EKSKLUZIVE/ Heshtja e Ilir Dajës, situatë e tensionuar te Dinamo në prag të derbit me Tiranën
Ilir Daja ishte mungesa e madhe e Dinamos në dy javët e para të kampionatit për shkak të dënimit që i dha Komisioni i Disiplinës, megjithatë në ndeshjen ndaj Teutës në kampionat, ai u rikthye në stol. para sfidës, Daja nuk doli në konferencë shtypi dhe diçka e tillë, ndoshta ishte e kuptueshme për vetë faktin se sa u rikthye nga dënimi, por Daja mungoi edhe para ndeshjes ndaj Bylisit pak ditë më parë.

Sikur të mos mjaftonte kjo situatë, Ilir Daja ka heshtur edhe para derbit ndaj Tiranës, një ndeshje ku për situatën ku ndodhet skuadra, është mjaft e rëndësishme për vazhdimësinë. Por, “Panorama Sport” ka mësuar se mosdalja e Dajës në media, ka një prapaskenë tjetër që lidhet me klubin.
Momenti i vështirë në të cilin ndodhet skuadra, ka bërë që në kampin blu të ketë edhe tension, e madje ka qenë vetë trajneri Daja ai që ka folur me tone shumë të ashpra ndaj skuadrës, ku nuk kanë munguar as kritikat e shumta dhe tensioni.
Diçka e tillë, me Dajën ka ndodhur edhe në të kaluarën dhe shpesh herë kur në klub e skuadër ka pasur tensione dhe situata të pakëndshme, trajneri ka refuzuar që të dalë në konferencë shtypi para ndeshjes. Sot, Dinamo përballet me Tiranën dhe mbetet të shihet se si do të vazhdojë situata e tij në daljet për mediat, pavarësisht rezultatit që mund të prodhojë fusha e blertë në derbin e kryeqytetit.
PANORAMASPORT.AL













