EKSKLUZIVE/ Nikaj analizon situatën te nënkampionët: Vllaznia duhet ribërë nga e para në mbrojtje! Martini e Sinani, dy figura emblematike të futboll (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2025 | 21:07

EKSKLUZIVE/ Nikaj analizon situatën te nënkampionët: Vllaznia duhet ribërë nga e para në mbrojtje! Martini e Sinani, dy figura emblematike të futboll (E PLOTË)

Trajneri i Prizrenit në Kosovë, shkodrani Samuel Nikaj, ka dhënë së fundmi një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”.nikajIsh-numri një edhe i pankinës së Vllaznisë ka analizuar në detaje sezonin e kuqebluve. Në fjalët e tij Nikaj thekson se sezoni mund të quhet si zhgënjyes sidomos për tifozët. Por në klub dhe qytet nuk mund të kënaqen vetëm me pjesëmarrjet në Europë, pasi trofetë mungojnë prej vitesh. Ndër të tjera, ai komenton edhe largimin e Brdariç dhe afrimin e dyshes Martini-Sinani.

Një sezon tjetër pa trofe për Vllazninë, zhgënjyese?

Besoj se po, sidomos për tifozët që janë numër një në Shqipëri ishte akoma edhe më zhgënjyes. Kanë vite që vuajnë dhe me të drejtë pretendojnë titullin kampion. Kjo sepse Shkodra dhe Vllaznia në raport me atë çfarë i kanë dhënë futbollit shqiptar, si me futbollistë dhe trajnerë ka marrë shumë pak tituj kampion. Prandaj do ta cilësoja si një sezon që nuk i përmbushi totalisht pritshmëritë tek të gjithë.

Si e analizoni këtë sezon në përgjithësi për shkodranët?

Një edicion ku u arrit objektivi minimal, që ishte kualifikimi në “Conference League”. Por në raport me investimet e bëra nga klubi duhet të ishte bërë një performancë më e mirë gjatë zhvillimit të kampionatit. Nuk mund të kënaqet një klub si Vllaznia dhe qytet si Shkodra vetëm me pjesëmarrjet në Europë. Titujt janë në fund ata që kanë rëndësi më shumë se gjithçka.

Mund të bëhej diçka më tepër në finale kundër Egnatias?

Ishte një tek ndeshje, finale dhe duhej trajtuar si e tillë. Ku nuk ke për të humbur asgjë, por edhe mund të humbasësh gjithçka. Vllaznia u duk sikur kishte hyrë në fushë me idenë se do të kishte ndeshje kthimi apo të tjera për të rikuperuar. Nuk e trajtoi si një finale, por si një ndeshje të zakonshme kampionati. Mungoi ajo qasja mund të them që futbollistët duhet të tregojnë në përballje të tilla.

Gaboi Brdariç apo stafi teknik në atë duel?

Gabimi kryesor patjetër gjithmonë shkon te trajneri i skuadrës. Gjithmonë. Si në të mirë e në të keq ai është “shënjestra” e parë. Them se duhej ta kishte interpretuar ndryshe sfidën. Qoftë edhe në pozicionimin e disa futbollistëve në fushën e lojës. Në asnjë moment nuk arriti të neutralizonte pikat e forta të ekipit kundërshtar, që nga ana e tyre i kishin marrë masat mirë ndaj Balajt, i cili ishte pika e referimit të Vllaznisë.

Si mund të paraqitet skuadra në Europë?

Varet te skuadra që do të paraqitet në fushë gjatë ndeshjeve europiane. Shorti besoj se është i favorshëm për Vllazninë, ku shanset i ka të mira për të kaluar turin e parë të “Conference League”. Paraqitja e mirë në Europë është një bonus jo vetëm financiar, por edhe moral, sepse të krijon vetëbesim më të madh për ndeshjet e kampionatit pastaj që do të startojë në gusht.

Ku duhet të synojnë drejtuesit për ta përforcuar ekipin, në çfarë repartesh?

Kjo është një detyrë e stafit të ri, që do përcaktojë pozicionet ku ekipi ka nevojë për përforcim. Në opinionin tim Vllaznia ka nevojë për dy përforcime të rëndësishme në mbrojtje. Konkretisht në pozicionet e qendër mbrojtësve, pasi ka qenë një pozicion që e ka penalizuar shumë skuadrën në sezonin e shkuar. Prandaj aty duhet të jetë synimi i parë për përforcimin e skuadrës.

Si e komentoni vënien në krye të skuadrës të dy legjendave, Martini si trajner dhe Sinani si drejtor?

Janë dy djem që e dinë se çfarë është të përfaqësosh Vllazninë dhe të dalësh kampion me këtë skuadër. Dy figura emblematike të futbollit shkodran, të cilëve u uroj shumë suksese. Kam besimin se me drejtues shkodranë, Vllaznia do shkojë drejt suksesit.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL