EKSKLUZIVE/ Bersheni: Martini po kthen ADN-në e Vllaznisë, ndryshimet te stafi kanë sjellë frytet (E PLOTË)
Nga Greqia, për “Panorama Sport” ka folur ekskluzivisht, Lulzim Bersheni. Ish-futbollisti i Vllaznisë ka komentuar ecurinë e Superiores deri në këto momente, duke u ndalur veçanërisht tek kuqeblutë.
Të cilët në sytë e ish-fantazisitit kanë bindur, por jo ende aty ku dëshiron ai. Pasi Bersheni thekson se kjo skuadër ka mundësi për akoma më tepër dhe të dhurojë një futboll emocionues. Ndër të tjera ai është i kënaqur që ekipi po luan me një mentalitet sulmues dhe po ashtu ndan edhe një mendim për ndeshjen e radhës ndaj Elbasanit.
Si i analizoni këto 5 javë të kampionatit shqiptar në përgjithësi?
Nuk është se kam pasur mundësi të shoh thuajse të gjitha ndeshjet, por nga sa kam parë skuadrat ende po gjejnë ritmin e tyre. Shumë prej ekipeve kanë pasur ndryshime nga sezoni i shkuar dhe patjetër i duhet kohë të gjejnë kiminë e futbollistëve. Nuk besoj se ende kemi parë ndonjë nivel të lartë, përjashto ndonjë ndeshje të caktuar. Po ashtu do të theksoja se mungesa e tifozëve në stadiume iu ul edhe bukurinë dueleve në fushë.
Vllaznia sipas syrit tuaj, ka bindur?
Deri më tani ekipi i Vllaznisë ka ecur mirë, ka bërë një start shumë pozitiv të sezonit. Por, ende ka nevojë për disa “rregullime” dhe për të bindur totalisht dhe 100%. Ne në Shkodër nuk kënaqemi me pak (qesh). Përtej shakasë them se skuadra ka dhuruar futbollin më të mirë në kampionat deri më tani, por unë ende pres më tepër.
Ka ndryshuar diçka tek shkodranët në krahasim me sezonet e shkuara?
Them se grinta, dëshira për të luajtur futboll sërish dhe dhuruar emocione. Kjo si meritë kryesore e Martinit dhe stafit aty në përgjithësi. Mendoj se ndryshimet e bëra në fund të kampionatit në staf kanë rezultuar shumë të suksesshme dhe duheshin bërë me kohë. Megjithatë më mirë vonë se kurrë dhe kjo ka ndikuar shumë pozitivisht tek gjendja sportive, por edhe psikologjike e futbollistëve me sa shihet nga larg
Duket se është rikthyer disi ai stili sulmues…
Kjo më pëlqen shumë, Vllazni që s’ka frikë të sulmojë dhe dominojë. Ashtu siç ka bërë në gjithë historinë e saj, e ka thënë edhe më parë, duket se po rikthehet në AND-ën e saj origjinale. Duke dhuruar futboll sulmues dhe të pëlqyeshëm, ashtu siç e kërkojnë të gjithë në Shkodër. Një ekip që hedh në fushë 5-6 futbollistë me tipare sulmuese shikohet qartë se çfarë mentaliteti kërkon të paraqesë në fushën e lojës.
Dueli i fundit me Vorën, skuadra u duk disi më e kujdesshme apo jo?
Nuk kaloi shumë në aventurë për të marrë 3 pikët, por Vllaznia kontrolloi gjithë takimin duke rrezikuar shumë pak në portën e saj. Përjashto ndonjë moment gjatë lojës që patjetër ndodh. Megjithatë ekipi duhet të jetë i kujdesshëm dhe jo gjithmonë të sulmojë me shumë forca dhe lërë zbuluar prapavijën. Kësaj radhe m’u duk sikur e kishin interpretuar në këtë mënyrë lojën, ku ky ndoshta ishte takimi me më pak “shkëlqim” i Vllaznisë deri më tani. Por, ajo që është më e rëndësishme, fitorja, ishte në krahun e kuqebluve.
-Çfarë mund të presim më tepër nga kjo skuadër?
Pres absolutisht një rritje akoma më tepër të nivelit sepse këtë edicion aty ka shumë futbollistë cilësorë. Ata duhet të bëjnë diferencën në bashkëpunim e grupin sigurisht sepse i vetëm nuk arrihet asgjë. Kjo skuadër ka mundësi për shumë më shumë dhe ta shtojë gazin çdo javë. Po ashtu dua të shoh përmirësime në mbrojtje dhe ekipi të jetë pak më i kujdesshëm pavarësisht se loja sulmuese ka deficitet e saja.
Është Vllaznia pretendentja kryesore për titullin këtë edicion?
Drejtuesit e klubit kanë ndërtuar një skuadër që besoj se në letër është shumë e fortë dhe pretendente. Janë afruar futbollistë me CV shumë të pasur për një objektiv që them se është titulli. Është ende herët për të folur pasi ka ende shumë javë dhe punë përpara, prandaj duhet shikuar si shkon kampionati. Megjithatë Vllaznia duket qartazi se nuk trembet dhe në çdo ndeshje futet për 3 pikët, ky fakt e bën automatikisht pretendente për titullin kampion.
Dueli i radhës ndaj ekipit kryesues të Elbasanit, si e parashikon dhe mendon?
Do të jetë besoj prova e vërtetë e Vllaznisë deri në këto momente, ku përballë do të ketë një ekip shumë serioz. Mbrojtja më e mirë me sulmin më të mirë dhe do të jetë shumë interesante dhe për t’u shijuar. Por, në shtëpinë e saj dhe me tifozët në krah, them se Vllaznia do të arrijë fitoren e radhës dhe kapë kreun e renditjes së kampionatit.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













