EKSKLUZIVE/ “Mora përgjigjet e duhura”, Kërnaja i kënaqur pas miqësores së Partizanit: Asnjë ngut me Kekon (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2026 | 21:37

EKSKLUZIVE/ “Mora përgjigjet e duhura”, Kërnaja i kënaqur pas miqësores së Partizanit: Asnjë ngut me Kekon (E PLOTË)

Partizani kaloi me sukses miqësoren ndaj Laçit në “Arenën e Demave” duke fituar me shifrat 3-0. Të kuqtë u shfaqën dominues duke e vlerësuar në maksimum sfidën, një element që kënaqi tej mase trajnerin Oltijon Kërnaja.

kernaja zhivanaj abazaj voka

Tekniku 37-vjeçar i “Demave të Kuq”, në një prononcim për “Panorama Sport”, u shpreh se mori përgjigjet që priste nga futbollistët në lidhje me këtë ndeshje ndaj një skuadre me cilësi si Laçi. Ndër të tjera, Kërnaja shtoi se kjo miqësore i shërbeu për t’i dhënë minuta edhe atyre lojtarëve që janë aktivizuar më pak në krahasim me titullarët e zakonshëm. Ndërkaq, në lidhje me ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Vllaznisë, trajneri Kërnaja u shpreh se skuadra dhe lojtarët e tij nuk kanë presion, por thjesht më shumë përgjegjësi në këtë moment kyç të sezonit.

Sa i rëndësishëm ishte kjo miqësore ndaj një kundërshtari si Laçi për të mbajtur përqëndrimin dhe ngarkesën në këtë pikë të sezonit?

Besoj se ishte një ndeshje shumë e rëndësishme, sepse duhej të mbanim ngarkesat dhe na shërbente shumë pasi Laçi është një ekip serioz me shumë cilësi. Sigurisht që na vlejti për ngarkesat që duhet të merrnin të gjithë lojtarët, edhe ata që ndoshta janë aktivizuar më pak deri në këtë fazë të sezonit.

A morët përgjigjen e duhur nga futbollistët në këtë test miqësor?

Sigurisht që morëm përgjigjen e duhur sepse djemtë treguan seriozitet dhe dëshirë gjatë gjithë kohës dhe kjo është për t’u vlerësuar. Na shërbeu gjithashtu për të parë edhe disa lojtarë nga akademia, të cilët shumë shpejt mund të jenë pjesë e ekipit të parë.

Si u duk Keko? U rikthye pas një kohe të gjatë dhe shënoi, a mund të konsiderohet si një “armë” plus për pjesën e mbetur të sezonit?

Cilësitë e Kekos dihen. Ne presim që ai të rikthehet i plotë në stërvitje me ekipin dhe në gjendjen e tij optimale. Ka dy javë që stërvitet rregullisht me pjesën tjetër të grupit të futbollistëve dhe presim të arrijë formën maksimale, pasi nuk duhet të nxitohemi dhe ta rrezikojmë, duhet që t’i marrim hapat me radhë.

A po shërben kjo fazë për të rikuperuar energjitë nga një kalendar tepër i ngjeshur?

Patjetër që po, kjo periudhë na shërben për të rikuperuar energjitë dhe për t’u përgatitur më të qetë dhe në maksimum për sprintin final të kampionatit e për të realizuar objektivat.

A ju kanë shqetësuar dy barazimet e fundit në kampionat?

Sigurisht që nuk kanë qenë rezultatet që ne prisnim, por nga ana tjetër skuadra ka treguar shpirt gare duke reaguar mirë edhe në momentet e vështira. Kjo është karakteristikë e jona në këtë sezon, të luftojmë deri në fund dhe të mos dorëzohemi pavarësisht vështirësive që shfaqen gjatë një ndeshje. Siç e thashë edhe më lart, ekipi tregon shpirt të lartë gare dhe shumë karakter.

Ndeshja e radhës është ndaj Vllaznisë të cilën ende nuk e keni mundur këtë sezon… A ju shton ky fakt presionin gjatë kësaj jave të përgatitjeve?

Vllaznia është kundërshtari i radhës në kampionat dhe nuk mendojmë më gjatë sa i takon përballjeve të shkuara. Nuk kemi asnjë ndeshje me presion, por kemi përgjegjësi, dhe përgjegjësia rritet tani që kampionati po shkon drejt fundit sepse objektivi është në dorën tonë dhe nëse ia dalim duke bërë mirë dhe duke shikuar vetëm veten, do t’ia dalim që të prekim objektivin e vendosur në fillimin e sezonit.

EJGI ÇABELI – PANORAMASPORT.AL