EKSKLUZIVE/ Gurishta merr zemër: Kualifikimi ndaj Elbasanit tregon karakter, Vllaznia lufton për të dy trofetë (E PLOTË)
Erdenis Gurishta ish te një nga protago nistët e kualifikimit të Vllaznisë me Elbasanin, ku mbrojtësi me një gol të shënuar i dha barazimin e shpejtë në 2-2 ekipit kuqeblu. Për “Panorama Sport” ai ka folur së fundmi në një intervistë duke treguar se ekipi e priste një ndeshje të vështirë ndaj verdhebluve.

Ndër të tjera ai thekson forcën e karakterit të ekipit shkodran e që skuadra do luftojë fort në të dyja frontet. Po ashtu, 29-vjeçari ka edhe një dedikim të veçantë për golin e ndërsa thekson se edhe në ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Laçit, skuadra kuqeblu shkon me synimin për fitore.
Gurishta, një kualifikim i vuajtur kundër Elbasanit apo jo?
Ne e kishim parashikuar një ndeshje të vështirë dhe shumë të fortë. Kjo sepse Elbasani luante ndoshta shanset e fundit për të kapur Europën nëpërmjet Kupës. E gjithashtu, pavarësisht se kanë pasur ulje dhe ngritje në kampionat, ata janë një ekip me cilësi dhe që të vënë në vështirësi. Besoj se ky kualifikim tregon forcë dhe karakter për ne, sepse në këtë ndeshje u përballëm me situata të ndryshme që i përballuam me sukses në fund.
Ishte edhe meritë e kundërshtarit që ndeshja shkoi deri në penallti?
Po, padyshim që ishte meritë edhe e kundërshtarit. Siç e thashë, Elbasani ka lojtarë të mirë dhe me cilësi e po ashtu një trajner plot eksperiencë. Jam i bindur që, nëse Elbasani do kalonte përballë nesh, ata do ishin pretendentë kryesor për fitimin e Kupës në fund.
Vllaznia e meritoi në fund?
Mendoj se e merituam kualifikimin në fund të gjithçkaje. Kundër Elbasanit nuk jemi mposhtur asnjëherë këtë sezon, si në Kupë, edhe kampionat. Pavarësisht se kemi zhvilluar ndeshje shumë të luftuar dhe të bukura në fushën e lojës, kemi marrë vetëm rezultate pozitive. Edhe kësaj radhe e ruajtëm këtë traditë pozitive.
Personalisht një ndeshje pozitive ku edhe shënove e po ashtu ishe i saktë te penalltitë. I kënaqur me veten?
Më vjen mirë që isha në vendin e duhur për të dërguar topin në rrjetë në atë moment. Skuadra ishte në disavantazh dhe besoj se ai barazim i shpejtë na riktheu shumë shpejt në lojë. Ndërsa te penalltitë isha shumë i qetë dhe i bindur se do shënoja, prandaj kërkova të godas i pari. Është gjithmonë kënaqësi kur jep kontribut në sukseset e ekipit.
Ndonjë dedikim për golin?
Ka disa javë që nusja më thotë duke qeshur: “Kur do shënosh gol për vajzën tone?”. E unë, duke qeshur, i thosha se do shënoja në momentin më të rëndësishëm, në “Final 4”. Kështu që këtë gol ia dedikoj vajzës sime 4 muajshe dhe besoj se nuk do jetë goli i fundit për këtë sezon.
Do të shkojë kjo skuadër deri në fund për të dyja kompeticionet?
Fillimisht, i rëndësishëm ishte kualifikimi në gjysmëfinale e tani presim të qetë shortin e Kupës. Patjetër ky sukses na jep një shtysë pozitive edhe në kampionat ku duam të jemi në ekipet e kreut. Shpresoj të vijojmë në këtë rrugë, me rezultatet positive, sepse ekipi i ka mundësitë për të përballuar të dyja kompeticionet deri në fund.
Sa mund të ndikojë te skuadra ky 120 minutësh për rikuperimin e forcave?
Sikur të ishim eliminuar, do ishte goditje e dyfishtë psikologjike dhe fizike. Ndeshjet janë shumë shpejt, por ky sukses i fundit na jep forcë dhe besim që gjithsecili prej nesh të jetë në formën maksimale në ndeshjen e radhës.
Ndeshja e radhës në kampionat me Laçin. Me çfarë objektivi paraqitet Vllaznia?
Është ndeshja e fundit e fazës së tretë dhe tani futemi në një zonë të “nxehtë” të kampionatit, sepse çdo ekip ka objektivat e tyre dhe do luftohet fort në çdo 90 minutësh. Laçi është një ekip i fortë dhe sidomos në fushën e tij, por objektivi ynë ngelet si gjithmonë fitorja. I dimë vështirësitë e ndeshjes, por ne duhet të jemi të përqendruar dhe të marrim maksimumin nga ky takim i radhës.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













