EKSKLUZIVE/ Engjëll Hoti: Partizani u dobësua, nuk i lufton dot rivalët direkt. Senatorët e larguar nuk u zëvendësuan… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 16, 2025 | 10:12

EKSKLUZIVE/ Engjëll Hoti: Partizani u dobësua, nuk i lufton dot rivalët direkt. Senatorët e larguar nuk u zëvendësuan… (E PLOTË)

Në vitet e fundit futbollistët e kampionatit tonë nuk mendojnë shumë sa u përket trofeve, por si të ikin sa më shpejt jashtë vendit.engjell hotiVetëm Engjëll Hoti i ka bërë të dyja. “Dardani” erdhi nga Llapi te Tirana në 2021-shin dhe fitoi titullin kampion, teksa një sezon më pas e përsëriti të njëjtin sukses me fanellën e Partizanit. Këtë arritje vështirë ta ketë realizuar dikush të paktën në 35 vitet e fundit. Këtë sezon ai është pjesë e Umraniesporit në Ligën e Parë turke, ku ka lënë shenjë me dy gola dhe dy asiste në 26 ndeshje. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, Hoti flet për klubin dhe veten, para se të analizojë ecurinë e Superiores, në veçanti të Partizanit, ku ishte më së shumti protagonist.

Engjëll, si po ju shkon aventura me Umraniespor në Turqi?

Aventura në Turqi po shkon mirë, është një ligë mjaft e fortë dhe me shumë konkurrencë. Skuadrat kanë në përbërje lojtarë shumë cilësorë. Ne jemi një ekip që lufton për një vend në “playoff” për ngjitjen në Superligë dhe nëse ia arrijmë, do të jem i kënaqur me ekipin dhe me veten.

Keni qëndruar dy sezone dhe keni fituar dy tituj në Shqipëri. E mendoni një rikthim të mundshëm në Shqipëri?

Për të qenë i sinqertë, për momentin nuk e mendoj rikthimin në Superiore. Mendoj se jam në gjendje të bëj disa sezone të mira në liga më të forta, por një ditë besoj se mund të ndodhë. Nuk i dihet.

E keni ndjekur ndopak Superioren? Kush ju duket ekipi më i fortë?

E kam ndjekur herë pas here. Në Superiore ekipi më i fortë më duket Egnatia. Ka organikën më cilësore dhe është skuadra më e strukturuar.

Partizani ka pasur probleme në javët e fundit. Mendoni se largimet e janarit kanë ndikuar direkt në këtë situatë?

Normalisht që kanë ndikuar shumë. Kanë qenë lojtarë të rëndësishëm, që kanë luajtur për disa vite me Partizanin dhe është shumë e vështirë për të gjetur të tjerë me cilësitë të ngjashme me ta.

Ju keni luajtur me të katërt të ikurit. Kush mendoni se ia ndjen më shumë mungesën Partizani?

Të gjithë kanë qenë të rëndësishëm në rolet që kanë mbuluar. Do të veçoja Hadrojn, që ishte shumë i rëndësishëm në mbrojtje, por kishte edhe shumë aksione përpara. Mba gjithashtu ka qenë një sulmues me fizik tejet të fortë, që ndihmonte edhe në mbajtjen e topit. Sidomos Rrapaj në mesfushë, por edhe Cara ka dhënë kontribut të madh gjatë këtyre viteve te Partizani

Si ju duket kjo skuadër aktuale e të kuqve? Besoni se kanë forcën e duhur për të mposhtur tre rivalët e tjerë të katërshes?

Partizani në dy vitet e fundit ka humbur lojtarë shumë të rëndësishëm dhe nuk ka mundur t’i zëvendësojë me lojtarë po aq cilësorë. Kjo më shtyn të mendoj se nuk është në nivelin e duhur për të konkurruar me ekipet e tjera, që synojnë të njëjtat objektiva.

Në stol është ulur sërish Abilaliaj. Mendoni se e ka eksperiencën e duhur për të kthyer ekipin te titulli kampion?

Për Abilaliajn të them të drejtën nuk kam informacion rreth aftësive apo punës që ai bën si trajner apo drejtor. Në momentin kur unë isha te Partizani, nuk ishte. Por të gjithë jemi të mendimit se një trajner me eksperiencë është gjithnjë mirë ta kesh në krye të stafit.

Tirana duket në vështirësi të mëdha. Mendoni se do të arrijë të mbijetojë?

Më vjen keq për Tiranën, është një klub shumë i madh në Shqipëri dhe nuk është aspak mirë për futbollin shqiptar që një emër i tillë të bjerë në ligën e dytë për nga rëndësia. Shpresoj që të mbijetojë.

Si një futbollist nga Kosova që ka luajtur në Shqipëri dhe ka lënë shenjë, çfarë mendimi keni për çështjen “Bruti”?

Unë mendoj se gjithsecili është i lirë të bëjë zgjedhjet e veta. Ne jemi një komb, Kosova dhe Shqipëria janë një. Kështu që, nëse Kosova ka pasur mundësi ta thërrasë dhe nuk e ka bërë dhe lojtari ka shkuar te Shqipëria, është një vendim që i takon vetëm lojtarit.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL