FORMULA 1/ Nga batutat te mbathjet, ja 5 momentet më pikante në Çmimin e Madh të Britanisë
Çmimi i Madh i Britanisë në Formula 1 solli edhe këtë vit një fundjavë plot emocione, situata të pazakonta dhe momente humori nga bota e Formulës 1. Nga incidentet në bokse te batutat mes pilotëve dhe rezultatet surprizë në pistë, gara në Silverston u shndërrua në një spektakël të vërtetë jashtë dhe brenda piste, me triumfin që i takoi Sharl Lëklerkut të Ferrarit.

NJË DHURATË E PADËSHIRUAR – Për herë të parë në Silverston, Lus Hamilton u paraqit pa Roskon, bulldogun e tij të dashur, i cili ndërroi jetë në shtator të vitit 2025. Gjatë konferencës për shtyp, shtatë herë kampioni i botës tregoi një episod argëtues nga koha kur ishte shok skuadre me Valteri Botasin te Mercedesi. “Kujtoj se Rosko gërhiste shumë dhe më zgjonte në mes të natës. Kur e nxirrja për shëtitje, ndalonte gjithmonë para derës së Valterit. Nuk e di pse”, tha Hamilton. Botas, i cili gjithmonë ka pasur një marrëdhënie shumë të mirë me britanikun, iu përgjigj me humor: “Për mua ishte si një dhuratë”.
MBATHJET E ERRËTA – Gjatë kualifikueseve, Arvid Lindblad doli nga bokset pikërisht në momentin kur po afrohej MekLareni i Oskar Piastrit. Australiani arriti të frenonte në çastet e fundit, duke shmangur përplasjen. “Fatmirësisht kam veshur të brendshme të zeza dhe jo të bardha”, tha Piastri me humor në radion e skuadrës. Pas kualifikueseve, Lindblad u thirr nga komisarët për një dalje e pasigurt nga bokset, por nuk mori penalizim në start. Skuadra u ndëshkua vetëm me një gjobë, ndaj ai nisi garën nga vendi i nëntë dhe e përfundoi në vendin e shtatë.
KIMI, SI NJË POLITIKAN – Andrea Kimi Antoneli përjetoi një të shtunë të jashtëzakonshme, duke fituar Sprintin dhe duke siguruar “pole position”. Në konferencën, italiani u pyet për performancën e shokut të skuadrës, Xhorxh Rasëll, i cili hasi më shumë vështirësi. “Nuk dua të komentoj për të tjerët. Jam i përqendruar te puna ime. Xhorxh është shumë i fortë, sidomos në kualifikuese. Ai di gjithmonë të nxjerrë maksimumin nga rezultati”, u shpreh Antoneli. Hamilton ndërhyri menjëherë me humor: “Përgjigje e shkëlqyer. Mendoj se duhet të bëhesh politikan”.
NGUSHËLLIMI I ALONSOS – Përpara nisjes së Çmimit të Madh të Britanisë, pilotët zhvilluan një garë argëtuese me makina kart të ndërtuara nga LEGO. Mjetet arrinin një shpejtësi maksimale prej 25 km/h dhe u ndërtuan nga një ekip prej 20 dizajnerësh dhe inxhinierësh, të cilët investuan më shumë se 6.400 orë pune. Fitues doli Fernando Alonso, i cili me shaka deklaroi: “Ishte gara më e mirë e jetës sime, por meqë u zhvillua me LEGO, nuk do të konsiderohet kurrë”. Për spanjollin, ky ishte momenti më i bukur i fundjavës, pasi në kualifikuese u rendit i fundit, ndërsa garën e përfundoi në vendin e 18-të.
PERSONALITETI I PEREZIT – Serxhio Perez mbërriti në Silverston, në zemër të tifozërisë angleze, i veshur me fanellën e kombëtares së Meksikës. Pse bëri bujë ky veprim? Vetëm pak orë më vonë do të luhej ndeshja mes Anglisë dhe Meksikës në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës. Megjithatë, rezultati nuk buzëqeshi për meksikanët, të cilët u mposhtën 3- 2. Anglia triumfoi falë dopietës së Xhud Bellingamit dhe golit të Herri Kejnit nga pika e penalltisë. As gara e Perezit nuk ishte për t’u mbajtur mend, pasi ai e mbylli në vendin e 14-të.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













