EKSKLUZIVE/ “Ekipi ka pësuar disa ndryshime me Martinin”, ish-kapiteni Tafili analizon paraqitjen në Europë: Ja çfarë i duhet Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2025 | 8:50

EKSKLUZIVE/ “Ekipi ka pësuar disa ndryshime me Martinin”, ish-kapiteni Tafili analizon paraqitjen në Europë: Ja çfarë i duhet Vllaznisë

Alsid Tafili, ish-kapiteni i Vllaznisë ka folur së fundmi në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”.

tafili

Shkodrani u ndal te performanca e kuqebluve në Europë, duke theksuar se ekipi dha gjithçka nga vetja e tij, e ndoshta ishte disi e pafat për eliminimin në Islandë. Ndër të tjera ish-mesfushori komenton edhe përshtatjen e ekipit me idetë e Martinit dhe gjithashtu edhe merkaton se ku mund të përforcohet skuadra.

Tafili, një Vllaznia luftarake, por që nuk ia doli në fund për kualifikimin, të gjithë në Shkodër më pak të gëzuar apo jo?

Të them të drejtën nëse do të më pyesje para zhvillimit të ndeshjes nuk e mendoja se do të shkonte në atë mënyrë. Loja ishte e hapur deri në minutat e fundit dhe kualifikimi u duk shumë pranë. Prandaj them se na la ndoshta një shije të “hidhur” ai eliminim i Vllaznisë në fund, por futbolli i tillë është.

Mund të bënte diçka më tepër skuadra në Islandë?

Mendoj se kur pëson disa gola dhe pas rezultatit pozitiv në Shkodër diçka nuk shkon. Sidomos në aspektin e mbrojtjes, ku skuadra u ndëshkua disa herë shumë lehtë. Vllaznia po tentonte ta gjente golin me “dhunë”, por duke pësuar shumë lehtë mbrapa. Ndoshta në minutat e fundit repartet duhej të ishin më të ngjeshura mes tyre për të mos lejuar aq hapësira për kundërshtarin, i cili po ashtu gëzon një formë të mirë fizike, sepse është në aktivitet.

Dukej se ekipi ishte i vendosur mirë, por ishin goditjet standarde që e goditën…

Unë them se trajneri i kishte marrë masat për të markuar siç duhet në standarde. Edhe në Shkodër, Vikinguri shënoi po në të njëjtën mënyrë, ajo është pika më e fortë e tyrja. Por, ndonjëherë edhe pse i merr masat shumë për një skemë apo mënyrë loje të caktuar sërish ndoshta nuk është e mundur të dalësh me sukses 100%.

Keqardhje që turi i tretë ishte vetëm 5 minuta larg?

Patjetër, pasi mendoj si nga ana financiare apo edhe ajo morale, ky kalim turi do e ndihmonte shumë ekipin. Sepse unë mendoj që disa futbollistë që ka Vllaznia janë me të vërtetë me peshë në Superiore. Dhe kjo do të jepte një motivim shtesë edhe në nisje të edicionit të ri, pa harruar edhe tifozët dhe ambientin e futbollit në Shkodër. Që besoj se do gëzonte pa masë një arritje që mund të ishte historike.

Keni besim tek ky ekip në prag të sezonit të ri në Superiore?

Mund të them se ekipi vetëm do vijë në rritje në opinionin tim. Përshtatja e futbollistëve do jetë më e mirë me kalimin e javëve në kampionat dhe besoj de do kemi një Vllazni të fortë dhe kompetitive për vendet e para të renditjes.

Mendon se Martini tashmë i ka tejçuar gjitha idetë e tij te skuadra tashmë?

Ekipi ka pësuar disa ndryshime me Martinin në stol dhe besoj se këto janë evidente dhe kërkoheshin prej kohësh nga skuadra. Agresiviteti dhe grinta e futbollistëve po shfaqet, ndryshe nga sa kishte ndodhur në sezonet e shkuara, ku ekipi ishte më i “butë”. Po ashtu performanca ka ardhur në rritje që nga ndeshja e parë zyrtare kundër Daugavpils dhe besoj se do rritet akoma me kalimin e kohës.

Merkato ende e hapur, ku duhet të synojë përforcimet kjo Vllazni?

Unë mendoj se Vllaznia ka nevojë për një “uinger” që luan në krah dhe një futbollist që luan pas sulmuesit. Edhe pse skuadra luan kryesisht 3-5-2, gjatë sezonit mund të ketë interpretime të tjera të lojës dhe unë them se lojtarë me të tilla tipare mund ta ndihmojnë shumë skuadrën drejt sukseseve.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL