EKSKLUZIVE/ “Hile” me rrogën, Tirana e Latifi drejt Prokurorisë
Verën e shkuar, Tirana dhe Liridon Latifi patën një “luftë” në distancë, teksa sulmuesi nuk pranoi të dilte në stërvitje me ekipin bardheblu. Edhe pse kishte marrëveshje, Latifi kërkoi të prishte para kohe kontratën me kryeqytetasit, e cila e mbante lidhur me Tiranën edhe për këtë vit.

Edhe 26 herë kampionët nuk “shpërndanin” ndonjë dashuri të madhe për anësorin. Palët diskutuan gjerë e gjatë, por nuk gjetën gjuhën e përbashkët. Rruga e vetme qe gjyqi, ndërsa lojtari çoi klubin Tirana në DHKZK dhe FIFA. Në fund të gushtit, Latifi u federua te Shkëndija, por me një leje të përkohshme nga FIFA, që të mos bllokonte transferimin e lojtarit. Pas shumë seancave, gjyqi mes bardhebluve dhe Liridon Latifit u mbyll me gjysmë marrëveshjeje, ku bardheblutë u detyruan që të paguanin disa detyrime dhe lojtari të dilte i lirë.
Situata pati edhe një kleçkë të vogël. Latifi, për të përfituar paratë nga kontrata me Tiranën, në FIFA dhe DHKZK flitet se ka paraqitur një marrëveshje me Shkëndijën, e cila ka më pak se 1000 euro rrogë, por ende e pakonfirmuar nga palët. Një veprim që e bëjnë të gjithë lojtarët, të cilët kanë konflikte me ish-klubet e tyre.
Tirana, ndonëse iu nënshtrua një verdikti të parë të DHKZK-së, duket se së fundmi ka zbuluar dhe disponon dokumente që vërtetojnë se Latifi te Shkëndija nuk e ka rrogën nën 1000 euro, por më shumë. “Panorama Sport” mëson se klubi bardheblu po vlerëson me kujdes, që këtë “hile” të vogël të ish-lojtarit të saj, ta përdorë në favor dhe ndaj këtij fakti të paligjshëm të bëhet kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës.
Një veprim që, nëse bëhet dhe prokuroria e gjykata e konfirmonin, do të mundësonte që “fitoret” e Latifit të bëheshin “nul” dhe të rihapej sërish një gjyq në DHKZK. Të shohim se çfarë do të ndodhë. Fakt është që tek Tirana kanë në sirtar kallëzimin penal, për atë që e ata e quajnë një “mashtrim” në dëm të klubit bardheblu.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













