EKSKLUZIVE/ Partizani fiton nga situata, Cara drejt një tjetër transferimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 21, 2025 | 22:35

EKSKLUZIVE/ Partizani fiton nga situata, Cara drejt një tjetër transferimi

Tedi Cara kërkohet nga tri klube të elitës në Ukrainë, që do të paguanin disa milionë euro për shërbimet e tij. Gjashtë gola të shënuar dhe tre të tjerë të asistuar në pjesën e dytë të sezonit me Oleksandrijën, kanë shtuar zërat për tjetër lëvizje të tij brenda vitit 2025. Dinamo Kiev së fundmi i është shtuar listës ku janë edhe Metalist 1925 Kharkiv me Polisia Zhitomir.

cara

“Panorama Sport” mëson se Partizani ka ruajtur përqindje kartoni, në rast të shitjes së kartonit të Carës nga Oleksandrija. Dinamo Kiev nuk do të kursehet, siç tregojnë në Ukrainë, për t’i afruar Carës kushte më të mira në kontratë. Kjo e fundit përfundon me Oleksandrijën në vitin 2028. Që lëvizja të konkretizohet duhet të shpenzohen miliona euro. 25- vjeçari, që mbajti edhe shiritin e kapitenit te Partizani në sezonin e fundit, ka rezultuar lojtari që ka bërë më mirë nga të kuqtë jashtë Shqipërisë.

Carës i kanë mjaftuar vetëm pesë muaj, që të tregojë potencialin në Ukrainë. Partizani ndërkohë e largoi ish-sulmuesin duke përfituar nga kartoni i tij, pasi kishte kontratë të vlefshme deri në fundin e sezonit dhe nuk pranoi rinovimin.

RASTËSIA- Dy klube, që janë të interesuara për Carën në Ukrainë, kanë ish-lojtarë të Partizanit në përbërje. Bëhet fjalë për Metalist 1925 Kharkiv dhe Polisia Zhitomir. Kristian Mba u transferua nga të kuqtë te Metalist, ndërsa Hadroj vazhdoi me Polisian. Sytë i kanë hedhur tashmë nga tjetër ish-lojtar i Partizanit. Për të fituar garën, duhet të mposhtin edhe interesimin e Dinamo Kiev, që shpesh shfaqet pa rival.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL