“Elbasani po bën diçka të veçantë”, presidenti i Vllaznisë: Herët për titullin, ne do të luftojmë deri në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2025 | 14:11

“Elbasani po bën diçka të veçantë”, presidenti i Vllaznisë: Herët për titullin, ne do të luftojmë deri në fund

Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, ka folur para mediave në Kupën “Miqësia”, duke u ndalur te fillimi i kampionatit, situata e skuadrës dhe pritshmëritë për titullin. Xhaferi theksoi se, pavarësisht rezultateve pozitive në start, është ende herët për të bërë llogaritë për titullin kampion.

xhaferi-770x433

“Është shumë herët për të folur për titullin. Mendoj që kemi një fillim të mirë, sidomos ndeshja e parë me Egnatian ishte e shkëlqyer, po ashtu edhe ajo me Partizanin. Sigurisht, kemi ende punë për të bërë, sepse me Teutën duhej ta fitonim ndeshjen më shpejt, nuk ka arsye ta çonim para dhe të rrezikonim edhe barazimin, që nuk ishte rezultati më i drejtë për atë ndeshje. Dua të përgëzoj Teutën për futbollin dhe atmosferën e mrekullueshme në stadium,” u shpreh Xhaferi.

Ai shtoi se në këtë sezon ka skuadra me të vërtetë të forta, duke përmendur rikthimin e Flamurtarit si një surprizë interesante, por edhe kontributin e Dinamos, Egnatias dhe sidomos Elbasanit, që po tregon një performancë të veçantë.

“Do të kemi një kampionat të fortë dhe presim futboll të bukur,” tha presidenti. Xhaferi gjithashtu i bëri thirrje tifozërisë të mbështesë sa më shumë skuadrën në stadium. Ai u ndal edhe te merkatoja e ekipit.

“Mendoj se kemi bërë një merkato të pëlqyeshme. Me Martinin dhe Sinanin në pozicionet e tyre, kemi dy legjenda që do të japin maksimumin për të arritur qëllimin tonë, titullin kampion”, deklaroi shkodrani. Sa i përket Vorës, Xhaferi ka mendimin e tij.

“E kam parë për disa ndeshje. Megjithëse vjen nga Kategoria e Parë, ka forcë dhe bën futboll të bukur. Nuk është çështje emrash apo prejardhjeje. Çdo ndeshje duhet ta vlerësojmë maksimalisht dhe të japim më të mirën që në fund të marrim rezultat pozitiv”, mbylli numri një i klubit shkodran.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL