EKSKLUZIVE/ “Xhixha është humbje e madhe për bardheblutë”, ish-trajneri i Tiranës dhe Partizanit analizon derbin: Duel spektakolar (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2026 | 14:20

EKSKLUZIVE/ “Xhixha është humbje e madhe për bardheblutë”, ish-trajneri i Tiranës dhe Partizanit analizon derbin: Duel spektakolar (E PLOTË)

Në prag të një tjetër derbi të zjarrtë të kryeqytetit, ish-trajneri i Tiranës dhe Partizanit, Orges Shehi, analizon momentin e skuadrave.shehiNdryshimet te Tirana, garën në krye të Superiores dhe të ardhmen e tij në pankinë. Nga Dinamo–Tirana te mungesa e Xhixhës, nga rivaliteti historik bardheblu–të kuq, Shehi flet hapur dhe pa rezerva për gjithçka që po ndodh në futbollin shqiptar.

Profesor, ishit në stadium duke ndjekur Dinamo – Tirana. Si ju duk ndeshja, si një derbi?

Po, unë isha në stadium. Kam qenë edhe herë të tjera në stadium, pavarësisht se ndoshta nuk kam qenë gjithmonë i dukshëm. Kam ndjekur jo vetëm ndeshje të Tiranës, por edhe takime të tjera të kampionatit tonë. Ishte një ndeshje ku të dyja skuadrat donin ta fitonin. Tirana ka ende ambicien për një vend në Europë, sepse kampionati nuk ka përfunduar dhe objektivi mbetet i hapur. Nga ana tjetër, Dinamo, si çdo skuadër tjetër në këtë fazë, synon të arrijë në gjysmëfinalet e Kupës dhe kërkon ta fitojë atë trofe. Për mendimin tim, ishte një ndeshje nën nivelin e pritshëm, ndoshta edhe për shkak të fushës, ndoshta për shkak të ngarkesës së ndeshjeve që janë shumë pranë njëra-tjetrës, por edhe për shkak të mungesave. Në fund u fitua nga Dinamo, që hodhi një hap më të sigurt drejt objektivit të saj, ndërsa Tirana mbetet ende në garë për synimet e veta.

 Si e keni parë Tiranën pas ndryshimeve të mëdha që janë bërë në merkato gjatë shtatorit, tetorit dhe nëntorit?

Me qenë i sinqertë, Tirana ka ndryshuar shumë nga skuadra që ishte në gjysmën e parë të kampionatit. Kjo edhe për faktin se drejtuesit, me një drejtor në krye, afruan lojtarë cilësorë. Të gjithë ata që kanë ardhur janë lojtarë me kualitet dhe sigurisht që kur rritet cilësia individuale, rritet edhe performanca e skuadrës. Kanë marrë pikë të rëndësishme. Nëse kujtojmë vendin ku ndodheshin dhe sa pikë kishin, krahasuar me pozicionin aktual, diferenca është e dukshme. Por kampionati sa vjen dhe vështirësohet. Në këtë fazë çdo pikë ka peshë dhe ka ende punë për të bërë.

Si e shihni derbin Partizani-Tirana, duke qenë se i keni drejtuar të dyja skuadrat dhe keni fituar me të dyja?

Përsa i përket derbit, dihet rëndësia që ka. Aq më tepër tani që jemi në fund të sezonit dhe janë derbet e fundit të kampionatit. Në këtë periudhë objektivat bëhen më të qarta dhe më të prekshme. Nuk janë si derbi i parë i sezonit. Tani përgjegjësia është më e madhe, si për stafin, ashtu edhe për lojtarët, sepse çdo rezultat ndikon drejtpërdrejt në objektiv. Mendoj se do të jetë një derbi i luftuar. Nuk di ende nëse do të rikuperohen disa nga lojtarët e Tiranës. Partizani ndoshta është në një moment të mirë, por edhe Tirana, për mendimin tim, ka moment pozitiv në kampionat nëse e veçojmë ndeshjen e Kupës. Me kualitetin që ka marrë Tirana dhe me formën e mirë të ndeshjeve të fundit të Partizanit, besoj se do të jetë një derbi me futboll të hapur, derb i bukur, jo një derbi frike. Edhe fusha luan rol në këtë drejtim.

A është mungesa e Redon Xhixhës një humbje e madhe për Tiranën?

Patjetër që po. Mungesa e Redon Xhixha është e rëndësishme. Ai është një lojtar që ndryshon fytyrën e skuadrës. Dihet që kur afrohet një lojtar me cilësitë e tij, që njeh ambientin dhe ka ndërthurje me klubin, përshtatja është shumë më e lehtë. Që në momentin që u afrua, Tirana ndryshoi. Në disa ndeshje ka qenë vendimtar. Është një nga lojtarët më të rëndësishëm të Tiranës, për të mos thënë ndoshta më i rëndësishmi, si për kualitetin, ashtu edhe për atë që përfaqëson për klubin, pasi në një sezon e gjysmë ka qenë figurë kyçe. Nëse mungon, është padyshim minus për skuadrën.

Si i keni parë skuadrat e tjera si Vllaznia, Egnatia, Elbasani?

Mendoj që skuadrat e para kanë treguar vazhdimësi. Vllaznia është në një moment shumë të mirë. Përveç momentit pozitiv, ka edhe cilësi në përbërje. Ka bërë shumë mirë dhe kjo është meritë edhe e stafit, me Martinin në krye, që po merr maksimumin nga grupi. Skuadra ka disa ndeshje radhazi me performancë të lartë dhe kjo rrit besimin, që në këtë fazë është thelbësor. Egnatia është skuadër kompakte, me vazhdimësi, edhe pse mund të ketë momente të dobëta. KF Elbasani ka bërë kampionat shumë të mirë, gjithmonë me këmbë në tokë dhe është pranë kreut. Dinamo ka pasur një rënie pas janarit, por mbetet në garë. Teuta pas një fillimi të mirë ka kaluar një moment të vështirë. Flamurtari ndodhet në fund të tabelës. Bylisi ka objektiv mbijetesën dhe vazhdon strategjinë e vet për të prodhuar dhe transferuar lojtarë. Kjo është panorama që kam parë, duke qenë se deri në mes të nëntorit kam qenë vetë në aktivitet.

Kur do ta shohim sërish Orges Shehin në pankinë?

Aktualisht jam nën kontratë me FC Ballkani dhe kam një çështje në shqyrtim pranë FIFA. Kur çështjet nuk zgjidhen me marrëveshje, kalojnë në organet kompetente dhe këtë hap kam ndërmarrë. Jam në pritje të vendimit, që besoj do të merret brenda këtij muaji. Pas kësaj do të shoh nëse do të ketë projekte konkrete…

Cili është derbi më i bukur apo më i veçantë për ju dhe si e parashikoni këtë të radhës?

Shumë njerëz përmendin derbin e vitit 2002, por për mua dy më vendimtarët kanë qenë të tjerë. Si trajner i Partizanit kam fituar dy derbe të rëndësishme. Ndërsa si trajner i Tiranës, derbi i parë që fituam 1-0 me penallti të Limajt ishte fillimi i një ecurie shumë të mirë. Po ashtu, derbi i kthyer nga 0-1 në 2-1 në Elbasan ishte ai që matematikisht siguroi titullin kampion. Këto janë më të veçantët për mua. Sa i përket rezultatit të derbit të radhës, zakonisht derbet në këtë fazë janë të ekuilibruar dhe shpesh përfundojnë barazim. Unë nuk jam parashikues i madh, por Tirana ka më shumë nevojë për pikët dhe do ta kërkojë më shumë, por në derbi gjithçka mbetet e hapur.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL