Dinamo vjen pak më e çlirët psikologjikisht dhe ky është avantazhi i saj më i madh. Kur luan pa shumë presion, arrin ta shprehësh më lirshëm lojën dhe merr më shumë iniciativa në fushë.

Ndërsa Elbasani e ndjen më shumë peshën e rezultatit, sepse ka objektiva madhorë dhe çdo pikë tani vlen jashtëzakonisht shumë”, vijoi ish mesfushori. Megjithatë, Çapja thekson se eksperienca dhe karakteri i verdhebluve mund të bëjnë diferencën në një sfidë të tillë. ”Janë ndeshje që fitohen edhe me karakter. Në këto momente nuk mjafton vetëm cilësia teknike, por duhet personalitet dhe qetësi”, theksoi Çapja.

KTHESA E ELBASANIT – Pavarësisht luhatjeve të fundit, Hetlen Çapja beson se Elbasani mund të reagojë pikërisht në momentin vendimtar të sezonit. ”Unë kam shumë besim te kthesa e Elbasanit. Futbolli shpesh të vendos në vështirësi për të parë forcën e një skuadre.

Mendoj se ky grup ka treguar gjatë gjithë sezonit se di të reagojë. Ka futbollistë me eksperiencë, ka cilësi dhe mbi të gjitha ka një skuadër që nuk është dorëzuar asnjëherë. Ndonjëherë një fitore në momentin e duhur ndryshon gjithë atmosferën dhe të rikthen besimin. Prandaj mendoj se Elbasani mund ta bëjë kthesën pikërisht tani”, theksoi Hetlen Çapja.

TITULLI – Sipas ish-futbollistit, gara për titullin kampion mbetet plotësisht e hapur dhe gjithçka do të vendoset vetëm në fund.”Besoj se titulli do të ndahet mes Vllaznisë, Egnatias dhe Elbasanit në javën e fundit. Është një kampionat shumë i luftuar dhe kjo është gjë shumë pozitive për futbollin shqiptar.

Çdo javë ndryshojnë balancat dhe askush nuk mund të ndihet kampion para kohe. Pikërisht për këtë arsye ekipet duhet të ruajnë qetësinë. Një javë të nxjerr jashtë garës dhe java tjetër të rikthen përsëri në krye”, mbylli prononcimin e tij për gazetën Hetlen Çapja.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL