EKSKLUZIVE/ “Partizani ishte pa trajner deri në ardhjen e Gegës”, Shpëtim Duro: Formula po nxit tolerime, Elbasani ringjalli garën (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2025 | 23:56

EKSKLUZIVE/ “Partizani ishte pa trajner deri në ardhjen e Gegës”, Shpëtim Duro: Formula po nxit tolerime, Elbasani ringjalli garën (E PLOTË)

Superiorja ka arritur në udhëkryqin e fundit, ku do të ndahen përfundimisht rrugët për “Final 4” dhe për mbijetesën.duro

Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, trajneri i njohur Shpëtim Duro i bën një analizë situatës së Superiores në pjesën e sipërme dhe të poshtme të renditjes. Sipas Duros, do të ketë një duel të fortë për vendin e katërt mes Partizanit dhe Elbasanit, teksa nuk heziton të prekë as çështjen e tolerimeve, që, sipas tij, kanë dëmtuar jo pak.

Profesor, duket sikur gara për mbijetesën po bëhet më interesante se pjesa lart e renditjes. Si e parashikoni?

Sigurisht që më interesante është bërë lufta për mbijetesë duke pasur parasysh se tri skuadrat lart e kanë arritur objektivin për të qenë në “Final 4”. Të gjitha skuadrat në fund janë në rrezik. Por duke pasur parasysh pozicionimet, them se Laçi është i rrezikuar. Dy humbjet e ndeshjeve direkte që kishte me Skënderbeun dhe Teutën, e kanë vështirësuar pozitën e Laçit. Por, gjithsesi, mbeten 3- 4 skuadra në vallen e garës për mbijetesë.

Ndërkohë, Partizani dhe Elbasani luftojnë për katërshen. Besoni se të kuqtë do të arrijnë ta ruajnë vendin e katërt?

Shoh një luftë dyshe mes Elbasanit dhe Partizanit, në një kohë kur para një muaji të kuqtë dukeshin të sigurt drejt “Final 4”. Problemet dhe rezultatet e dobëta bëri që Elbasani ta rihapte këtë luftë për një vend në katërshe. Do të jenë dy javë vendimtare. Elbasani për meritë të vetën, por edhe gabimeve që ka bërë Partizani për një periudhë 2-mujore, e ka hapur garën dhe gjithçka është e hapur. Vendimtare do të jetë edhe përballja direkte. Të dyja kanë mundësinë për të shkuar në katërshe.

Si ju duket ekipi i kuq me Gegën në krye? Keni parë ndonjë ndryshim?

Padyshim që ardhja e Gegës ishte e rëndësishme, sepse para tij Partizani nuk kishte trajner. Klubi kërkoi ta zgjidhte situatën pa një trajner. Tani shikoj një Partizan më tepër pragmatist dhe do të shohim çfarë do të bëjë në vijim. Çka është e rëndësishme, Partizani i ka të dy objektivat të hapur, si në Kupë, ashtu edhe në kampionat. Analiza bëhet në fund, kur të shohim se çfarë ka arritur të marrë.

Çfarë përshtypje ju lë afrimi i Herolind Shalës në këtë pikë të sezonit?

Shala është një futbollist me përvojë. Ne e njohim mirë, ka një karrierë shumë të pasur. Nuk mund të diskutojmë shumë me detaje rreth tij në një situatë kur kanë mbetur edhe vetëm pak ndeshje dhe më shumë mendoj se është një përforcim për vitin e ardhshëm.

Bylisi kërkon mbijetesën dhe pret pret Partizanin në shtëpi. Sa të komplikuar e prisni?

Është një duel me shumë interes, sepse dy skuadrat kanë në lojë objektivat e tyre, që janë diametralisht të kundërta. Do të jetë një ndeshje shumë e paparashikueshme, sepse, pavarësisht pozitave në renditje, unë nuk shikoj diferenca në potencialin që kanë skuadrat në organikë, kështu që shanset i shoh 50-50 në këtë ndeshje.

Është folur shumë për marrëveshje dhe tolerim ndeshjesh. Sa vendimtare mund të jenë këto episode në këtë fund të sezonit?

Unë kam dhënë deklarata edhe më parë dhe kam thënë se në muajin prill do të nisin tolerimet. Nuk dua të përmend emra, por ka shumë ndeshje, ku është toleruar dhe janë dëmtuar palët e treta. Sepse skema e tillë e bën të pashmangshëm tolerimin. Po të ishte edhe Partizani më lart dhe “Final 4” të kishte marrë formë, tolerimet do të ishin në nivel akoma më të lartë. E them edhe një herë se kjo formulë bën që këto tolerime të bëhen të pashmangshme.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL