EKSKLUZIVE/ “Tiranën e dua në Champions”, nga organizimi i derbit te lënia e futbollit, rrëfehet Grent Halili: Ju tregoj të fshehtat e vitit të titullit kampion
Grent Halili në një intervistë 360 gradë. Pas javës pasi la futbollin, ish-sulmuesi i Tiranës vendos të rrëfehet për “Panorama Sport”. Në një intervistë gjithëpërfshirëse, Grenti tregon 13 vitet e sportit, prindërit, motrën dhe çfarë e pret në të ardhmen. Paragjykimet, të fshehtat, por edhe planet e së ardhmes për Tiranën që tani kërkon të shkojë në fazën e grupeve të Champions League.

Tirana fitoi derbin, si ishte ai 90-minutësh i parë tani nga tribuna?
Së pari, ju falënderoj për intervistën. Ishte një emocion shumë herë më i madh sesa kur je futbollist. Mendon shumë gjëra, por fatmirësisht gjithçka na shkoi mbarë. Plus që si derbi i parë jashtë fushës së lojës, si zyrtar, e shijova në maksimum.
Janë të njëjta emocionet si golashënues dhe si zyrtar?
Janë emocione të ndryshme. Si futbollist është diçka e madhe të shënosh dhe të fitosh derbin. Është një ëndërr e realizuar, janë emocionet e golit dhe brohoritjet e tifozëve ato që të transformojnë. Është gjë e madhe të kënaqësh atë që ka ardhur në stadium. Duke dalë te pyetja, shija ishte e njëjtë. Fantastike.
Si është të organizosh një derbi?
Unë kam pak kohë që merrem me pjesët administrative të klubit. Jam ende te dëgjimi dhe mësimi, sepse njerëzit që janë tashmë aty kanë eksperiencë. Ka qenë e vështirë, por falë stafit të kualifikuar ma bënë më të lehtë.
Përse Grenti e la futbollin?
Arsyeja që lashë futbollin është fakti që pata ambicie të tjera në jetën time. Si rrjedhojë, pata një ofertë jashtë Shqipërisë për të luajtur me një skuadër. Për arsye familjare nuk pranova dhe vendosa që më mirë të mos luaja më futboll se të aktivizohesha në një skuadër në Shqipëri. Kjo, jo se futbolli ynë është më poshtë se jashtë, por në Shqipëri ambiciet e mia ishin që të vazhdoja një rrugë tjetër, atë të administrimit dhe menaxhimit të klubit dhe bizneseve familjare. Në fund ishte leverdia familjare që të merresha me punët e familjes. Fare mirë mund të luaja në një skuadër tjetër, por zemra nuk më bënte që të mos luaja me ekip tjetër veç Tiranës. Është ëndrra e çdo futbollisti të luajë me Tiranën. Është maksimumi.
Kujt i rrëfyet që do të linit futbollin?
Sigurisht që familjes, por mamasë i thashë të vërtetën për herë të parë. Ishte diçka e vështirë dhe më erdhi keq, sepse për 13 vite ajo ka bërë gjithçka për mua, sepse të lash rrobat çdo ditë, të lash këpucët e sportit, t’i mbash regjim ushqimor fëmijës, është diçka që do durim. Për të më vjen keq, por jam i sigurt që e kam bërë krenare dhe do të vazhdoj e do të përpiqem ta bëj krenare edhe në detyrën e re që kam marrë.
Cili është për ju Refik Halili?
Çdo fëmijë do të donte kishte një prind si babai im, por çdo djalë do ta thoshte të njëjtën gjë për të atij. E them këtë sepse ka një tip të butë. Është më i qetë dhe i mirë se ç’duhet. Por jo më kot është është këtu, sepse ndonëse është i qetë, i butë dhe nuk prish hatrin me askënd dhe sakrifikon punët e tij. I kam ngjarë, në anën e biznesit. Kam mësuar prej tij çdo gjë. Ama nuk fal te financat. Të punosh me familjen është diçka e bukur. Me Goldin shkojmë shumë mirë. Plotësojmë njëri-tjetrin.
Jeni ndier në presion për faktin që jeni djali i presidentit?
Së pari, duhet të hedh poshtë spekulimet që u tërhoqa nga futbolli për shkak të tifozëve. Unë nuk jam tërhequr prej tifozërisë së Tiranës. Unë nuk mund të sakrifikoja 13 vite dhe ëndrrën për t’u bërë futbollist, sepse donin një grup njerëzish tifozësh apo diçka tjetër. Nuk ka ndodhur kështu, por sidomos unë nuk e pranoj një gjë të tillë.
Haku ju është ngrënë në sport?
Haku më është ngrënë dhe jo për shkak të tifozëve apo jashtë ekipit. Haku më është ngrënë nga trajnerë brenda skuadrës, thjesht sepse ata paragjykoheshin nga njerëzit e botës së futbollit. As unë dhe as babai im asnjëherë nuk kemi kërkuar që Grenti të luajë. Gjithmonë nuk jam ndier, jam stërvitur dhe kam respektuar vendimet e trajnerëve si çdo sportist. Më vjen mirë që jam marrë me futboll, sepse ky sport të jep dituri, disiplinë dhe të heq veset e adoleshencës.
Tani jeta të çon tek administrimi i një klubi së bashku me familjen…
Isha më rehat, por sfidat janë të mëdha që Tirana të shkojë aty ku e meriton. Këtë gjë nuk e bën vetëm presidenti. Do njerëz besnik dhe të kualifikuar. Jemi mbi 20 vetë që punojmë. Unë nuk po drejtoj, por për momentin po mësoj. Jam i fokusuar tek akademia, sepse kemi punë për të bërë. Edhe tani është bërë punë e jashtëzakonshme. E tregojnë afrimet e akademisë. Veç akademisë, jam pranë ekipit të parë, bashkë me drejtorin e stafin punojmë së bashku. Sa i përket akademisë ajo ka funksionuar vetëm tri vitet e fundit. Më parë kanë qenë njerëz jo të zotë dhe jo të duhur. Nuk dua të përmend emra, por tri vitet e fundit Devi Muka, së bashku Erando Isajin dhe Olsi Sevdarin e kanë çuar akademinë shumë më lart dhe ekipi i parë ka 10 lojtarë të rinj. Disa janë shitur, disa luajnë. Kemi punë për të bërë. Në infrastrukturë bëmë tri fusha të reja dhe ishte projekti im i parë. Rrugën e Ismajlgecit, Muçit e Çelhakës duhet ta marrin edhe të tjerët.
Shumë thonë që zbulova këtë ose atë te Tirana si rasti i Çelhakës ose Ismajlgecit…
E vërteta e Çelhakës dhe Ismajlgecit është se u piketuan nga Ze Maria dhe ndihmësi i tij. Ze Maria dhe ndihmësi i tij u tërhoqën në ekipin e parë. Më pas, drejtor akademie u bë Devi Muka dhe ai bëri të pamundurën që të ishin me skuadrën. A. Muçin ia sugjeroi zëvendës trajnerit të Ze Marias, Migen Memelli. Devi Muka ishte ai që vulosi gjithçka, duke përfshirë, Stafën, Gjumsin e Qefalinë. Kam ndihmuar edhe në marrëdhënien mes Çelhakës dhe Ismajlgecit që të rinovonin pas vitit të titullit kampion, ndonëse që atë vit unë bëja ndërmjetësin e presidentin mes klubit dhe lojtarëve.
Cilat janë të fshehtat në vitin e titullit?
Ato që do të them janë të vërteta. Jo me dokumente, por ata që janë brenda e dinë se çfarë ka ndodhur. Atë vit kishte probleme Flamurtari dhe skuadra u shkri. Më thoni një skuadër që nuk donte Bathën, Kalenë e Torasën. Kam qenë së bashku me presidentin. Aty ishte edhe Tefik Osmani që do të firmoste me Tiranën. Tefiku tha: Përse nuk merrni këta lojtarë? Presidenti kishte dëshirë të bënte skuadër të madhe për 100-vjetor. U lidhëm me menaxherët për dy të huajt. Kontaktuam me Bathën që po firmoste në Superiore me një tjetër skuadër, sepse negociatat kishin dështuar mes tij dhe drejtorit të asaj kohe të Tiranës. Batha falë miqësisë me Osmanin foli hapur dhe ra dakord, ashtu si Torasa e Kale. Nuk ka qenë merita e veçantë e dikujt. Presidenti diskutoi së bashku me stafin e asaj kohe, drejtorin dhe trajnerin.
Po në skuadrën e sivjetshme keni dorë?
Jo. Derisa isha futbollist nuk kam ndikuar te presidenti. Kam respektuar statusin e lojtarit. Mund të jepja një mendim, por skuadra është bërë nga presidenti, trajneri dhe drejtori. Ka qenë si asnjëherë tjetër bashkëpunim i jashtëzakonshëm.
Në vitin e rënies nga kategoria nuk më harrohen lotët tuaj. Shumë vetë iu shmangën përgjegjësisë?
Jo vetëm atë vit, jo vetëm atë ditë apo atë rast në dështimet e Tiranës shumë vetë janë fshehur. Presidenti është ai që ka marrë goditjet. Madje edhe me dëshirën e tij merrte goditjet që të qëndronin të qetë të tjerët. Atë vit ishte tmerr dhe nuk mund të harrohet. Probleme nga më të ndryshmet dhe jashtë fushës. Gjithsesi, u ringritëm shpejt, por sërish patëm probleme në vitin e parë të titullit. Presidenti i kishte besuar merkaton të tjerëve, gjërat nuk shkuan siç duhet. Mund të bëhej më mirë. Vitin e Ze Marias dhe Memës, merkatoja kishte dështuar. Na shpëtoi Edon Hasani, që erdhi falë presidentit dhe një miku të përbashkët, ndërsa në fund meritat i mori dikush tjetër, sepse atëherë me sa duket vetëm një njeri punonte. Te Tirana nuk ka një njeri. Është Goldi, Edmond Selimi, Ina Doçi, Eranjo Isaj e me radhë që kanë punuar për klubin. Të më falin ata që nuk i përmenda.
Si e shihni Tiranën e këtij sezoni?
Tiranën e shoh në rrugën e duhur. Është e vështirë të jesh në krye, por shumë e vështirë ta mbash vendin e parë dhe të ecësh me këtë ritëm. Më bëhet qejfi që kemi një klimë për t’u marrë shembull. Ky është çelësi i suksesit për çdo skuadër që do të dalë kampione. Veç grupit të fortë, duhet të kesh harmoni. Pa hile apo keqdashje. Për të zbuluar vitin e titullit kishte shumë keqdashje, por falë menaxhimit të grupit nga ana e lojtarëve si Karabeci, Osmani, Lika, Batha e Hasani u mbajt grupi. Falë gjendjes dhe premiove të presidentit dolëm kampionë, pa harruar Majkëll Ngonë. Tani e shoh atë pozitivitet, por edhe nëse nuk ecim për titullin, mentaliteti është i duhuri. Të gjithë për një e një për të gjithë. Për t’u kthyer pas në kohë, Ngoja vitin e titullit nuk ishte në planet e Tiranës, por trajneri Mema më thirri personalisht dhe më kërkoi që të rikthehej, e unë të ndërhyja te presidenti. Dëshira e trajnerit u bashkua me dëshirën e presidentit. Edhe këtë vit ndodhi e njëjta gjë. Trajneri e drejtori kërkuan Ngonë, duke rrezikuar, por ai është këtu.
Mund të jetë akademia e Tiranës si ajo e Dinamos së Zagrebit?
Akademia e Tiranës është shembull dhe bëhet me disiplinë, rregull, infrastrukturë që ne e kemi, edhe trajnerë profesionistë. Jemi akademia më e lirë. Ofrojmë kushtet më të mira dhe cilësi. Do të rrisim lojtarë që të shkojnë në ekipin e parë. Çdo vit shkojnë tre sportistë në ekipin e parë. Kjo arrihet duke bashkëpunuar me akademi jashtë Shqipërisë. Së shpejti do të kemi një marrëveshje me një klub të madh në Çeki për projekte madhore. Ne kemi rekorde, sepse si akademi shitëm Muçin, por nuk do ta mbyllim me kaq
Cila është maja për Tiranën?
Kur të bëhet si Dinamoja e Zagrebit, një fabrikë futbolli dhe kur Tirana të arrijë grupet e Champions League dhe të bëjë historinë.
Me kohën si jeni?
Vetëm koha më mungon nga të qenit futbollist. Gjithsesi, punën e re e bëj me qejf dhe ajo nuk ndihet.
OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL













