EKSKLUZIVE/ “Si qëndrova një javë në koma dhe shmanga punën në bujqësi”, rrëfim unik i ish-sulmuesit të Luftëtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2020 | 15:00

EKSKLUZIVE/ “Si qëndrova një javë në koma dhe shmanga punën në bujqësi”, rrëfim unik i ish-sulmuesit të Luftëtarit

Vite më parë, skuadra e qytetit të gurtë, Luftëtari, ka lënë gjurmë e mbresa të shkëlqyera. Midis talenteve gjirokastritë, emri dhe lavdia e Luan Seitit nuk mund të fashitet lehtë nga kujtesa e admiruesve të futbollit shqiptar. Seiti, ky emër simbol i Luftëtarit, bashkë me të famshmit Braho, Kalluci, Boni (nuk jeton) mbeten elementët e gjallë të futbollit gjirokastrit në ditët e sotme. Tashmë që kanë kaluar 32 vite nga ndarja e tij me futbollin, Seiti mbahet mend nga të gjithë si futbollist model në fushë dhe jashtë saj, fjalëpak e punëshumë. I tillë është edhe sot në moshën 63-vjeçare Seiti. 
SEITI

Është e vështirë t’i “vjedhësh” Seitit nga “arkivi” i memories së tij peripecitë e shumta që ka përjetuar në vitet e karrierës me Luftëtarin. Por, i gjendur në kushtet e karantinës së diktuar nga Koronavirusi, Seiti për “Panorama Sport”, me modestinë e tij karakteristike, do të kujtonte disa ndodhi nga historia e tij, të përjetuara në fushën e blertë.

Në vazhdim të rrëfimit të tij, Seiti flet për “tatuazhet” e stampuara në gjunjët e tij nga takat e kundërshtarëve, kur luante me temperaturë dhe bajame të qelbëzuara, i helmuar nga një byrek si dhe për ikjen e kujtesës për gati një javë. Në fund ai ka dhe një thirrje për kampionatin e lënë përgjysmë si pasojë e pandemisë, teksa i mëshon fort arsyes pse duhet të ndërpritet sezoni.

Luan, përshëndetje dhe ndjesë për shqetësimin! Si po e përjetoni këtë situatë aspak të zakontë që po kalojmë të gjithë së bashku?
Së pari, është kënaqësi që më kontaktoni. Ju e dini që s’më pëlqejnë intervistat, por për gazetën tuaj nuk po ngurroj. Nuk ka fjalë për të thënë. Edhe unë në shtëpi jam mbyllur në karantinë. Bëj ushtrime të lehta, aerobi dhe ecje në kohën brenda fashos së lejuar. Eci thuajse çdo ditë deri në afërsi të repartit ushtarak në Gërhot. Na ka vajtur barku te goja. Ne futbollistët jemi mësuar gjithmonë në lëvizje dhe unë këtë bëj. Kapitalizmi na ka mësuar të jemi në punë, karantina kërkon të na bllokojë. Pedonalja e Viroit është pjesë e itinerarit të lëvizjes në orën e caktuar.

luftetari 70 8p

Çfarë ju shqetëson teksa kanë kaluar 32 vjet nga koha kur ju varët “këpucët në gozhdë”?
Nuk mund të bëj ushtrime të tjera. Meniskët e këmbëve i kam të dëmtuar. Takat e lojtarëve kundërshtarë i kam të stampuara si relikte të kohës kur kam luajtur futboll. Cilësitë e fizikut tim ishin të tilla që i hapnin punë çdo kundërshtari. Më shumë s’kam ç’të them për këtë pjesë, për mua kanë folur shokët dhe miqtë e mi. Nuk është pjesë e karakterit tim të flas për veten, më shumë më pëlqen të flas për të tjerët. Megjithatë, për ju nuk po ngurroj.

Mund të na thoni ndonjë episod të veçantë që ju ka mbetur në mendje, ndonjë dëmtim apo shqetësim të një natyre tjetër?
Unë kam luajtur me temperaturë, me bajame të qelbëzuara, pasi i tillë ishte karakteri im. Më kujtohet një moment, edhe pse vitet bëjnë punën e tyre. Isha 15 ditë i dëmtuar dhe para kishim një ndeshje me Lushnjën. Mbaj mend që dolëm 0-0. Në minutën e fundit gati sa theva traversën, aq fort u dëgjua gjuajtja që bëra me të djathtën. Në fund të ndeshjes, drejtuesit e skuadrës dhe shokët më ngritën në krahë. Ishte ndeshje me peshë për formacionin tonë. Më kujtohet dhe diçka tjetër e bukur. Isha me bajame të qelbëzuara dhe unë duhet të luaja patjetër. Një grup tifozësh poshtë shtëpisë thërrisnin emrin tim dhe më luteshin që të luaja të nesërmen. Më erdhi në shtëpi (shtëpia e vjetër ku është farmacia sot) Refat Sazani, shefi i klubit të asaj kohe. Më tha: “Do luash patjetër”. Luajta dhe shënova gol. Nëse nuk do të luaja, do të përfundoja në fermë. Këtë gjë e mësova më vonë.
Luan Seiti
Tjetër gjë mund të na thoni, pasi për ju thuhet se keni pasur një kalvar të gjatë vuajtjesh dhe dëmtimesh?
Po. Kam përjetuar një ngjarje drithëruese në Korçë. Luanim në Korçë me Skënderbeun. U mundëm 2-3, dy golat i shënova unë me gjuajtje nga distanca. Në një duel ajror u përplasa me një lojtar, mund të ishte edhe një nga lojtarët tanë, këtë s’e mbaj mend. Luajta i fashuar, nuk pranova zëvendësimin e kërkuar nga trajneri Hito Hitaj. Pas ndeshjes përfundova në gjendje kome (Komocion cerebral). Për një javë u shtrova në spitalin e Korçës e s’mbaja mend asgjë rreth ndeshjes. Për fatin tim të mirë, falë ndihmës së mjekut (vëllai i Gjergj Ballços) gjithçka kaloi mirë dhe bukur.

Për ta mbyllur, po ju them dhe një gjë tjetër, sa tërheqëse dhe dramatike për kohën. Do të shkonim për në Shkodër për të luajtur ndeshjen e radhës. Si zakonisht do të flinim në hotel “Turizmi” të Lezhës e të nesërmen do luanim me Vllazninë. Kamerieri filloi të shërbente. Unë prisja të më shërbente, por ai nuk po vinte. Më në fund erdhi duke më thënë këto fjalë: “Për ty nuk ka me hëngër, goli yt na qiti prej kategorie”. Çfarë të bëja. Më thotë shoku dhe vëllai im i paharruar Cici (Astrit Boni që nuk jeton): “Merr ha një byrek”. Kështu bëra, e hëngra byrekun, por u helmova. Nuk kishte rrugë tjetër. Luajta i imponuar, edhe pse i sëmurë.

Luan, duhet të fillojë kampionati në kushtet e pandemisë?
Absolutisht që jo. Futbolli luhet për tifozët dhe kur mungojnë ata, ai humbet gjithçka që mbart brenda tij. Nëse duhet luajtur, le të themi: “Hajdeni o burra të mblidhemi dhe t’i biem topit”. Futbolli është biznes më vete dhe për një pjesë të mirë njerëzish është burimi jetese dhe fitimi, ndaj dhe insistohet që të luhet. Por, shembujt e pezullimit s’po mungojnë në shtete të ndryshme. Në kushtet e vendit tonë as që mund të flitet për futboll dhe jo më të luhet. Çfarë pune bëni aktualisht? Punoj në një kompani sigurimesh private në Kakavijë. Për momentin, si të gjithë pa punë. Në kohën e lejuar bëj ndonjë lëvizje për t’i ardhur në ndihmë ndonjë klienti, por është e kotë. S’ka këmbë njeriu dhe kështu që presim nga qeveria se çfarë do të bëjë me ne si punonjës të kompanive private.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL