Klop e nis aventurën me Gjermaninë në Holandë, kundërshtari i parë do të jetë…
Jurgen Klop raportohet se është emëruar trajneri i ri i kombëtares gjermane, duke zëvendësuar Julian Nagelsman. Nagelsman u largua zyrtarisht nga posti të premten, pas eliminimit befasues të Gjermanisë nga Kupa e Botës kundër Paraguait në fazën e 1/32.

Gjermanët u mposhtën 4-3 pas goditjeve të penalltive, pasi ndeshja kishte përfunduar 1-1 pas 120 minutash lojë. 38 vjeçari shprehu dhimbjen dhe zhgënjimin e tij në një deklaratë emocionale lamtumire, ndërsa presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), Bernd Nojendorf, dhe drejtori sportiv Rudi Fëler e vlerësuan atë si një “trajner të shkëlqyer”.
Klop u identifikua menjëherë si kandidati kryesor i Federatës Gjermane të Futbollit për të marrë drejtimin e kombëtares, pavarësisht rolit të tij aktual si drejtues i futbollit global në Red Bull. 59 vjeçari thuhet se ka një klauzolë largimi në kontratën e tij me Red Bull, e cila i mundëson të pranoj postin e trajnerit të Gjermanisë.
Sipas raportimeve nga Gjermania, DFB dhe drejtuesit e Red Bull zhvilluan bisedime gjatë fundjavës për të finalizuar largimin e Klopit. Takimi i parë mes përfaqësuesve të federatës, Klopit dhe agjentit të tij u zhvillua në Nju Jork. Në fillim të kësaj jave, Klop pranoi në një intervistë se, edhe pse momenti i ndryshimit të trajnerit te Gjermania “nuk është ideal”, ai ndihet “i rimbushur me energji” dhe gati për të marrë drejtimin e kombëtares pas largimit të Nagelsman.
“Po, Julian dha dorëheqjen dhe DFB po punon për të gjetur pasuesin e tij. Gjatë këtij procesi, ata më kontaktuan edhe mua,” tha Klop për Magenta.
“Koha, edhe tani, nuk është ideale sepse aktualisht jam nën kontratë me Red Bull, por megjithatë është më e përshtatshme se kurrë më parë. Kur u largova nga Liverpuli, nuk kisha energji as për një vit tjetër me klubin dhe tani ndihem më shumë se kurrë i rimbushur me energji.”
Ndeshja e parë për Klop në stolin e Gjermanisë do të jetë më 24 shtator, në transfertë ndaj Holandës, në kuadër të Grupit A2 të Ligës së Kombeve. Edhe Holanda është në kërkim të një trajneri të ri pas largimit të Ronald Koeman. Tre ditë më vonë, Klop do të drejtoj për herë të parë Gjermaninë në një ndeshje në shtëpi, kur “Pancerat” do të përballen me Greqinë në javën e dytë të Ligës së Kombeve.
KLAJDI BAJO-PANORAMASPORT.AL













