EKSKLUZIVE/ Ish-fantazisti i Kombëtares, Duro analizon sfidën e së dielës: Derbi pa aromë titulli, drejtuesit të paqartë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2026 | 21:45

EKSKLUZIVE/ Ish-fantazisti i Kombëtares, Duro analizon sfidën e së dielës: Derbi pa aromë titulli, drejtuesit të paqartë (E PLOTË)

Këtë të dielë duke nisur nga ora 16:30, në stadiumin kombëtar “Air Albania” luhet derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës, një nga sfidat kryesore të futbollit shqiptar.

klodian duro

Në lidhje me ndeshjen, por edhe me tema të tjera si menaxhimi i këtyre klubeve, pjesëmarrja e tifozëve në stadium dhe të shkuarën si ish-lojtar i Vllaznisë, por edhe të ardhmen në rolin e trajnerit, në një intervistë për “Panorama Sport”, foli ish-fantazisti i kombëtares, Klodian Duro.

Duro, theksoi se derbi është i paparishikueshëm ndërsa shtoi se të dyja klubet kanë bërë lëvizje të mira në merkaton e janarit duke veccuar rikthimin e Xhixhës, por edhe të Muratajt te Partizani. Nga ana tjetër, Duro dha komentin e tij edhe mbi trajnerët Oltijon Kërnaja dhe Ardijan Nuhiju, ku nuk mungoi një këshillë miqësore dhe dashamirëse për teknikun e Partizanit.

Të dielën luhet derbi mes Partizanit dhe Tiranës, cilën shikoni si skuadrën më të përgatitur dhe më në formë për ta fituar ndeshjen?

Të dyja skuadrat besoj do të jenë shumë të përgatitura për këtë ndeshje pasi të dyjave ju duhen shumë pikët sepse janë në një situatë jo të favorshme, kështu që si Partizanit dhe Tiranës i duhet fitorja. Më tepër Tiranës që është në fund dhe lufton që të qëndrojë në Superiore. Sa i takon formës, të dyja skuadrat nuk ndodhen rastësisht në këto pozicionë që kanë si Partizani dhe Tirana sepse kanë pasur oshilacione që nga fillimi i kampionatit dhe jo më kot kanë ndërruar edhe trajnerë.

Tirana është aktualisht te trajneri i tretë për këtë sezon dhe Partizani te i dyti, ndërsa po të marrim këto dy javët e fundit, atëherë Partizani me fitoren në kampionat ndaj Bylisit në Ballsh dhe më pas në Kupë ndaj Elbasanit, është pak më mirë psikologjikisht sipas mendimit tim. Tirana me barazimin në kampionat dhe me humbjen në Kupë po ndaj Dinamos, është paksa në një gjendje jo të qetë, aq më tepër që i duhen me patjetër pikët sepse tani ndeshjet sa vijnë dhe përfundojnë dhe nuk ke më kohë për t’i rikuperuar. Por, kjo është një ndeshje derbi, një ndeshje ku mund të ndodhë gjithçka.

Çfarë ka ndryshe derbi i këtyre kohëve nga ato që ju vetë keni përjetuar?

Derbi si në kohët para meje, si kur luaja unë, por edhe tani, mbetet ndeshja më kryesore e futbollit shqiptar. Për ndryshimet do të thoja që atëherë përjetohej sepse edhe vetë vëmendja dhe opinioni ishte i përqëndruar te futbolli. Sot kohët kanë ndryshuar pak sepse edhe televizonet, kampionatet e huaja kanë bërë të tyren, e normalisht që njerëzit kanë edhe zgjedhje të tjera që mund të ndjekin. Por, ndeshjet në “Air Albania”, prej fillimit kanë treguar se derbi e rikthen tifozerinë në stadium dhe të mbushë tribunat si në kohën tonë.

Në këto sezonet e fundit, ndoshta edhe për shkak të skuadrave që nuk kanë luftuar për titullin, derbi në tribuna sikur ka nisur të zbehet disi, si e gjykon këtë, vetëm për shkak të zgjedhjeve të shumta që kanë tashmë spektatorët, apo edhe për shkak të formulës që i përball skuadrat katër herë dhe ul paksa interesin?

Kjo vjen pak edhe sepse ne si natyrë populli apo tifozerie që nuk jemi shumë të qëndrueshëm në atë çfarë ndjekim në futboll. Në fillim kur u hap stadiumi i ri, ndoshta edhe kureshtja prej impiantit të ri, solli shumë spektatorë dhe tribunat ishin plot. Mbaj mend shumë derbe që kanë qenë me stadium të tejmbushur në kapacitet maksimal, njësoj siç ka qenë edhe për kombëtaren. Por, në dy apo tre vitet e fundit e kam vënë re këtë zbehje të tifozerisë, ka rënë pak interesi. Për mua qëndron më shumë fakti që është problem i ekipeve që nuk arrijnë dot që të sjellin tifozët në stadium.

Mungesa e kualitetit?

Mungesa e një derbi ku të dyja ekipet të synojnë titullin kampion, si Partizani dhe Tirana të jenë aty bashkë në krye duke luftuar për vendet e para dhe për titullin, për objektivat kryesorë. Për mua kjo është kryesore, sepse në dy-tre vitet e fundit, vetë klubet nuk kanë pasur stabilitet edhe mbi të tjerat, më e rëndësishmja është se në dy-tre vitet e fundit si Partizani dhe Tirana kanë ndërruar shumë trajnerë, shumë lojtarë dhe kjo do apo nuk do krijojnë oshilacione edhe te tifozët sepse nuk arrijnë të përqëndrohen tek lojtarët apo te bukuria që të jep derbi. Pra me pak fjalë, ndryshimet e shumta.

Cili është derbi i kryeqytetit që ju kujtoni më së shumti?

Unë kam luajtur shumë derbi sepse për fatin e mirë kur kam luajtur në Shqipëri kam luajtur me Tiranën gjashtë sezone dhe një periudhë të shkurtër edhe me Partizanin. I mbaj mend shumë derbi me Tiranën, shumë të bukur. Po ashtu edhe me Partizanin kam luajtur një derbi të vetëm kundër Tiranës, ka qenë një derbi shumë i bukur qoftë për fitoren 3-1, qoftë edhe për golin tim me goditje dënimi, që e mbajnë mend.

Lëvizjet e skuadrave në janar, Partizani transferoi një lojtar me eksperiencë si Qaka, Tirana nga ana tjetër riktheu Xhixhën, Ernest… Si të duken këto lëvizje?

Të dyja ekipet kanë bërë lëvizje në emergjencë për të plotësua sa më shpejt ato boshllëqe që dolën në pah gjatë dy fazave të para të kampionatit dhe të dyja kanë lëvizur shumë për hir të së vërtetës, qoftë Partizani ashtu edhe Tirana disi më tepër për të rikuperuar në kohë rekord ato që i duhen. Partizani ka bërë mirë me rikthimin e Valentino Muratajt gjithashtu një lojtar me shumë eksperiencë, ashtu si edhe Tirana me rikthimin e një elementi si Xhixha.

Po të shohim edhe rezultatet pak, Tirana krijoi stabilitet në fillimin e këtij viti me rezultatet pozitive, mori rezultate që i duheshin, por në dy ndeshjet e fundit ndaj Dinamos në kampionat dhe Kupë e shoh që u lëkund pak. Sigurisht duke pasur parasysh edhe Dinamon që kishte përballë, bëhet fjalë për një kundërshtar shumë të fortë. Partizani, ishte i lëkundur kur e nisi vitin, por me dy fitoret e fundit ndaj Bylisit në kampionat dhe Elbasanit në Kupë, u qetësua pak. Kështu që janë forcuar dhe kanë bërë llogaritë e tyre për të arritur ato objektiva që i kanë vendosur vetes.

Si të duken dy trajnerët Kërnaja te Partizani dhe Nuhiu te Tirana?

Kërnaja është një djalë i ri, një trajner i ri që ka shumë dëshirë dhe vullnet për të punuar. Për mua po bën një punë shumë të mirë, po jep gjithçka nga vetja e tij që nuk është e lehtë në një klub si Partizani që gjendesh papritur trajner i saj. Punon shumë dhe po i ecën, uroj që këtë rrugëtim që ka nisur t’i shkojë sa më mbarë, kam vetëm një këshillë humë dashamirëse për të. Të jetë më i qetë në daljet në intervista, më i ftohtë, pa krijuar kontradikta, të merret me punën e tij. Më pëlqen sepse kam qenë edhe vetë i ri në fillimet e mia si trajner, kështu që këtë këshillë do t’i jepja. Po punon shumë mirë, por të jetë më i qetë me daljet e tij, e kuptoj tensionin sepse e thashë që nuk është e lehtë të jesh papritur në krye të Partizanit, por që qetësia do t’i japë më shumë qartësi në atë që do të arrijë si trajner. Tek Tirana është e kundërta, është Nuhiu pavarësisht se edhe ai në një moshë relativisht të re, por ka pak më tepër eksperiencë sepse ka punuar edhe në Kosovë me ekipe që kanë synuar titullin kampion siç është Drita e Gjilanit apo edhe Shkëndija në Maqedoninë e Veriut. Kështu që Nuhiu e ka qetësinë dhe eksperiencën më të madhe se Kërnaja për të bërë mirë me Tiranën.

I përmendëm shpesh oshilacionet e Partizanit dhe Tiranës në sezonet e fundit, çfarë nuk shkon me menaxhimin te dy klubet e kryeqytetit?

Kjo është një pyetje që e dinë më mirë drejtuesit e të dyja klubeve, unë do të isha shumë i kënaqur që këto dy ekipe si Partizani ashtu edhe Tirana, se i kanë të gjitha kushtet, të jenë në krye të futbollit shqiptar dhe të jenë shembull si në kohën tonë, kur ishin shembull për ekipet e tjera. Sot, kohët kanë ndryshuar dhe tashmë shembull është Egnatia që atëherë nuk ishte fare në Superiore, kohët janë të ndryshme dhe prandaj e them që drejtuesit e këtyre klubeve duhet ta dinë më mirë këtë përgjigje. Në fakt, duhej të ishte e kundërta sepse drejtuesit e këtyre klubeve kanë shumë eksperiencë, po flas për presidentët. Aq më tepër Halili i Tiranës, që ka qenë nga 2004 që është në futbollin shqiptar dhe në krye të klubit, e nisi me donatorët dhe më pas i vetëm.

Besoj që ai duhet ta dijë më mirë pse klubit i mungon ky stabilitet, presidentët duhet të jenë më të qartë dhe të vendosin. Unë do të theksoja vetëm një fakt, kur ti vendos që të bashkëpunosh me një trajner, besoj që para se të vendosësh për të bashkëpunuar, duhet të ulesh dhe ta njohësh, ta kuptosh se çfarë lloji trajneri i duhet ekipit tënd. Unë mendoj që vetëm ata trajnerë që njohin kampionatin shqiptar dhe që njohin mentalitetin e këtyre dy ekipeve, mentalitetin fitues dhe mbi të gjitha që kanë qenë aty dhe e njohin rrugën e fitores, mund të bëjnë mirë dhe mendoj se vetëm ata janë një hap përpara për të krijuar këto skuadrat e mëdha që unë uroj të bëhen sa më shpejt.

Një parashikim për rezultatin në derbin e së dielës?

Edhe nëse do ta bëja një parashikim besoj se do të gaboja, në atë ndeshje mund të ndodhë gjithçka. Vetë fjala “derbi”, do të thotë se ndodh gjithçka, si ndeshja i ka të treja rezultatet. Unë mund të them vetëm që uroj dhe shpresoj që tifozët të kthehen apo të jenë sa më shumtë në shkallët e stadiumit, sepse ata janë bukuria e vërtetë e futbollit, aq më tepër në derbi.

Hera e fundit që Vllaznia fitonte kampionatin, ju ishit pjesë e shkodranëve…

A mendoni se në këtë sezon Vllaznia është në rrugën e duhur për titullin? E vërteta është se po bëhen 25-vite nga titulli i fundit për Vllazninë, atëherë edhe kur unë isha pjesë e skuadrës. Është një kohë relativisht shumë e gjatë prej kohës kur Vllaznia nuk rikthen dot titullin në Shkodër. Por, unë mendoj se vendimtare për Vllazninë do të jetë faza finale e kampionatit, pjesa e “Final 4”, aty do të bëhet diferenca.

Sepse Vllaznia pak a shumë me këtë ecuri do të jetë pjesë e “Final 4”, dhe po ta kujtojmë edhe në sezonin e kaluar, Vllaznia shkoi deri në finalen e “Final 4” për të fituar kampionatin. Nuk është se ndryshon shumë nga viti paraardhës dhe në këtë aktualin, e vetmja gjë që unë shikoj në këtë vit është që Vllaznia e nis shumë mirë, pati një oshilacion dhe tani po rikthehet te lojërat e mira dhe te rezultatet. Shikoj që ka një stabilitet, qoftë në klub ashtu edhe në drejtim, në pankinë dhe te lojtarët në fushën e lojës dhe e shoh disi më të fortë se ekipi i vjetshëm. Por, për ta fituar i duhet faza finale të jenë sa më deçizive dhe të mos gabojnë si vitin e shkuar.

Jam i kënaqur me Vllazninë se shoh që nga presidenti që ka bërë zgjedhjen e duhur, është emëruar Vioresin Sinani si drejtor sportiv, Edi Martini në rolin e trajnerit, Bekim Balaj është kapiten dhe më pas të gjithë lojtarët e tjerë. Dua të them që pak a shumë çdo gjë është në vendin e vetë te Vllaznia. Dhe kjo mund t’i çojë te titulli sepse Sinani ka dalë kampion me Vllazninë, Martini ka dalë kampionë, janë dy miq të mi shumë të mirë dhe ja uroj edhe atyre që të jetë viti i duhur që edhe ata të dalin kampionë edhe si drejtues me Vllaznië.

Keni qenë trajner në Kosovë tek Liria e Prizrenit, po tani ku mund ta shohësh veten? A je në pritje të një projekti?

Normalisht do të më pëlqente shumë sigurisht që maja e futbollit janë Partizani, Tirana, Vllaznia apo edhe Elbasani ku unë kam luajtur. Në fakt janë katër skuadrat me të cilat kam luajtur në Shqipëri dhe që i njoh mjaft mirë edhe në organikë. Por, siç e thashë që duhet një besim dhe një qetësi kur të vendosësh për një trajner. Jam shumë i bindur, apo më tepër më vjen keq që duke pasur këto kushte shumë të mira tashmë me stadiume dhe me klubet që kanë arritur ta rrisin nivelin e tyre, dhe që i kanë të gjitha kushte, mua do të më pëlqente që një nga këto ekipe t’i jepja eksperiencën time dhe t’i tregoja rrugën e duhur se si fitohen titujt dhe se si për më tepër hyn në Europë, në grupet e kompeticioneve europiane.

Kjo është diçka që i mungon klubeve shqiptare nga koha e Skënderbeut…

Po, fatkeqësisht vitet po ecin, po bëhen gati 10 vite dhe ne kemi ngelur akoma atë Skënderbeun e dikurshëm që luante në grupe. Më çudit ky fakt se si Tirana, Partizani, Vllaznia apo edhe tani Elbasani, apo Egnatia, nuk arrijnë dot që të futen në grupet e kompeticioneve europiane. Dua që të marr përsipër një projekt serioz dhe po pres për ofertën e duhur.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL