EKSKLUZIVE/ Shkëlqeu kundër Tiranës, Jukaj gati për një vend titullari: Skuadra tregoi karakter dhe cilësi
Ishte protagonist me pritjen e tij në fund kundër Tiranës duke i siguruar pikët e plota Vllaznisë. Fjala është për Aron Jukajn, portierin e ri shkodran që zhvilloi një ndeshje shumë pozitive në klasike.

Në një intervistë të shkurtër për “Panorama Sport” pas takimit ai shprehet shumë i lumtur për fitoren, ku thekson se skuadra e meritoi. E ndërsa nga ana personale kërkon të përmirësohet akoma më tepër për të ardhmen.
Jukaj, fitore e merituar apo jo? Them se po, skuadra që përmbys një rezultat mendoj se e meriton gjithmonë komplimentet në fund. Skuadra tregoi karakter dhe cilësi e me mbështetjen e tifozëve arritëm ta përmbysnim Tiranën.
Sa e rëndësishme është një fitore kundër Tiranës? Dihet që kjo është klasikja dhe mbart gjithmonë emocione. Por skuadrat janë njësoj dhe pikët kanë vlerë njësoj me të gjithë. Pavarësisht se duke pasur parasysh rivalitetin e gjithmonshëm “shija” e fitores mund të jetë më e madhe.
Shpëtuat 3 pikë në fund, ju komplimentuan në dhomat e zhveshjes? Portieri për atë punë është (qesh). Po, mora përgëzimet e të gjithëve dhe dua t’i falënderoj se pse më kanë dhënë përkrahjen dhe besimin e duhur. E unë patjetër mundohem ta shpërblej në fushë.
Një vend titullari për ndeshjet e radhës? Atë e vendos trajneri, unë duhet të punoj çdo ditë për t’u përmirësuar dhe dhënë gjithmonë më të mirën time kur më kërkohet.
Java e ardhshme në Kupë kundër Besës dhe Skënderbeut në kampionat. Objektivi i Vllaznisë? Vllaznia futet gjithmonë në fushë për fitoren. Objektivi ynë është të ecim sa më larg në çdo kompeticion.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













