EKSKLUZIVE/ Pjesë e ekipit kampion në vitin 2006, Egert Kuçi: Finalizimi mbetet pika e dobët e Elbasanit
Elbasani ka bërë një nisje solide këtë se zon, duke ruajtur kryesimin dhe duke mbetur ende pa humbje. Barazimi i fundit me Teutën tregoi se skuadra nuk është e pandalshme, por se di të menaxhojë edhe situatat e vështira, pavarësisht mungesave të rëndësishme në sulm. Ajo që bie në sy është stabiliteti dhe qetësia me të cilën verdheblutë po e përballojnë kampionatin. Egert Kuçi, pjesë e skuadrës kampione në sezonin 2005- 2006, flet në një intervistë për “Panorama Sport”, ku e sheh ekipin aktual si më të pjekur dhe më të organizuar në krahasim me një vit më parë.

Për të, çelësi i rezultateve është mbrojtja solide, që ka pësuar vetëm një gol deri tani, ndërsa grupi ka fituar eksperiencë dhe nuk shpërbëhet lehtë përballë presionit. Megjithatë, ishfutbollisti thekson se entuziazmi duhet të jetë i kontrolluar, kampionati është i gjatë dhe do të ketë shumë sfida, ndaj Elbasani duhet të punojë mbi konkretizimin e rasteve dhe konsistencën në sulm.
Egert, si e patë barazimin me Teutën? Ishte një ditë jo shumë e mirë, por normale gjatë një sezoni të gjatë. E rëndësishme është që skuadra nuk humbi dhe ruajti qetësinë. Mungesat e Dialos dhe Ibrahimit patën ndikim të madh, sepse ata i japin skuadrës dinamizëm dhe shpejtësi në fazën ofensive. Në këto kushte, barazimi nuk është një rezultat negativ.
Elbasani është në krye të renditjes dhe ende pa humbje. Ku e shihni forcën kryesore të kësaj skuadre? Pa dyshim te mbrojtja. Me vetëm një gol të pësuar deri tani, kjo tregon qartë se skuadra është e organizuar dhe di të mbrohet. Kur ke një bazë të fortë pas, je gjithmonë në lojë për të fituar. Përveç kësaj, është ruajtur grupi nga sezoni i kaluar, janë bërë disa afrime të goditura nga ana e drejtuesve dhe kjo ka sjellë më shumë pjekuri. Lojtarët dinë të menaxhojnë më mirë momentet e vështira.
Ju keni qenë pjesë e skuadrës kampione. A shihni ngjashmëri mes atij Elbasani dhe këtij të sotmit? Në disa drejtime, po. Edhe ne atëherë kishim një grup të bashkuar, një mbrojtje të fortë dhe një dëshirë të madhe për të shkruar historinë. Sot, shoh një skuadër që nuk dorëzohet lehtë dhe që luan me shumë disiplinë taktike. Sigurisht, çdo brez ka kohën e vet, por ajo që më pëlqen është mentaliteti fitues që po krijohet.
Çfarë prisni nga sfida e radhës me Vllazninë? Është një ndeshje e vështirë, sepse Vllaznia është gjithmonë kundërshtar i fortë, por mendoj se Elbasani mund të dalë me një rezultat pozitiv. Me rikthimin e disa lojtarëve të rëndësishëm, trajneri do të ketë më shumë alternativa. Duhet të tregohen më vrastarë para portës, sepse shpesh u ka munguar konkretizimi i rasteve. Ky është një detaj që, me kalimin e javëve, do të përmirësohet.
Ku mendoni se duhet të përmirësohet më shumë skuadra? Në fazën sulmuese. Janë krijuar raste, por mungon finalizimi. Futbolli është i thjeshtë: nëse nuk shënon, ndërlikon gjithçka. Përveç kësaj, skuadra duhet të vazhdojë të ruajë ritmin dhe të mos kënaqet me atë që ka arritur deri tani. Çdo javë është një provë e re.
A mund të shkojë Elbasani deri në fund për titull? Duhet të jemi realistë. Ka ende shumë javë dhe kampionati është i gjatë. Por ky Elbasan ka potencial për të qëndruar gjatë në garë. Nëse ruajnë vazhdimësinë dhe shmangin euforinë, mund të jenë surpriza e madhe e këtij sezoni. Unë kam besim, por gjithmonë them: ndeshje pas ndeshjeje, pa u marrë shumë me renditjen.
Një mesazh për lojtarët dhe tifozët? Lojtarëve u them të vazhdojnë të punojnë dhe të mbeten të përulur. Rezultatet vijnë kur nuk e humbet përqendrimin. Ndërsa tifozët le të vazhdojnë t’i mbështesin, sepse kjo skuadër ka shumë nevojë për atë energji nga tribuna. Elbasani gjithmonë ka ditur të krijojë atmosferë dhe kjo është një forcë më vete.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













