EKSKLUZIVE/ “Skuadra dhuratë nga Mema, sekreti te Tirana është Egbo”, flet Muka: Daja mund të rikthehet… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 14, 2020 | 22:30

EKSKLUZIVE/ “Skuadra dhuratë nga Mema, sekreti te Tirana është Egbo”, flet Muka: Daja mund të rikthehet… (E PLOTË)

Devi Muka është i bindur se tani është kthyer Tirana e madhe. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-kapiteni i shquar, ai që ka sjellë shumë tituj te bardheblutë, pranon se Tirana është shumë pranë trofeut të 25- të. Sipas tij, fatin e kanë lojtarët e tanishëm, ndërsa Batha e Vangjeli i kanë çmendur të gjithë, duke kthyer liderët në skuadër. Kërkon që Alban Hoxha të jetë pjesë e bardhebluve, ndërsa shprehet se në vitet e ardhshme gjërat do të bëhen më mirë. Por jo vetëm kaq. Kapiteni pranon se derbi është diçka e veçantë për të.devi muka

Muka ia njeh meritat e Emanuel Egbosë, por thotë se gurë të mëdhenj në arritjet e Tiranës i ka vënë Ardian Mema. Drejtori i akademisë, dhe jo vetëm, prej vitit 2015, shpjegon brezin e artë që po rritet te bardheblutë. Idetë e Mukës janë të qarta. Një klub i fortë, me shitje lojtarësh dhe tentativa për të luajtur në Kupat e Europës e për të kaluar ture. Gjithsesi, tani është e qartë. Tirana është kthyer. Meritë ka edhe ai, që me punë po mundohet të nxjerrë xhevahirë nga akademia bardheblu.
egbo

A e kishit menduar që Egbo do të ecte kaq mirë në stolin e Tiranës?
Jo, realisht jo. Duhet të ishte një trajner provizor. Egboja ka qenë trajneri i portierëve, por gjithsesi e njihte skuadrën. Gjërat shkuan mirë dhe nuk kemi përse të ngacmojmë njeri. Egboja është njeri i klubit. Gjendja ishte e mirë, po kështu edhe lojtarët. Ai e gjeti zgjidhjen e duhur. Bravo i qoftë!

pjimage (1)
Kur dështuan Mema dhe Ahmataj, çfarë menduat?
Unë jam i bindur se Ardian Mema nuk dështoi. Kjo është e vërteta ime, siç e mendoj unë. Nëse Tirana gëzon një ekip shumë të mirë në këtë moment që flasim, atë e ka dhuratë prej Ardian Memës. Ka bërë punë shumë të madhe. Është njeri i klubit dhe i familjes së Tiranës. Unë personalisht dua ta falënderoj publikisht për blerjet që bëri. Në këtë sukses të madh të Tiranës dhe Egbosë, pa dyshim që edhe Ardian Mema ka pjesë të madhe të suksesit. Sa për Julin, ishte kohë e paktë dhe nuk mund të them nëse ishte mirë apo keq.
832671_w2-470x264

Për herë të fundit titullin kampion e keni ngritur ju. A e kishit menduar  që do të zgjaste kaq shumë periudha për trofeun e 25-të?
Jo, dhe nuk e besoj as tani… Me pak fjalë, në atë moment që e lashë unë ishte legjenda e futbollit shqiptar dhe vazhdon të jetë. Kurrë në këtë farë feje, pra që për 11 vite të mos merrnim kampionatin. As e kisha çuar ndërmend. Pastaj çdo ekip futbolli ka ulje-ngritje. Kjo i ndodhi edhe Tiranës. Rënia nuk i erdhi sportivisht, por nga borxhet që kishte prej bashkisë. Prej 2009-ës gjërat u bënë bashkë dhe kur të këqijat bashkohen, nuk ke çfarë t’u bësh, veçse siç i them unë, “t’u hapësh derën”. Kur ika unë, por edhe gjithë brezi im qëmbanin peshën e një 10-vjeçari, skuadra nisi rinovimin.
Safet Gjici
Gjici thotë që kundërshtarët luajnë lehtë me ju. Bylisi dhe Luftëtari konkretisht… Si mendoni?
Unë nuk mendoj se kundërshtarët tanë luajnë lehtë. E kundërta është e vërtetë. Kundërshtarët tanë nuk i zë një javë gjumi. Duan të dalin në gazetë,
nëpër televizione.
LUFTETARI TIRANA
Cili është sekreti i kësaj Tirane?
Sekreti i Tiranës është Egboja. Mund të fusim edhe blerjet e verës së shkuar. Pastaj është përfitimi i lojtarëve nga akademia. Po punojmë në të gjitha
frontet. Nuk do ta lëmë vetëm me një vit
 .

Disa të rinj janë bërë protagonistë edhe në ekipin e parë… Është çështje brezash, shansi apo ia keni bërë hyzmetin?
Të them të vërtetën, për akademinë kam punuar jashtëzakonisht shumë, jo vetëm unë, por gjithë stafi. Askush nuk mund të punojë i vetëm. Ne po ia
bëjmë hyzmetin. Jemi në rrugë të mbarë për të nxjerrë të tjerë lojtarë të mëdhenj për skuadrën e parë. Për akademinë i kemi marrë masat edhe për vitin tjetër. Dhe kjo punë do të vazhdojë deri në fund. Tirana ka pasur shumë brumë, por është shpërdoruar. Tani te Tirana nuk mund të luajë më një njeri me mik, sidomos tek U-15, U-17, U-19. Nëse deri dje vazhdonin këto historitë që tek akademia të vihej për të tretur dhjamin, sot nuk funksionon kështu. Sot duhet të jesh profesionist dhe të djersish e të jesh më i miri në rolin tënd. Ky është mendimi im dhe nuk do ta ndryshoj dhe lejoj kurrë. Aq më tepër për Tiranën, ku unë nuk kam sjellë djalin tim, që edhe pse di të luajë shumë mirë futboll, unë nuk e bëra futbollist, jo më për të tjerët.

Kush prej tyre mund të shitet jashtë?
Sipas mendimit tim, nga lojtarët e skuadrës aktuale duhet të largohen ata që nuk e ndiejnë veten mirë. Ata që nuk luajnë dhe nuk e ndiejnë veten pjesë të grupit duhet të largohen. Do ta lidh me veten time. Nëse nuk do të luaja apo do të isha në një moshë të caktuar, 25-26, dhe nuk do të isha titullar apo nuk do të kisha minutat e mia, atëherë do të mundohesha të gjeja një skuadër të re. Sa për të rinjtë, Andri Stafa ka premisa të mëdha për ne si klub. Çelhaka është i konfirmuar që tani. Është edhe Ismajlgeci. Për të mos thënë më për Muçin që sot e kësaj dite klubi po mendon ta mbajë apo ta shesë, sepse ka oferta reale.
batha

Kur ju fituat titullin e fundit, sulmuesi më i mirë ishte Memelli me 23 gola. Ndërkohë, sot golashënuesi më i mirë është Batha. A është kjo një Tiranë atipike dhe pse?

Për Idriz Bathën kam jashtëzakonisht respekt. Me pak fjalë, Tirana duket se ka rigjetur liderët. Jo vetëm me Bathën. Ky i fundit jep zemrën në fushën e lojës. Futbollist nga ata që nuk luan për veten e tij, por luan për ekipin dhe për të fituar. Është superprofesionist, por jo vetëm ai. Tiranën këtë sezon e kanë ngritur shumë lojtarë, si Batha e Vangjeli. Të dy kanë shpirt gare të jashtëzakonshëm. Tiranës këto vite shpirti i garës i ka munguar. Pa hequr apo harruar ndonjë djalë tjetër, Kale, Torasa, dhe pa lënë mënjanë Gentian Muçën, që mund të hyjë te legjendat. Ka dalë nga kjo skuadër që fëmijë dhe sot është rikthyer si kapiten në fushë. Këta janë suksesi i Tiranës. Dua të flas me superlativa për Bathën dhe Torasën. Edhe pse ka qenë një kohë shumë e shkurtër, ata kanë dhënë shumë për klubin.

Çfarë menduat kur fituat derbin e fundit 5-1?

Të them të vërtetën, nuk kam menduar asgjë. Qëndrova në shtëpi, sepse jam shumë tifoz dhe e ndiej shumë atë takim. Po ju zbuloj një të vërtetë. Të dy derbet e fituara nuk i kam parë fare. Pashë vetëm përsëritjet. Nuk kam shkuar, sepse pas ndeshjes e kam të vështirë. Ndonjëherë na dalin edhe lot nga sytë. Atë ditë ishte djali në stadium. Më thoshte: “Një gol, dy gola, tre gola…”. Unë kthehem dhe them: “Çfarë thotë ky!” Edhe tani që flas u emocionova në njëfarë mënyre.

alban hoxha

A e keni imagjinuar ndonjëherë Alban Hoxhën me fanellën bardheblu dhe sa shanse ka që kjo të ndodhë?
Për këtë lëvizje unë jam shumë dakord, duke pasur parasysh moshën që ka. Është një nga portierët më të mirë në Shqipëri. Djalë shumë i mirë. Për mendimin tim, si kundërshtar është nga ata që e respektojnë kundërshtarin në çdo moment. Nga afër nuk është se e njoh, por ndjek intervistat. Mënyrën se si sillet, se si flet, përpos aftësive që ka, pasi është portieri më i mirë në Shqipëri së bashku me Ilion Likën. Do të kisha shumë dëshirë që ai të ishte portier i skuadrës në sezonin 2020-2021.

Partizani fitoi titullin pas 26 vitesh, por tani ndan vendin e “play out”- it me Vllazninë… Si e shpjegoni këtë? Po Tiranës, a do t’i ndodhte kjo pasi të fitonte titullin?

Nuk e mendoj fare këtë gjë. Duhet të kuptojmë që futbolli ka luhatje. Nëse Tiranës i ndodhi atë vit rënia, nuk ndodhi për një arsye, por për një miliard arsye. Për të rrëfyer ato që ndodhën atë sezon më duhet një intervistë tjetër për t’i rrëfyer ato ngjarje. Dëme, gjoba, paratë e prapambetura, borxhet që kishte Tirana. Ishte dëm i madh që ne e kemi harruar dhe ecim përpara. Tani presidenti Halili është i sigurt dhe bën hapa të sigurt. I gjithë klubi po ecën me hapa të sigurt, ndryshe nga pesë vitet e fundit. Tiranës nuk i ndodh më ajo që ndodhi. Sikur nesër të ndodhë diçka edhe me lojtarët e akademisë, Tiranës nuk i hyn asgjë në këmbë.

Flamurtari, klubi ku ju keni nisur karrierën ka rënë nga kategoria. Si u ndiet për këtë?

Eh… Më vutë në vështirësi, pasi me këtë pyetje duhet të flas për një qytet ku kam lindur vetë dhe jam bërë futbollist. Rënia nga kategoria, jo vetëm mua, por i ka dhembur gjithë Shqipërisë. Aq më tepër mua, një lab puro, safi, gjysmë opinge. E dua aq shumë atë vend, aq sa nuk ka ku të vejë dhe vuaj për atë fanellë, por nuk kam çfarë të bëj. Është skuadra e traditës shqiptare, por nuk kemi asgjë në dorë. Dëshira ime është që ta shoh Flamurtarin në majat e futbollit shqiptar. Nëse do ta kisha mundësinë, do ta mbaja në Superiore, por jam i pafuqishëm. Vlora ka problemet e saj, por nuk i di me hollësi, ndonëse këto vitet e fundit të gjitha ekipet e mëdha janë mësuar të bien nga kategoria. Është problemi i formulës me 10 ekipe. E ka zgjedhur federata, por është e vështirë kështu, pasi klubet në Shqipëri nuk janë shumë të fuqishme.

Nëse do t’ju telefononte Ilir Daja për stolin bardheblu, çfarë do të bënit?
Ilir Daja është një nga trajnerët më të mirë në Shqipëri. Ai ka qenë te Tirana, mund të vijë sërish trajner dhe kaq…

OLSI AVDIAJ