EKSKLUZIVE/ I mori 20 mijë euro Partizanit për 1 minutë, por fitoi 140 mijë euro për 5 ditë falë gjyqit në FIFA! Klubi përballet nesër në KAS me mesfushorin
Tifozët e Partizanit me siguri nuk do e kujtojnë aspak Amos Nondi Obiero, futbollistin nga Kenia, i cili firmosi me të kuqtë në verën e kaluar, e që tashmë është praktikisht i larguar nga të kuqtë. Një eksperiencë gjatë të cilës ai ishte në fushën e lojës vetëm për 1 minutë ndaj Egnatias, për t’u larguar më pas si pasojë e dëmtimeve të njëpasnjëshme.

Një eksperiencë që nuk do të kujtohet shumë nga të kuqtë, por gjatë të cilës Nondi la vendin tonë si milioner. Jo aq shumë nga rroga te Partizani, pasi aty paguhej vetëm 2 mijë euro në muaj, por nga një gjyq i bujshëm që ka fituar në FIFA për vetëm 5 ditë qëndrimi në Rusi.
Para se të firmoste te Partizani, Nondi kishte gjetur akordin me klubin rus të Neftekhimik. AI kishte firmosur deri në vitin 2027 dhe në 22 qershorin e vitit 2025, udhëtoi drejt Rusisë. Por vetëm 3 ditë më vonë, ai kishte ndërprerë kontratën me palën ruse me marrëveshje dypalëshe, duke u larguar nga atje më datën 27 qershor. Në të njëjtën datë, Nondi kishte ankimuar në FIFA prishjen e kontratës pa dëshirën e tij.
Ai kishte kërkuar dëmshpërblim të gjithë pagesat që i detyrohej klubi për prishje të njëanshme të kontratës, duke deklaruar se e kishin detyruar që të firmoste. Por ai kishte përdorur një rreng duke vendosur bashkë me firmën edhe një shenjë “nuk pranoj” në akord, siç e kishte dakordësuar më përpara me menaxherin e tij nëpërmjet mesazheve që duhej të paraqiste në FIFA.
FIFA në fund të gjyqit i ka dhënë të drejtë, duke mos i paguar shifrën e plotë pikërisht për faktin se Nondi kishte firmosur me Partizanin për 2 mijë euro në muaj që nga gushti 2025, duke detyruar klubin e Neftekhimik që t’i paguante rreth 140 mijë euro dëmshpërblim.
Klubi rus ka ankimuar vendimin e FIFA-s dhe këtë të mërkurë, palët do të paraqiten në KAS për të mbrojtur anën e tyre në këtë çështje që e bëri Nondin milioner pa pasur nevojë të luajë asnjë minutë. Vetë futbollisti është larguar prej kohësh nga Shqipëria dhe vetëm pret fundin e kontratës në 30 qershor me Partizanin, për ta quajtur të mbyllur edhe etapën e tij me të kuqtë, të cilëve u ka kushtuar gjithashtu rreth 20 mijë euro për atë minutë në fushën e lojës.
E.KUKA-PANORAMASPORT.AL













