EKSKLUZIVE/ “E njoh forcën e ekipit”, Kërnaja: Ta nisim fazën finale me fitore, Partizani luan për objektiva madhorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2026 | 8:24

EKSKLUZIVE/ “E njoh forcën e ekipit”, Kërnaja: Ta nisim fazën finale me fitore, Partizani luan për objektiva madhorë

Partizani luan sot në orën 15:00 në transfertë ndaj Vorës, me të kuqtë që do të startojnë kështu fazën e katërt dhe të fundit të kampionatit. Kryeqytetasit do të tentojnë të vijojnë me ecurinë pozitive të javëve të fundit, sidomos tashmë kur skuadra ka prekur vendin e katërt dhe kërkon me patjetër të mbajë këtë pozicion që garanton pjesëmarrjen në “Final Four”.kernajaaNë lidhje me këtë ndeshje të javës së 28-të të Kategorisë Superiore, në një intervistë për “Panorama Sport”, foli trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja. Tekniku i të kuqve, theksoi se pret një ndeshje të fortë me Vorën, nisur edhe nga përballjet e kaluara të këtij sezoni ndërsa shtoi se vorakët luajnë mirë në shtëpinë e tyre. Ndër të tjera, Kërnaja u shpreh se skuadra e tij po kalon një moment të mirë si në aspektin fizik dhe atë psikologjik ndërsa shtoi se pavarësisht arritjes në vendin e katërt, vetë emri i Partizanit e shtyn ekipin që të pretendojë edhe më tepër nga ky sezon.

Si është gjendja e skuadrës? Në ndeshjen e fundit kishit probleme me Qakën e Isgandarli, edhe Skuka nuk është në më të mirën, do jenë gati për Vorën?

Gjendja e ekipit është e mirë. Si Skuka, po ashtu edhe Isgandarli e Qaka janë stërvitur rregullisht me grupin. Skuadra është paraqitur shumë mirë këto ditë gjatë seancave stërvitore, si në anën fizike, ashtu edhe në atë psikologjike dhe është gati për ndeshjen e radhës.

Ndeshjen e kaluar ndaj Vorës e humbët në fund, si e prisni takimin e radhës kur më tepër përballen edhe dy skuadra me objektiva të ndryshme?

Të them të drejtën, Vora është një ekip shumë i fortë sidomos në shtëpinë e tyre, kanë humbur pikë me episode si me Dinamon, ashtu edhe me Elbasanin. Ndeshjet mes Partizanit dhe Vorës kanë qenë shumë të luftuara në këtë sezon, ndoshta ne kemi qenë më mirë në zotërimin e topit dhe rastet e krijuara, por rezultatet kanë shkuar në favor të Vorës herën e fundit. Për ne, Vora është ndeshja e radhës dhe shumë e rëndësishme për objektivat tona.

A mendoni se do ndjehet më shumë presioni tani te skuadra për të ruajtur vendin e katërt?

Ne jemi të vetëdijshëm për forcën e ekipit tonë, nuk mund ta quaj presion, por përgjegjësi për të arritur sa më lart në renditje dhe për të realizuar objektivat që kemi vendosur.

Zhvilluat një fazë të tretë gati perfekte, çfarë pret në fazën e katërt dhe ku duhet të përmirësohet më shumë skuadra?

Kemi bërë fazë të tretë të mirë, por nuk mund ta quaj perfekte sepse e kemi nisur me tre rezultate negative, si humbja me Vorën. Këtë do mundohemi ta ndryshojmë, ta nisim fazën e katërt dhe finale të kampionatit me fitore për të vijuar ecurinë pozitive.

Sa ndikon në këtë fazë të sezonit menaxhimi i grupit dhe rotacioni i lojtarëve, duke qenë se çdo ndeshje tashmë merr një peshë të veçantë për objektivat e skuadrës?

Tek Partizani gjithmonë e kemi theksuar se kryesore është forca e grupit, nuk mbështetemi tek individi, por secili lojtar që është aktivizuar ka dhënë maksimumin duke dhënë më të mirën e vet, për t’i shërbyer grupit dhe skuadrës.

Ju ishit i pari që besonit se skuadra mund të arrinte vendin e katërt, tani që jeni aty, a beson se mund ta çosh skuadrën edhe më sipër? A është fjala titull e ndaluar për Partizanin në këtë sezon?

Është vetë emri i ekipit që të bën të luftosh për t’u renditur sa më lart në tabelën e klasifikimit. Unë kam besuar dhe besoj tek këto djem, se ndryshe nga të tjerët që flasin nga jashtë, unë jetoj me këta djem, i shoh se si stërviten dhe sa dëshirë kanë të ecin përpara.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL