EKSKLUZIVE/ Kundër krizës dhe skeptikëve, “shpërthen” drejtori Bezhani: Flamurtari s’shuhet, Egnatia mundet…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2025 | 9:58

EKSKLUZIVE/ Kundër krizës dhe skeptikëve, “shpërthen” drejtori Bezhani: Flamurtari s’shuhet, Egnatia mundet…

Klubi tërheq vëmendjen e futbollistëve duke u kujtuar se Flamurtari është mbi personalitetin e tyre.

RINALD-BEZHANI-FLAMURTARI

Në një intervistë për “Panorama Sport”, drejtori i bordit për marrëdhëniet institucionale, Rinald Bezhani, thekson se skuadra po pëson gola për shkak të mosvlerësimit të situatave. Ai kujton se kjo skuadër ka mposhtur edhe Egnatian, por shton se rrogozhinasit “do të shuhen një ditë, ndërsa Flamurtari jo”. Bezhani mendon se Françesko Moriero është më i mirë se Ilir Daja dhe Kërnaja.

Bezhani, cili është qëndrimi i klubit ndaj futbollistëve për situatën aktuale?

Flamurtari është përgjegjësi dhe nder për qytetin. Futbollistët duhet të kuptojnë se mbi veten e tyre dhe mbi të gjithë ata që besojnë në këtë projekt, është një qytet i tërë. Është një projekt që i jep jetë Vlorës. Njerëzit që merren me sportin duhet të kuptojnë që nuk mbajnë vetëm përgjegjësinë e personalitetit të tyre, por mbajnë një emër që janë të detyruar ta çojnë përpara.

Cilat janë shkaqet e kësaj situate?

Ne jemi në një periudhë me dëmtime. Kemi dëmtime shëndetësore dhe sportive të niveleve të larta. Nuk jemi skuadër qaramanësh, por pesë lojtarë të planifikuar për formacion janë të dëmtuar, çka ndikon patjetër në ekip. Flamurtari po pëson gola për mosvlerësim të situatave. Kemi pësuar mesatarisht 2.5 gola për ndeshje. Që të fitojmë duhet të shënojmë tre. Ky është handikapi. Forca, ecim përpara dhe ta shohim Flamurtarin aty ku duam.

E ka njohur Françesko Moriero skuadrën?

Nëse dikush ka thënë që Daja është “dhelpër e vjetër” e kampionatit, apo Kërnaja që ka dërguar njerëz në fushën tonë sportive, gjëra që nuk i beson as vetë, unë ju kujtoj se Moriero ka pasur Ronaldon, jo atë të lagjes time, por atë që ka luajtur me vite në nivelet më të larta. As Daja dhe as Kërnaja nuk janë Xhan Piero Gasperini. Ata nuk janë më të mirë se trajneri ynë.

Rrezikon Flamurtari rënien nga Superiorja?

Është e vërtetë që në këto ndeshje futbollistët tanë nuk po japin kënaqësinë e duhur, por ne këtij qyteti i japim sportin. Egnatian e kemi mundur. Por Egnatia nuk mund të bëhet kurrë Flamurtar! Mund të ecë 20 vite, por një ditë mund të përfundojë. Flamurtari do të jetojë ndër vite. Është emri dhe fanella ajo që i detyron futbollistët ta nderojnë.

Sa i përket projekteve të infrastrukturës, a do të ndërtohet stadiumi i ri në Vlorë?

Ne e rinovuam stadiumin dhe e kemi bërë të bukur, por duam një stadium me 20 mijë vende. Projektimi i dekadave të ardhshme na vë përpara përgjegjësisë, pasi spektakli kërkon skenë. Sinan Idrizi ka tërhequr vëmendjen edhe te Real Madridi. Është filozofia e tij që ne të projektojmë të ardhmen.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL