EKSKLUZIVE/ Oferta në fundin e merkatos, Tirana rrezikon të humbasë sulmuesin më të rëndësishëm
Serzh Tabeku mund të largohet nga Tirana në ditët e fundit të merkatos së dimrit. “Panorama Sport” mëson se për sulmuesin është interesuar klubi qipriot i Akritas Chloraka.

29-vjeçari rezulton të jetë sulmuesi më efektiv i Tiranës në këtë sezon. Sulmuesi nga Kameruni regjistron pesë gola në kampionat, ndërsa pas tij vjen mesfushori Rafael. Te Tirana është parë si titullar i pazëvendësueshëm në krahun e majtë të repartit ofensiv. Vetëm një ndeshje humbi për shkak pezullimi nga kartonët, ndërsa në të tjerat është aktivizuar gjithmonë duke qenë i dyti për minuta pas portierit Tafas.
Interesi nga Qipro nuk është i papritur. Kjo pasi përpara se të kalonte te Tirana, shërbimet e tij i gëzonte Nea Salamis.
Me bardheblutë është bërë i njohur po ashtu, për pagën e lartë që përfiton. Nëse më parë ishte më i vlerësuar në treg për Tiranën, tashmë ndodhet poshtë Fredi Alvarez, Patrik Mysloviç, Visar Bekaj, Anton Kresiç dhe Basilio Ndong.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













