EKSKLUZIVE/ Nigeriani mbetet në Tiranë, klubi i kuq e “bllokon”. Ja çfarë po ndodh te Partizani
Ismail Sodiq vazhdon të jetë një çështje te Partizani dhe e ardhmja e tij në klubin e kuq mbetet në diskutim. Nigeriani arriti marrëveshje me Partizanin dhe erdhi në Tiranë, ku edhe u stërvit, por në harkun e pak ditëve ai ndërroi mendje dhe tashmë kërkon largimin.

Shkak dyshohet se është një ofertë më e pasur nga Partizani i Beogradit, por deri më tani asnjë nga palët nuk e ka konfirmuar këtë. Fakti është se lojtari ka pranuar publikisht se dëshiron të largohet dhe prej thuajse një jave ai refuzon të stërvitet me skuadrën.
21- vjeçari gjithsesi ndodhet në ambientet e klubit dhe po qëndron në hotelin e ekipit. Fakti që nuk është larguar ende të krijon bindjen se ai ka firmosur një kontratë me Partizanin dhe nuk mund të largohet sipas dëshirës së tij. Klubi ka paguar 50 mijë euro për transferimin e Sodiq, me këtë të fundit që të paktën me sa thuhet, ka firmosur për tri vite.
Në klub po e ndjekin me kujdes situatën e tensionuar me nigerianin, por ajo që flitet deri më tani është se ata nuk kanë ndërmend ta lënë të lirë. Partizani pritet të kërkojë të respektohet marrëveshja dhe mbrojtësi i djathtë të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës. Mbetet të shihet sesi do të pritet kjo nga mbrojtësi dhe sa i gatshëm do të jetë që të luajë.
PANORAMASPORT.AL













