EKSKLUZIVE/ “Ftoj tifozët në finale”, Qefalija: Jemi më të pjekur, Dinamo ka cilësi për titull

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2025 | 21:21

EKSKLUZIVE/ “Ftoj tifozët në finale”, Qefalija: Jemi më të pjekur, Dinamo ka cilësi për titull

Klevi Qefalija u rikthye titullar me Dinamon në ndeshjen e fundit ndaj Partizanit, aty ku skuadra e tij fitoi me rezultatin 1-3. Megjithëse nuk shënoi, mesfushori zhvilloi një ndeshje shumë të mirë me blutë e kryeqytetit, duke qenë një nga lojtarët më të spikatur.

QEFALIJA

Qefalija foli pas ndeshjes për “Panorama Sport”, ku u shpreh i lumtur për suksesin dhe u shpreh i bindur se Dinamo ka kualitetin për të fituar titullin.

Klevi, fitore në derbi kundër Partizanit. Si ndiheni?

Ndihemi shumë mirë. Ishte një fitore jashtëzakonisht e rëndësishme për ekipin, sidomos duke qenë se bëhej fjalë për një derbi që ka gjithmonë një peshë dhe emocion të veçantë. Kjo fitore na jep shumë besim, na rrit moralin dhe na motivon edhe më tepër për vazhdimësinë e sezonit dhe për ndeshjet që kemi përpara.

Dy fitore me përmbysje në ndeshjet e fundit. Çfarë ndryshon në pjesën e dytë?

Ne nuk dorëzohemi kurrë dhe nuk e ulim ritmin në asnjë moment të ndeshjes. Edhe kur pësojmë gol, besimi mes nesh mbetet i njëjtë dhe vazhdojmë të luajmë lojën tonë. Ky besim te njeri-tjetri dhe karakteri i ekipit na kanë ndihmuar ta kthejmë rezultatin dhe ta marrim maksimumin në ndeshjet e fundit.

Këtë sezon ke shënuar 2 gola. Çfarë presim nga Qefalija në vazhdim?

Gjithmonë mundohem të jap maksimumin për ekipin, jo vetëm përmes golave, por edhe në aspektin e lojës dhe punës që bëj në fushë. Do të vazhdoj të punoj fort për të shënuar dhe asistuar edhe më shumë, në mënyrë që të jem sa më i vlefshëm për skuadrën dhe të kontribuoj drejtpërdrejt në arritjen e objektivave.

Si e konsideron këtë sezon në aspektin personal deri në këtë moment?

Deri tani sezoni ka qenë pozitiv, por gjithmonë ka vend për përmirësim dhe ka hapësirë për të dhënë edhe më shumë. Dëmtimet e shpeshta këtë sezon më kanë penalizuar dhe më kanë ndërprerë vazhdimësinë, por tani ndihem mirë fizikisht dhe jam i përqendruar të jap maksimumin.

A jeni gati të luftoni për titull këtë sezon?

I kemi të gjitha mundësitë për të luftuar dhe për të arritur objektivin. Grupi është shumë i mirë, i bashkuar dhe ambicioz, me lojtarë që besojnë te njëri-tjetri. Puna e përditshme, përkushtimi dhe dëshira për t’u përmirësuar do të jenë çelësi për të shkuar deri në fund dhe për të realizuar synimet tona.

Shpesh herë janë bërë rotacione në mesfushë. Me kë ndihesh më mirë?

Ka shumë cilësi në çdo repart të ekipit, përfshirë edhe mesfushën. Ndihem shumë mirë me të gjithë shokët e skuadrës, sepse secili ka karakteristikat e veta dhe i jep diçka ekipit. Kushdo që luan jep gjithmonë maksimumin dhe brenda fushës mundohemi të ndihmojmë njëri-tjetrin në çdo moment.

Çfarë ka ndryshuar Dinamo e këtij sezoni nga sezonet e shkuara?

Ekipi është më i pjekur dhe më i qëndrueshëm, pasi është ruajtur pothuajse i gjithë grupi dhe njohja mes lojtarëve është edhe më e madhe. Afrimet e reja janë përshtatur shumë mirë me ekipin dhe me filozofinë e lojës, gjë që na jep më shumë siguri dhe besim për të ecur përpara.

Ju pret finalja e Superkupës. A ke mesazh për tifozët?

Finalja është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe do të kërkojë maksimumin nga të gjithë. Përballë do të kemi Egnatian, një skuadër cilësore, dhe pritet të jetë një ndeshje e bukur dhe e luftuar. I ftoj tifozët të jenë sa më të shumtë për të na mbështetur, sepse prania e tyre na jep forcë dhe motivim për të shkuar drejt fitores.

ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL