EKSKLUZIVE/ Ish-futbollisti Tafili: Viti i Vllaznisë, Egnatia rivali kryesor. Shkodranët të mos dorëzohen për 2 trofetë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 14, 2025 | 21:12

EKSKLUZIVE/ Ish-futbollisti Tafili: Viti i Vllaznisë, Egnatia rivali kryesor. Shkodranët të mos dorëzohen për 2 trofetë (E PLOTË)

Alsid Tafili, ish-futbollist i Vllaznisë, ka analizuar së fundmi për “Panorama Sport” ecurinë e kuqebluve.

tafili

Ish-mesfushori në fjalët e tij ka komentuar në detaje ndeshjen e fundit kundër Tiranës, duke e cilësuar si një ndeshje të mërzitshme dhe pa emocione nga ana e të dy skuadrave. Në fjalët e tij, Tafili po ashtu thekson se Vllaznia ka futbollistë cilësorë, por loja nuk është ende aty ku pretendohet.

Një ndeshje nën ritëm kjo e fundit e Vllaznisë ndaj Tiranës, apo jo?

Unë mendoj se ky ishte derbi i frikës, për arsye se të dyja ekipet nuk po tentonin ta fitonin lojën. Po prisnin thuajse gjatë gjithë kohës dhe po qëndronin pasive. Prisnin gabimin e njëratjetrës, që në fakt nuk erdhi në asnjë moment. Prandaj them se rezultati ishte më se i drejtë për atë çfarë u prodhua, që me të vërtetë ishte zhgënjyese për tifozët dhe futbolldashësit.

Mund të kishin tentuar diçka më tepër kuqeblutë?

Patjetër që Vllaznia duhet të kishte tentuar më shumë ndaj portës kundërshtare. I ka cilësitë dhe mundësitë për ta bërë diçka të tillë. Po ashtu, në mendimin tim, presioni qëndronte në krahun e Tiranës për vetë faktin ku ndodhen në klasifikim. Vllaznia duhet të ishte më komode për të interpretuar lojën, me më logjikë dhe me besim për të arritur te fitorja.

 

Çfarë duhet të ndryshojë skuadra?

Nuk besoj se duhet të ndryshojë shumëçka. Por ekipi duhet të ketë më tepër besim, më tepër grintë. Vllaznia ka cilësi dhe kualitet me futbollistët që ka në përbërje për të dhuruar paraqitje më dinjitoze, që shumëkush i kërkon në Shkodër. Paraqitje, që disa herë kanë munguar gjatë këtij sezoni në Superligë.

Ka ndonjë futbollist që nuk po jep atë që pritet?

Mendoj se ka disa futbollistë te Vllaznia që kanë luhatjet e tyre këtë sezon. Nuk është nevoja për emra, sepse ata që e njohin futbollin, e kuptojnë. Megjithatë, dua të theksoj se të gjithë po mundohen në maksimumin e tyre për të arritur objektivat e klubit.

Cili është ekipi që mund të rrezikojë Vllazninë në rrugën e saj?

Në mendimin tim, besoj se Vllaznia e mbyll sezonin e rregullt në dy vendet e para të renditjes. Në “Final 4” atëherë duhet të menaxhojnë forcat siç duhet, ku të kenë freskinë për të arritur te titulli kampion. Ekipi që besoj se do t’i rivalizojë për titull është Egnatia, që është ndoshta skuadra më e kompletuar dhe më në formë e kampionatit.

I ka mundësitë skuadra për fitimin e kampionatit dhe të Kupës?

I ka të gjitha mundësitë për të shkuar te suksesi dhe besoj se ka ardhur koha dhe momenti i duhur. Përpjekjet e të gjithëve duke filluar nga drejtuesit, stafi, lojtarët apo edhe tifozët duhet të shpërblehen. Me pak menaxhim të mirë, me entuziazëm dhe seriozitet, siç kanë luajtur deri më tani, Vllaznia i ka të gjitha mundësitë për titull kampion në fund të sezonit.

Dueli i radhës kundër Skënderbeut, si e mendoni dhe e parashikoni?

Vllaznia kundër Skënderbeut duhet të ketë kujdes nga loja me kundërsulme e korçarëve. Skënderbeu është një ekip i rrezikshëm në këtë aspekt dhe Vllaznia duhet të jetë e aftë të realizojë siç duhet tranzicionin negativ.

Ekipi duhet të futet “i etur” për fitore në fushë dhe ta vlerësojë maksimalisht kundërshtarin. Kjo, pasi Skënderbeu është në një fazë ku të gjitha ndeshjet i trajton si finale, po ashtu edhe Vllaznia.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL