EKSKLUZIVE/ Mehmeti: Tre këshilla taktike për Partizanin, me këtë ritëm është kandidat për titullin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2026 | 22:54

EKSKLUZIVE/ Mehmeti: Tre këshilla taktike për Partizanin, me këtë ritëm është kandidat për titullin (E PLOTË)

Partizani nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2 në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Vorës në transfertë. Megjithatë, ky “hap fals”, nuk i penalizoi shumë të kuqtë sa i takon pozitave të tyre në vendin e katërt pasi Dinamo ndjekëse nuk arriti të përfitonte.

Dritan-Mehmeti-e1660039928102

Në lidhje me këtë stopim të Partizanit pas pesë ndeshjeve radhazi me fitore, për “Panorama Sport” foli ish-trajneri i kryeqytetasve, Dritan Mehmeti. Në analizën e tij, Mehmeti theksoi se pavarësisht këtij barazimi, Partizani tregoi një forcë të madhe karakteri duke barazuar nga dy gola disavantazh ndërsa beson se të kuqtë do të rikthehen te rruga e fitoreve. Ndër të tjera, Mehmeti foli edhe për shanset e Partizanit për të marrë pjesë në “Final Four” apo për të tentuar edhe diçka më shumë, ndërsa zbuloi edhe tre aspekte taktike ku “Demat” kanë nevojë që të përmirësohen dhe që t’i kushtojnë vëmnendje në tetë javët e fundit të Kategorisë Superiore.

Partizani ngeci në ndeshjen e fundit të kampionatit përballë Vorës pas pesë fitoreve radhazi, cilët ishin faktorët që ndikuan?
Ishin vetëm gabimet individuale, apo u ndje edhe lodhja? Mendoj që në ndeshjen me Vorën për Partizanin ndikuan shumë faktorë, dhe një nga faktorët kryesorë është përshtatja me orarin e ndeshjes dhe ngarkesa e madhe e ndeshjeve së fundmi. I referohem këtu interpretimit të lojës, por që sigurisht një meritë e madhe i shkon edhe skuadrës së Vorës që mori masat e duhura për pikat e forta të Partizanit duke i bllokuar ato. Megjithatë, Partizani tregoi forcë karakteri duke barazuar nga një rezultat 2-0 edhe pse ishte një lojtar më pak dhe kjo tregon forcën psikologjike të kësaj skuadre. Ndoshta edhe për vetë faktin që gabuan tek golat në pikën e tyre më të fortë që janë goditjet standarte. Sigurisht që ndikim kishin edhe mungesat, sidomos kur bëhet fjalë për elementë cilësorë si Skuka dhe Isgandarli. Unë e shoh dhe e mendoj si një ndalesë momentale dhe besoj se Partizani do të vazhdoj në ritmin që ka pasur sidomos në javët e fundit.

Cilat janë disa nga aspektet taktike në të cilat Partizani ka ende nevojë të përmirësohet gjatë zhvillimit të një ndeshje?
Në mendimin tim janë tre pika kryesore në aspektin taktik, ku e para është finalizimi. Duhet të jenë më të qartë përpara portës dhe goditjet duhet të jenë më cilësorë për të gjetur kuadratin sepse skuadra sulmon shumë dhe shkon në zonën kundërshtare, por nuk ka cilësinë e duhur në mënyrën e finalizimit. Një tjetër pikë shumë kryesore në taktika është edhe ritmi i lojës, ku në shuë ndeshje ka një ritëm më të shpejtë se sa duhet, por më pas bie në një ritëm shumë të ulët dhe e humbet kontrollin e ritmit të lojës, humbet kontrollin e ndeshjes dhe i jep shumë epërsi territoriale kundërshtarit. Mendoj se në këtë pikë duhet të përmirësohet dhe pika e tretë që do të përmend është edhe tranzicioni negativ ku skuadra sapo humbet topin, repartet i ka shumë të hapura nga njëra-tjetra dhe ka hapësira dhe duhet të kenë presingun e menjëhershëm, por sidomos duhet të rregullojnë koordinimin mes repartit të mbrojtjes dhe mesfushës që të mos lejë shumë hapësira për sulmin kundërshtar. Duhet të rritet sinkronizimi mes linjave të ndërmjetme që kap kundërshtari, gjithashtu duhet të ketë edhe një komunikim më të mirë në qendrën e mbrojtjes. Këto janë tre pikat kryesore sipas mendimit tim që Partizani duhet të përmirësojë gjatë një ndeshje.

Partizani është tashmë në vendin e katërt duke bërë një “kapërcim” të madh dhe lënë pas Dinamon, mendoni se e kanë forcën për ta ruajtur këtë pozicion?
Mendoj se Partizani me meritë ka arritur të ngjitet në vendin e katërt dhe besoj se e ka forcën, kualitetin dhe mentalitetin për ta mbajtur këtë pozicion, sepse e ka treguar me kundërshtarët poshtë saj në tabelën e klasifikimit, por edhe me kundërshtarë direkt sepse ka fituar ndaj Dinamos dhe kjo është një vlerë që i rrit besimin dhe forcën në skuadër për vazhdimësinë.

Si ju është dukur Partizani në ndeshjet me skuadrat e para të renditjes që mund të jenë kundërshtarët e të kuqve edhe në “Final Four”? Në fazën e tretë mposhtën Egnatian dhe Dinamon, barazuan me Elbasanin ndërsa u mposhtën nga Vllaznia…
Interpretimi dhe prezantimi në fazën e tretë ku Partizani ka fituar me Egnatian, por edhe me Dinamon, e më pas barazimi me Elbasanin dhe pavarësisht humbjes me Vllazninë, tregoi qartë potencialin dhe kualitetin që ka kjo skuadër dhe besoj se nëse vazhdojnë në këtë ritëm, mendoj se janë të denjë të konkurrojnë deri në fund për “Final Four”. Dhe, besoj se do t’ia arrijnë qëllimit si dhe të jenë konkurrentë shumë të fortë karshi këtyre katër skuadrave që luftojnë për “Final Four”.

A mendoni se kjo statistikë mund të ndikojë te lojtarët për të marrë rezultate pozitive në përballjet direkte?
Normalisht statistikat e fazës së tretë tregojnë qartë rritjen psikologjike të skuadrës, referuar dy fitoreve ndaj Egnatias dhe Dinamos. Tregojnë që kjo skuadër do të përballet denjësisht dhe që i ka rritur shumë kredibilitetet e saj jo vetëm për t’u renditur mes katër më të mirave, por edhe për të shkuar më lart për të fituar titullin i ka të gjitha mundësitë, gjithmonë nëse do të vazhdojnë në këtë ritëm.

Në këto tetë javë të mbetura të kampionatit, cili detaj mendoni se do të bëj diferencën që skuadra të përmbushë objektivin sezonal? Është më vendimtare forma momentale e skuadrës apo eksperienca?
Mendoj që faktorë dhe detaj shumë të rëndësishëm janë aspekti psikologjik, por edhe ai fizik ku duhet të menaxhosh shumë mirë ngarkesat, rotacionet dhe në fund është edhe pjesa e eksperiencës, ku shumë e rëndësishme është menaxhimi i situatave të vështira që sjell kjo fazë e fundit. Duhet të jesh gjatë gjithë kohës në ekuilibër psiko-fizik.

A e ka forcën Partizani të synojë më tepër se thjesht pjesëmarrja në “Final Four”?
Duke referuar fazës së tretë, rritjes së kualitetit me ardhjen e elementëve të rinj në merkaton e janarit, me entuziazmin në skuadër, nëse do të menaxhohen shumë mirë edhe këto tetë javë të mbetura në aspektin psikologjik dhe fizik, atëherë mendoj që Partizani do të jetë në “Final Four”, por edhe do të jetë konkurrent shumë i fortë për të fituar titullin. Por, këto javë të mbetura janë shumë të rëndësishme për vazhdimësinë dhe sidomos besimin te titulli.

Kjo fundjavë sjell edhe përplasjet direkte mes skuadrave të fundit në renditje, Tirana pret Vorën ndërsa Bylisi pret Flamurtarin, kë shikoni si skuadrën më të rrezikuar për të rënë në këtë sezon?
E kam shumë të vështirë të veçoj një skuadër sepse kanë treguar pothuajse të njëjtin nivel dhe sidomos kjo javë që vjen do të tregojë shumë se cila skuadër do të jetë më e rrezikuar. Janë përballjet direkte dhe në përballjet direkte kush do t’i menaxhojë më mirë dhe kush do të marrë tre pikët, mendoj se do të ndjehen si gjashtë pikë sepse përballjet direktë të japin një bonus jo vetëm në aspektin e pikëve, por të japin një bonus edhe në aspektin psikologjik. Të japin një siguri e garanci më shumë për të vazhduar në ndeshjet e ardhshme dhe kjo javë është shumë vendimtare për skuadrat që do të qëndrojnë në Superiore apo që do të zbresin në Kategorinë e Parë. Besoj se janë dy finale që do të tregojnë shumë për të katër këto skuadra.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL