EKSKLUZIVE/ Nga Partizani, te Bylisi. Një emër i njohur për pankinën e Bylisit pas largimit të Josës
Pas dy sezonesh në elitën e futbollit shqiptar, Bylisi do ta nisë sezonin 2026-2027 në Kategorinë e Parë, me objektivin e qartë për t’u rikthyer menjëherë në Superiore.

Ballshiotët kanë treguar edhe në të kaluarën se dinë të dominojnë këtë kategori dhe në klub shpresojnë që historia të përsëritet. Përgatitjet për sezonin e ri kanë nisur në stadiumin “Adush Muçaj”, por aktualisht bëhet fjalë vetëm për një fazë paraprake, pasi drejtuesit ende nuk kanë përcaktuar plotësisht strukturën e skuadrës dhe stafi n teknik që do të drejtojë ekipin në kampionatin e ardhshëm. Aventura e Mirel Josës në krye të Bylisit konsiderohet praktikisht e përfunduar.
Edhe pse klubi nuk ka dalë ende me një njoftim zyrtar për ndarjen me trajnerin e njohur, fakti që skuadra ka nisur përgatitjet pa praninë e tij lë pak vend për dyshime. Aktualisht, stërvitjet po drejtohen nga një staf i përkohshëm, ku bëjnë pjesë trajnerët e ekipeve të moshave dhe të skuadrës B, e cila militon në Kategorinë e Dytë. Ndërkohë, drejtuesit e klubit kanë nisur lëvizjet për të gjetur trajnerin e ri.
Sipas informacioneve që ka siguruar “Panorama Sport”, një nga emrat që është propozuar për pankinën ballshiote është ai i trajnerit serb Marko Jovanoviç. Tekniku serb drejtoi Apoloninë në sezonin e fundit, ndërsa më herët ka qenë pjesë e stafeve teknike të Luftëtarit, Partizanit dhe Kukësit, duke krijuar një eksperiencë të konsiderueshme në futbollin shqiptar. Për momentin nuk ka negociata të drejtpërdrejta mes palëve, por emri i tij i është sugjeruar drejtuesve të Bylisit nga një menaxher dhe po shqyrtohet si një alternativë e mundshme.
Klubi pritet të marrë vendimet përfundimtare brenda javës së ardhshme, jo vetëm për trajnerin e ri, por edhe për ndërtimin e skuadrës. Ballshiotët po punojnë paralelisht për lëvizjet në merkato, si në afrime ashtu edhe në largime, me synimin për të krijuar një ekip konkurrues që të luftojë menjëherë për rikthimin në Kategorinë Superiore.
PANORAMASPORT.AL













