EKSKLUZIVE/ “Luftë në çdo centimetër të fushës”, ish-sulmuesi i Partizanit: Derbi kërkon zemër, presioni te Tirana (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2026 | 13:26

EKSKLUZIVE/ “Luftë në çdo centimetër të fushës”, ish-sulmuesi i Partizanit: Derbi kërkon zemër, presioni te Tirana (E PLOTË)

Derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës është padyshim kryefjala e javës së 24-ërt në Kategorinë Superiore, teksa e gjithë vëmendja e opinionit sportiv do të jetë të dielën në “Air Albania” duke nisur nga ora 16:30.

dosti

Në lidhje me këtë supersfidë, në një intervistë për “Panorama Sport”, foli ish-futbollisti i Partizanit, Edmond Dosti. Ky i fundit theksoi se aktualisht të dyja skuadrat nuk janë aty ku duhet të jenë në renditje ndërsa shtoi se presioni më i madh është tek Tirana. Nga ana tjetër, ish-sulmuesi u shpreh se pret një ndeshje shumë të luftuar dhe që do të vendoset nga episodet ndërsa ka edhe një thirrje për lojtarët dhe tifozët e Partizanit.

 

Kë shihni si skuadrën favorite për të triumfuar në këtë derbi mes Partizanit dhe Tiranës? Partizani vjen pas një fitore me Elbasanin në Kupë ndërsa Tirana vjen pas asaj disfate ndaj Dinamos në Kupë, që gjithashtu ishte një ndeshje derbi. Ndaj, në optikën time shoh Partizanin pak më shumë favoritë për sfidën e së dielës për të fituar këtë derbi.

Si Partizani ashtu edhe Tirana janë në një pikë vendimtare të sezonit dhe nevoja për pikë është e madhe te të dyja ekipet, kush e ka presionin më të lartë? Patjetër që të dyja ekipet në tabelën e renditjes nuk janë në vendet që ato meritojnë, pavarësisht se Partizani është disi më komod. Por, do të jetë një derbi i luftuar fort dhe besoj që presioni më i madh është te Tirana sepse po të humbasë derbin do të jetë e vështirë që më pas të rikuperojë edhe në aspektin psikologjik për ndeshjet e tjera.

A mendoni se në derbi do të bëhet llogari dhe në fund ekipet mund të kënaqen me një barazim, për të shmangur humbjen? Patjetër që kjo është e rëndësishme sepse asnjë nga skuadrat nuk do të dojë që të humbasë një sfidë të tillë për shumë arsye dhe nëse ndeshja do të dalë barazim, atëherë kjo do të ishte një mundësi edhe për Tiranën për të mos të humbur terren në klasifikim. Por, siç e thashë ky derbi do të vendosë shumë gjëra për të ardhmen dhe sigurisht që nëse nuk munden ta fitojnë, atëherë skuadrat do të mundohen që mos ta humbasin.

Kush mendoni se është më vendimtar në një derbi, taktika e trajnerit, një episod i veçantë, apo një zgjidhje individuale e një futbollisti? Në çdo derbi trajnerët kërkojnë të ndjekin një taktikë të caktuar për ta fituar sfidën, por bëhet fjalë për një ndeshje shumë emocionale dhe derbi gjithnjë të merr për shkak të euforisë. Kështu, shumë lojtarë dalin edhe nga pozicionet e tyre dhe gjithmonë derbi vendoset nga episode të veçanta. Besoj se edhe ky derbi ashtu do të jetë, do të ketë një luftë të madhe sportive, por do të vendoset nga lojtarë dhe episode të veçanta. Episodet mendoj se do të jenë vendimtare si për ta fituar ndeshjen, ashtu edhe për ta mbyllur në barazim sepse një detaj mund të ndikoj shumë.

Cili lojtar mendoni se e vendos këtë derbi për Partizanin? Nuk mund të them se kush lojtar do të jetë ai që do ta vendosë derbin, por do të them një thënie që derbi nuk luhet, por fitohet. Nuk ka rëndësi kush do të shënojë, është e rëndësishme që Partizani ta fitojë këtë derbi dhe në qoftë se ky derbi do të fitohet atëherë do të kemi një hap të madh drejt katërshes së parë. Prandaj, shpresoj që të fitojmë dhe të shënojë kush të ketë mundësinë, pa pasur nevojë të përmenden emra, fitorja është më e rëndësishmja dhe ajo që vlen më së shumti.

A prisni që ky derbi ndryshe nga ai i fazës së dytë ku Partizani fitoi 2-0, të jetë disi më i vështirë për të kuqtë duke parë ndryshimet te Tirana pas merkatos së janarit? Patjetër që e pres më ndryshe këtë derbi, tashmë bëhet fjalë për një tjetër ndeshje dhe do të jetë padyshim shumë i luftuar dhe unë shpresoj që Partizani të luaj ashtu siç bëri në derbin e fazës së dytë dhe ta dominoj derbin e ta fitoj ndeshjen. Por, do të jetë i vështirë, vetëm i uroj suksese dhe shpresoj që Partizani të dalë me fitore nga kjo ndeshje.

Cili është një ndeshje mes Partizanit dhe Tiranës të cilën ju e kujtoni me më shumë nostalgji? Ndeshjet derbi që unë kam më së shumti nostalgji janë ato të cilat unë i kam përjetuar vetë në fushë nga viti 1991 deri në vitin 1993, ku të gjitha ndeshjet derbi i kam fituar, nuk kam asnjë humbje apo barazim. Dhe ato mbahen gjithmonë në mendje.

Nëse do të kishte një këshillë për lojtarët para kësaj ndeshje derbi? Lojtarët e Partizanit duhet ta fillojnë ndeshje nga minuta e parë me zemër dhe deri në minutën e fundit, të luftojnë për çdo minutë, sekondë, në çdo pjesë të fushës dhe të mos e humbasin kurrë përqëndrimin pasi derbi dihet që është shumë i vështirë dhe një moment apo një pakujdesi, mund të kalojë në një katastrofë, prandaj duhet të jenë të gjithë nga trajneri tek lojtarët rezervë, të jenë të përqëndruar në 100% në 90 minuta për ta fituar këtë ndeshje.

Po për trajnerin Kërnaja, a keni ndonjë sugjerim? I bëj një sugjerim si mik që ai të shfaqet më i ftohtë si para ashtu edhe pas ndeshjeve, sepse është një trajner i ri me shumë perspektivë dhe unë kam besim që ai do të bëhet dikushi. Por, duhet të bëjë kujdes që të jetë më i matur si në intervistat para dhe pas ndeshjeve, të jetë më i qetë sepse ashtu ndihmon edhe skuadrën që të ecë përpara.

Një parashim për rezultatin? Unë e kam nisur karrierën te Partizani dhe e kam përfunduar atje ndaj nuk është e vështirë që unë të mendoj, shpresoj dhe të parashikoj Partizanin fitues nga kjo përballje. Shpresoj që ekipi im i zemrës të dalë me fitore nga stadiumi, kjo është më e rëndësishmja nga të gjitha. Do të ishte një fitore me shumë vlera edhe për të parë më pas se deri ku mund të mbërrij Partizani dhe sa shanse do të kishte më pas për të siguruar pjesëmarrjen në “Final 4”.

Keni një thirrje për tifozët si një legjendë e klubit të Partizanit? Tifozëve të Partizanit dëshiroj t’u bëj një thirrje që në këtë derbi të jenë sa më të shumtë për të përkrahur ekipin tonë të zemrës, ju atje në fushë dhe ne ish-lojtarët këtej nga ku jetojmë. Forca Partizani, përjetë me ty Partizani.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL