EKSKLUZIVE/ Jo vetëm dy lojtarët nga Kosta Rika, te Tirana dalin në stërvitje edhe sulmuesi i rikthyer me lojtarin që u shpall kampion me Egnatian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 5, 2026 | 22:33

EKSKLUZIVE/ Jo vetëm dy lojtarët nga Kosta Rika, te Tirana dalin në stërvitje edhe sulmuesi i rikthyer me lojtarin që u shpall kampion me Egnatian

Klubi i Tiranës po bën një revolucion të plotë gjatë janarit, teksa që tani ka larguar 10 futbollistë, të cilët do t’i zëvendësojë me emra të rinj.

tirana

Bardhebluve në stërvitje që në ditët e para të janarit u janë bashkuar dy lojtarët nga Kosta Rika, Johan Kortez dhe Fredi Alvarez, të cilët kanë gjetur akordin për t’u bërë pjesë e kryeqytetasve në vijim. Por këto nuk janë afrimet e vetme.

Sot në stërvitje me bardheblutë është shfaqur edhe sulmuesi Emanuel Ernest, i cili ka mbyllur pas pak muajsh aventurën në Algjeri dhe ashtu siç kishte bërë të ditur “Panorama Sport”, ka pranuar të bëhet përsëri pjesë e bardhebluve në vijimin e sezonit.

Ndërkohë, risia për Tiranën sot ishte prania në stërvitje e portierit Klajdi Kuka. Gardiani kryeqytetas, i dalë pikërisht nga akademia e Tiranës  dhe i larguar nga bardheblutë në vitin 2012, ka pranuar të kthehet përsëri te ata, duke i dhënë lamtumirën Egnatias, ku mbante rolin portierit të dytë.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL