EKSKLUZIVE/ “Dinamo e ndërtuar për kampione”, trajneri Bespalla: Futbollistët shqiptarë duhet të ndryshojnë mentalitetin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2025 | 12:20

EKSKLUZIVE/ “Dinamo e ndërtuar për kampione”, trajneri Bespalla: Futbollistët shqiptarë duhet të ndryshojnë mentalitetin

Nëse Dinamo është në një moment të vështirë, e kundërta po ndodh me Dinamon U19 pasi në dy javët e para të kampionatit ka arritur të marrë dy fitore, teksa synim për këtë sezon, është që të jenë pretendent. Diçka të tillë, trajneri Justin Bespalla e konfirmoi në intervistën për “Panorama Sport”, teksa u ndal edhe te skuadra e parë e Dinamos si edhe te Superiorja, ku foli për pretendentët e këtij sezoni.

justin bespalla

Justin, 2 fitore në 2 ndeshjet e para në kampionat. Çfarë synon Dinamo U19 këtë sezon? Dinamo synon që të jetë një ndër ekipet pretendente këtë kampionat. Detyra jonë është që ndeshjet t’i marrim një e nga një dhe këto futbollistë ta kuptojnë që, me seriozitet, me stërvitje dhe me dëshirë, çdo gjë është e arritshme.

Keni punuar me ekipin e të rriturve dhe tani me U19. Cili është ndryshimi që ndjeni si trajner? Kam punuar edhe me ekip të rriturish edhe me ekip të rinjsh. Ndryshimi i vetëm është që në ekip të parë ka ritëm më të lartë, janë lojtarë më të pjekur. Këtu gjej rastin t’i bëj thirrje të gjithë futbollistëve të rinj në të gjithë Shqipërinë që të ndryshojnë mentalitet e mos ta quajnë vetën të vegjël por lojtarë të ekipit të parë. Kështu, edhe stërvitjen duhet ta bëjnë me ritëm dhe intensitet të lartë njësoj si ekipi i parë vetëm kështu do ecin përpara, pra kurrë mos ta ndjejnë veten inferior.

Sa e vështirë është të punosh me të rinjtë? Të punosh me të rinjtë nuk ka asnjë vështirësi, por vetëm kënaqësi. E vetmja vështirësi për mendimin tim, është rrënjosja e mendimit që futbollistët e rinj duhet të mendojnë dhe të stërviten si profesionistë njësoj siç stërviten lojtarët e ekipit të parë. Nëse ky mentalitet ndryshon, do kemi pjesëtarë të ekipit parë shumë lojtarë të rinj pse jo edhe të formacionit bazë.

Sezonin e fundit, është miratuar rregullorja e re me të huajt. A ju ndikon? Çdo rregullore që bëhet, bëhet për të mirën e futbollit, për ta ndihmuar atë sepse shumë ekipe nuk kanë mundësi të plotësohen me lojtarë të rinj dhe shpëtimi i vetëm ngelet tregu i huaj. E citova edhe më lart se futbollistët e rinj shqiptarë, nëse stërviten me dëshirë, me pasion dhe me seriozitet do arrijnë majat e futbollit sepse kanë vërtet pontencial dhe detyrimisht edhe opsioni i lojtarëve të huaj do të venitet.

A është e vështirë për ju si trajner U19 duke menduar se klubet e elitës synojnë tregun e huaj? Në këtë situatë nuk ka vështirësi sepse edhe presidentët e klubeve synimin kryesor, e kanë të nxjerrin lojtarë të rinj shqiptarë, lojtarë që i kanë pjesë të akademive të tyre.

Ndërkohë Dinamo A ka 1 fitore në 4 ndeshje. Çfarë nuk po shkon? Dinamo ka 4 pikë në katër ndeshje dhe problemi i vetëm për mua është një ngërç psikologjik i lojtarëve që besoj se do të kalojë shpejt dhe Dinamo do shkojë aty ku i takon, e aty ku është projektuar në vendin e parë.

Çfarë duhet ndryshuar? Mendoj se e vetmja gjë që duhet ndryshuar në këtë moment, është qetësia mendore dhe qetësia emocionale sepse rezultatet do të vijnë shumë shpejt dhe për këtë jam i bindur.

Ku mendon se e mbyll sezonin këtë vit? Dinamo është projektuar këtë vit për të qenë kampionja e Shqipërisë dhe kam besim të plotë se diçka e tillë, është mëse e arritshme. Me mbështetjen e pronarit te klubit, presidentit Ardian Bardhi klubit i janë plotësuar te gjitha kushtet si teknike ashtu dhe financiare, natyrisht ne çdo drejtim.

Si e sheh Superioren? Cilat janë favorite? Superiorja ka pasur rritje të vazhdueshme. Vit pas viti është bërë një kampionat i fortë dhe me rivalitet dhe për mua, favoritë për titullin kampion janë Dinamo, Egnatia, Vllaznia dhe Elbasani.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL