Elbasani i solli “tersin” bluve, një fazë pa qetësi për Dinamon
Dinamo debutoi këtë sezon ndaj Vllaznisë në një fitore 3-1 duke dhënë paraqitje fantastike. Ajo ndeshje e parë, u kthye shpejt në mirazh duke qenë se ndeshja me Elbasanin, nxori disa mangësi të skuadrës blu. Verdheblutë fituan me rezultatin 1-0 dhe i shkaktuan humbjen e parë, ndërkohë që edhe sulmi nuk e kishte shkëlqimin e debutimit duke mos arritur të shënonte as në kohën kur ekipi ishte me 11 lojtarë.

Por, humbja nuk ishte “e keqja” e vetme e asaj sfide pasi Naser Aliji doli me karton të kuq duke lënë skuadrën me 10 lojtarë. Sakaq mjaftoi që Dinamo të hynte në një krizë, jo vetëm për pikët, por edhe në krizë golash por njëkohësisht edhe në probleme me gjykimin.
Nga Elbasani te Elbasani, janë 9 javë dhe në këto 9 javë, Dinamo ka pësuar 3 humbje, ka marrë 5 kartonë të kuq dhe ka pasur polemika të shumta, ankesa për gjyqtarët, rezultate surprizë apo edhe ndeshje në të cilat ka bindur padyshim.
Ndaj Elbasanit, blutë do të kërkojnë fitore për t’u rikthyer te rezultatet pozitive dhe ndoshta, për të shpresuar që ndeshja e radhës ndaj Elbasanit, t’i gjejë në moment më të mirë se ky. Në total, që nga ndeshja me Elbasanin, Dinamo ka shënuar 8 gola në këto 9 javë, nga 11 që ka realizuar gjithsej. Në fakt, si kalendar janë 9 javë por blutë kanë zhvilluar një ndeshje më shumë duke qenë se u luajt edhe ajo e prapambetura ndaj Teutës, sfidë të cilën e humbi 1-0.
PANORAMASPORT.AL













