EKSKLUZIVE/ Gilman Lika: Vllaznia të mendojë vetëm titullin, në 90% të pozicioneve ka futbollistët më të mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2025 | 19:58

EKSKLUZIVE/ Gilman Lika: Vllaznia të mendojë vetëm titullin, në 90% të pozicioneve ka futbollistët më të mirë

Gilman Lika, ish-futbollist i Vllaznisë, ka folur së fundmi ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ish-mesfushori kuqeblu ka analizuar Superioren në fjalët e tij dhe në veçanti kuqeblutë.likaNë fjalët e tij, ishkapiteni kuqeblu thekson se skuadra ka bërë disa gabime, por të rikuperueshme. E ndërsa thekson se ky pushim do i bëjë mirë ekipit dhe se ka besimin se shkodranët mund të jenë kampionë të vendit në fund të sezonit.

Lika, si e keni parë fundin e këtij sezoni?
Të them të drejtën jam munduar të ndjek thuajse çdo detaj të futbollit shqiptar, për aq sa më ka lejuar koha dhe angazhimet e përditshme. Mund të them se gara duket e “egër” në të gjitha pozicionet. Pavarësisht se katër ekipet e para tashmë në syrin tim nuk diskutohen, sërish ka luftë për dy vendet e para. E ndërsa shumë e fortë duke gara për mbijetesën ku asnjë ekip nuk duket i dorëzuar, duke e bërë kështu shumë interesant këtë fund kampionati.

Ndonjë ekip që të ka suprizuar apo zhgënjyer?
Jo, nuk mund të them se jam surprizuar apo zhgënjyer nga ndonjë skuadër. Besoj se tabela e klasifikimit tregon vlerat reale të çdo skuadre, çdo gjë e shfaqur në fushë reflektohet edhe në renditjen e skuadrave.

Vllaznia, pse me këto luhatje?
Besoj se ndoshta ndeshjet e shumta kanë ndikuar në ecurinë e skuadrës. Po ashtu edhe dëmtimet e shpeshta që ka pasur ekipi dhe më vjen mirë që në periudhën më të vështirë të sezonit i janë rikthyer thuajse gjithë lojtarët. Prandaj uroj që ekipi të gjejë balancën e duhur në këto duele dhe të shprehet siç duhet në fushën e lojës.

Duket si e lodhur skuadra në syrin tënd?
Edhe skema e “Final 4” të duket se i shfaq ekipet e “lodhura”. Pse e them këtë, sepse ke mundësi të relaksohesh, jo çdo duel është një finale pasi Vllaznia tashmë i ka pikët që janë shumë të rëndësishme. Skuadrat ndoshta nuk i ka vlerësuar siç duhet të gjitha ndeshjet dhe mund të ketë pasur nënvlerësime. Që kanë ndikuar disi në ecurinë dhe performancën e ekipit, që e theksoj është brenda çdo objektivi të mundshëm.

Mund të jenë më të fortë kuqeblutë pas këtij pushimi?
Patjetër që po dhe jo vetëm për Vllazninë. Çdo ekip ka mundësi rifreskimi dhe të analizojë gabimet për t’i korrigjuar e po ashtu përmirësuar lojën. Them se me rikthimin në fushë ekipet do të kenë një marsh më tepër dhe do e shkelin deri në fund “gazin” për të arritur objektivat sezonalë.

Do preferoje kupën apo kampionatin?
Absolutisht që kampionatin, sepse kemi shumë vite që na mungon. Si unë dhe çdo shkodran tjetër do të donim fitimin e kampionatit pas 24 vitesh. Por pse jo të tentohet edhe kupa deri në fund, megjithëse nëse duhet të zgjedh, zgjedh gjithmonë fitimin e Superiores.

I ka kapacitet kjo Vllazni për titull?
E kam thënë edhe në intervista të tjera se kjo skuadër ka cilësi dhe kapacitet për gjëra të mëdha. Por të marrësh me emra futbollistët e Vllaznisë, thuajse në 90% të pozicioneve ka futbollistët më të mirë në vend. Kështu që unë besoj shumë tek titulli këtë sezon dhe nuk e shoh aspak të paarritshëm për Vllazninë në fund.

Dueli i radhës me Egnatian, mund të tregojë kjo ndeshje forcën e kuqebluve?
Është një duel ku Vllaznia përballë do të ketë në mendimin tim ekipin më të mirë të Superiores. Egnatia është rritur shumë në pjesën e dytë të sezonit dhe është pretendent për titullin. Vllaznia po ashtu duhet të tregojë vlerat e saj dhe cilësitë që ka në skuadër. Besoj se do të jetë një ndeshje për t’u shijuar dhe po e pres me kureshtje. Ku ashtu them se këto dy skuadra do të luftojnë deri në momentin final të sezonit.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL