EKSKLUZIVE/ Festoi me shqiponjë pas golit me kombëtaren e tij, Isgandarli: Respekt për Shqipërinë, 100% gati për Partizanin (E PLOTË)
Sulmuesi i Partizanit, Vusal Isgandarli ish te protagonist me kombëtaren e Azerbajxhanit. 30- vjeçari, ishte i grumbulluar me përfaqësuesin e tij në eventin “Fifa Series”, të cilin në fakt Azerbaxhani e fitoi.
Isgandarli ishte protagonist pasi në fitoren 6-1 ndaj Santa Luçias shënoi një gol të bukur me kokë ndërsa festoi edhe me shqiponjë, ndërsa në finale ndaj Sierra Leones, u tregua i saktë në serinë e penalltive duke iu gëzuar kështu trofeut të parë në historinë e Azerbaxhanit.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, Isgandarli zbuloi edhe arsyen e festimit me shqiponjë, ndërsa theksoi se gëzon një respekt të jashtëzakonshëm për Shqipërinë. Ndër të tjera, në këtë intervistë, Isgandarli foli edhe për ambiciet me Partizanin. Azeri, u shpreh se të kuqtë janë një klub që historia i detyron të luftojnë për titullin kampion, ndërsa shtoi se ai është në formën maksimale dhe gati 100% për të dhënë më të mirën me kryeqytetasit në këtë moment vendimtar të sezonit.
Si ishin këto ditë me kombëtaren , çfarë ndjesie ishte të fitoje një trofe me Azerbaxhanin?
Kalova dhjetë shumë të këndshme në grumbullimin me kombëtaren, edhe në stërvitje u ndjeva shumë mirë. Patëm disa seanca stërvitore shumë të mirë që ia vlejtën në fund sepse fituam trofe. Ishte trofeu i parë në histori për kombëtaren e Azerbaxhanit dhe kjo për mua ishte shumë speciale.
Shënove një gol me kokë në ndeshjen ndaj Santa Luçias, e po ashtu dhurove edhe një asist në të njëjtën ndeshje. Më pas në finale ndaj Sierra Leones u tregove i saktë në goditjet e 11-metërshave, sa vlera kanë të gjitha këto kontribute me kombëtaren?
Patjetër që është një ndjesi shumë e këndshme sepse bëhet fjalë për kombëtaren dhe çdo kontribut aty është shumë i rëndësishëm, aq më tepër kur gjen edhe rrugën e rrjetës. Por, në këtë mes dua të falenderoj edhe trajnerët dhe stafin te Partizani sepse këto arritje të miat, janë edhe për meritë të tyre. Po ashtu falenderoj edhe shokët e skuadrës te Partizani. Isha në një formë shumë të mirë dhe të kisha mundësinë që të kontribuoja në këtë formë për kombëtaren ishte një ndjenjë krenarie për mua.
Ndërkohë, golin e shënuar me Azerbaxhanin e festove duke bërë gjestin e shqiponjës, përse ky festim? Je shumë i lidhur me Shqipërinë?
Po, jam shumë i lidhur me Shqipërinë dhe gëzoj një respekt të jashtëzakonshëm për vendin. Kur shënova në ndeshjen ndaj Bylisit, festova si një ushtarak dhe e gjithë skuadra më mbështeti. Tani ky festim me shqiponjë ishte mënyra ime për t’ua kthyer të gjithë atë respekt që ata shfaqën për mua.
Cili është objektivi i radhës me kombëtaren, shpreson që të grumbullohesh edhe për ndeshjet e Nations League?
Të shohim… Patjetër që shpresoj të grumbullohem, por përpara janë ndeshjet me Partizanin dhe më duhet të bëj mirë aty si fillim, të marr ndeshje pas ndeshje. Para ndeshjeve të Nations League, kombëtarja ka edhe dy miqësore të tjera pas muajit maj dhe unë shpresoj që të jem sërish i grumbulluar. Por, siç e theksova duhet të vazhdoj dhe të bëj mirë fillimisht me Partizanin.
Tani rikthehesh te Partizani dhe para është ndeshja me Vllazninë që në këtë sezon ende nuk e keni mposhtur…
Beson se mund të fitoni këtë herë? Tani përqëndrimi im maksimal është te Partizani dhe shpresoj që t’ia dalim që të përmbushim objektivat. Për këtë, tre pikët ndaj Vllaznisë janë shumë të rëndësishme dhe shpresoj t’ia dalim me sukses para tifozerisë sonë për të marrë maksimumin.
Skuadra aktualisht është në vendin e katërt, por a e ka forcën Partizani për të tentuar më shumë?
Shpresoj shumë që pikë së pari të kualifikohemi në “Final Four”. Por, më duhet të them se ne jemi Partizani, një klub që gjithnjë ka synime madhore në kampionat, e sigurisht që edhe titulli i shkon historisë sonë, ndaj ne do të luajmë për gjithçka. Çdo ndeshje është e rëndësishme, kemi edhe shtatë finale dhe më pas do të bëjmë llogaritë.
Para se të largoheshit drejt Azerbaxhanit, vuanit një dëmtim të lehtë, është gjithçka në rregull tani?
Po patjetër, tani gjithçka është në rregull. Ai problem i vogël është lënë pas dhe unë jam 100% gati për Partizanin. Ndjehem mirë dhe dua të jap gjithçka për klubin në këtë moment deçiziv të sezonit.
EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL













