EKSKLUZIVE/ Zmijani: Në Shkodër duam titullin, ndaj Dinamos ishte Vllaznia reale (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2025 | 20:45

EKSKLUZIVE/ Zmijani: Në Shkodër duam titullin, ndaj Dinamos ishte Vllaznia reale (E PLOTË)

Ish-kampioni i vendit me Vllazninë dhe ish-trajneri i kuqebluve, Luan Zmijani, ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport” lidhur me suksesin e fundit të shkodranëve ndaj Dinamos.zmijaniiNë fjalët e tij, ishmbrojtësi tregon se kjo ishte një fitore e merituar e ekipit të Vllaznisë. E po ashtu merr edhe më shumë vlera, duke qenë se vjen ndaj një rivali direkt. Ndër të tjera, shkodrani thekson se gara për trofetë është e vështirë, por ai ka besim te triumfi i skuadrës kuqeblu.

Zmijani, një kampionat ende me shumë enigma 2 javë nga fundi. I bukur ky epilog i Superiores?

Kampionati ka hyrë në një fazë tepër delikate dhe të “nxehtë”. Ka shumë enigma që do e shoqërojnë deri në minutën e fundit për shkak edhe të rezultateve që u prodhuan këtë javë të fundit. Përveç 3 ekipeve që kanë siguruar “Final 4”, gara është e ashpër dhe shumë rivalizuese në të gjitha pjesët e tjera të klasifikimit. Kampionati është bërë shumë interesant dhe uroj të jetë i tillë edhe këto dy javë të ngelura.

Një fitore shumë e rëndësishme e Vllaznisë përballë Dinamos. Si e komentoni këtë sukses?

Fitorja ishte më se e rëndësishme, sepse ekipi duhej të reagonte pas një periudhe jo aty ku e duan të gjithë në Shkodër. Më pëlqeu ritmi dhe dëshira që kishte munguar disi në duelet e shkuara. Skuadra ishte bindëse dhe meritoi gjithçka, por po ashtu suksesi merr vlera më të mëdha, pasi vjen edhe ndaj një rivali direkt si Dinamo.

Ekipi u duk se bindi, është kjo Vllaznia reale?

Skuadra tregoi vlerat dhe cilësitë që ka besoj. Ne e dimë që ekipi ka disa ndër emrat më të spikatur të kampionatit dhe që mund të bëjnë diferencën. Thjesht duhej të dilej nga “ngërçi” ku ishte futur ekipi, pasi dihet që do ketë luhatje. Më vjen mirë që erdhi ky reagim dhe besoj se kjo është Vllaznia reale.

Besoni se ekipi mund të renditet në dy vendet e para në fund të kampionatit?

Ka edhe dy ndeshje për t’u luajtur, kalendari do të jetë i vështirë si për Vllazninë dhe Dinamon. Shkodranët nuk kanë pse të kenë presion, por të luajnë në maksimum edhe këto dy duele që kanë ngelur. E vështirë mund të jetë të arrihet vendi i dytë, por jo i pamundur. Në futboll ka gjithmonë çdo gjë të mundur, nuk është matematikë ekzakte.

Një notë pozitive që sulmuesit u zhbllokuan?

Po, e vërtetë që është një notë pozitive për sulmuesit. Zhbllokimi vjen në një moment ku golat dhe sulmuesit duhen për të siguruar fitore të rëndësishme. Shpresoj të mos ndalen dhe të shënojnë sa më shumë për arritjen e të tjerave fitore në javët e ardhshme.

Shikoni një ekip tjetër rival apo më lart se kuqeblutë?

Dy ekipe mund të them që janë të forta dhe veçoj këtu Egnatian dhe Dinamon. Kanë futbollistë cilësorë dhe trajnerë të përgatitur për Superioren. Megjithatë nuk e shoh aspak inferiore Vllazninë në garën me ta. E shoh të barabartë dhe rivalizuese deri në fund dhe këtë do ta tregojë koha.

Skuadra në garë për kupën dhe kampionatin, cilën do të preferoje dhe a mundet të realizohet një dopietë trofesh?

E vështirë, por jo e paarritshme. Dëshira dhe mundësia janë dy gjëra të ndryshme, por unë kam besim te kjo skuadër. Duhet të luajnë fort e të jenë krenarë përballë çdo rivali, patjetër duke mos nënvlerësuar asnjëherë askënd. Në Shkodër duam titullin kampion, që mungon prej vitesh në skuadër dhe qytet.

Ndeshja e radhës me Elbasanin, një finale tjetër apo jo?

Një ndeshje tepër e fortë ndaj një rivali që do edhe ai “final 4”. Pres një duel të luftuar, por besoj se edhe Vllaznia do e vlerësojë shumë këtë ndeshje. Kam besimin se mund të arrihet një rezultat pozitiv në këtë duel për ekipin kuqeblu.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL