EKSKLUZIVE/ Flamurtari “ngec” te yjet, por priten pesë goditje. Drejtuesit vlonjatë po kontrollojnë tregun ballkanas për…
Flamurtari “ngec” te yjet. Në fund të vitit që lamë pas, Flamurtari “ndezi” Vlorën me lajme të bujshme merkatoje, duke rikthyer shpresën për qëndrimin në elitë. Emra të rëndësishëm të futbollit shqiptar u përfolën si afrime të mundshme, duke krijuar optimizëm te tifozët dhe ambienti sportiv në qytet.
Sokol Cikalleshi ishte një prej tyre, teksa 35-vjeçari mbërriti në Vlorë dhe u takua edhe me presidentin Sinan Idrizi, ku u diskutua për një bashkëpunim të mundshëm. Megjithatë, me ardhjen e janarit, entuziazmi u shua dhe konkretizimet mungojnë. Cikalleshi, i cili numëron 60 ndeshje me fanellën e Kombëtares shqiptare dhe 13 gola të shënuar, do të ishte një alternativë ideale për repartin ofensiv, ku aktualisht mungon një sulmues me eksperiencë dhe peshë. Pavarësisht se së fundmi ka luajtur në Turqi, ai ka një karrierë të pasur edhe në kampionatin shqiptar me skuadra si Besa, Skënderbeu, Tirana dhe Kukësi.
Në Vlorë u përfol gjithashtu edhe emri i Armando Sadikut, një tjetër futbollist i Kombëtares, i njohur për instinktin e tij para portës. 34- vjeçari ka një karrierë të pasur ndërkombëtare, veçanërisht në Zvicër dhe Spanjë, ndërsa aktualisht është pjesë e Bellinzonës në Zvicër. Nga futbolli shqiptar është larguar shumë herët, teksa aventurat e para i ka pasur me Turbinën Gramozin dhe Elbasanin. Por për momentin, si pista Cikalleshi ashtu edhe ajo Sadiku kanë mbetur thjesht në “letër”. Burime pranë klubit bëjnë me dije se Flamurtari është ende larg arritjes së një marrëveshjeje me dy lojtarët dhe gjasat janë që këto pista të sfumohen. Nuk bëhet fjalë për mungesë fondesh, pasi drejtuesit janë të gatshëm financiarisht, por duket se situata aktuale e skuadrës dhe objektivat sportive nuk i bindin plotësisht futbollistët për një rikthim në Superioren shqiptare.
MERKATO – Flamurtari, deri në këtë fazë të merkatos dimërore, nuk ka prezantuar ende asnjë afrim zyrtar, një situatë që ka shtuar pikëpyetjet dhe padurimin te tifozët kuqezinj. Edhe pse klubi ka qenë aktiv në prapaskenë, konkretizimet mungojnë dhe koha po kalon në dëm të skuadrës, e cila ka nevojë urgjente për përforcime për të përballuar pjesën e dytë të sezonit. Burime pranë klubit kanë bërë të ditur për “Panorama Sport” se drejtuesit po punojnë për afrimin e 4-5 futbollistëve të rinj, të cilët pritet të jenë elementë me eksperiencë dhe të gatshëm menjëherë për formacionin. Prioritet absolut mbetet reparti i mbrojtjes, ku Flamurtari ka shfaqur luhatje të theksuara, si edhe sulmi, ku mungon një lojtar që garanton gola dhe merr përgjegjësi në momentet kyçe.
Strategjia e klubit duket se është e përqendruar kryesisht në tregun e huaj, ku po vlerësohen disa alternativa nga Europa Lindore dhe Ballkani, por edhe nga kampionate më fizike, që përshtaten me kërkesat e Superiores. Stafi teknik ka dorëzuar listën e emrave të preferuar, ndërsa drejtuesit po negociojnë kushtet financiare dhe kontraktuale për të arritur marrëveshje sa më të favorshme për klubin. Megjithatë, çdo ditë që kalon pa afrime konkrete e vështirëson misionin e Flamurtarit për të dalë nga zona e rrezikut. Merkatoja e vonuar mund të ndikojë edhe në aspektin psikologjik të skuadrës, duke shtuar presionin mbi grupin aktual. Në Vlorë shpresojnë që ditët në vijim të sjellin lëvizjet e para zyrtare, në mënyrë që Flamurtari të hyjë i përforcuar në fazën vendimtare të kampionatit.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













