EKSKLUZIVE/ “Teutën e presim të qetë”, kapiteni Dita: Vjet ishim më mirë, por Dinamo sheh kreun (E PLOTË)
Pas një derbi me emocione, Dinamo doli fituese ndaj Partizanit, duke marrë një trepikësh me shumë vlerë në garën për kreun e renditjes.

Një sukses që jo vetëm ngjiti “blutë” më lart në tabelë, por që sipas kapitenit Bruno Dita, konfirmon rritjen e vazhdueshme të skuadrës nën drejtimin aktual. Në një intervistë enkas për “Panorama Sport”, Dita flet me qetësi e vetëbesim për këtë fitore, duke pranuar se fusha ishte një pengesë për të zhvilluar lojën e tyre, por fitorja mbetet ajo që ka më shumë rëndësi.
Kapiteni nuk fsheh dëshirën për të shënuar në një derbi dhe rastet i pati, por thekson se objektivi kryesor është rruga drejt konsolidimit dhe garës për pozitat e para. Ai ndalet edhe te përballja e radhës me Teutën, duke theksuar se skuadra është në formë të mirë dhe se çdo gjë është e mundur në këtë kampionat ku ekuilibrat ndryshojnë shpejt. Sakaq, blutë po bëjnë ndeshjen e katërt radhazi që nuk pësojnë gol, duke gjetur ekuilibrat në atë që deri dje ka qenë “thembra e Akilit”.
Morët një fitore shumë të rëndësishme në derbi, si ndiheni?
E vërtetë, është një fitore që na ngjit më lart dhe do të vazhdojmë rrugën për aty ku jemi nisur dhe kemi synimet tona.
E kërkuat edhe golin me ngulm, por pa ia dalë dot…
Për fat të keq nuk erdhi. E doja shumë, sidomos në derbi që të shijon më shumë. Gjithsesi, rëndësi ka që fituam dhe vazhdojmë përpara, sepse kemi ndeshje plot.
Mund të themi që Dinamo po rritet javë pas jave?
Po, mund ta themi me plot gojën. Jemi në rritje javë pas jave dhe shpresojmë që të vazhdojmë me këto ritme.
E prisnit kaq të vështirë me Partizanin, duke parë se ndeshja u zhbllokua me një autogol?
Mendoj se fusha na e bëri më të vështirë, sepse nuk na la të shprehemi për të bërë lojën tonë. Për të dyja ekipet ndikoi kjo gjë në fakt, por që për fatin tonë të mirë u zhbllokua me autogol dhe në fund arritëm të fitonim.
Ndeshja e radhës me Teutën, si e prisni?
E presim të qetë, sepse jemi në një moment të mirë. Normalisht që do të hyjmë në fushë për një fitore.
Me ndalimin e Vllaznisë jeni vetëm dy pikë larg kreut, apo nuk e shihni që tani renditjen?
Nuk është herët për të menduar për vendin e parë. Duke parë që ndeshjen tjetër Egnatia me Vllazninë përballen bashkë, ndërsa ne luajmë me Teutën, e vështirë është edhe për ne, sepse durrsakët synojnë vendet e larta. Megjithatë, çdo gjë është e mundur.
Si e sheh Dinamon e këtij viti me atë të vitit të kaluar?
Dinamo e vitit të kaluar ishte më mirë, më e konsoliduar, duke marrë parasysh gjithë sezonin. Por, jemi duke shkuar në rrugën e duhur edhe me ekipin e këtij viti.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













