EKSKLUZIVE/ Befasuese, Tirana “troket” te portieri që erdhi në vitin e pandemisë
Tirana është në kërkim të një portieri dhe pista kryesore të çon te një emër i njohur për ambientin bardheblu. Burime pranë klubit bëjnë me dije se drejtuesit e lartë të KF Tiranës kanë kontaktuar ish-portierin e skuadrës, Visar Bekaj, për ta rikthyer sërish në Shqipëri.

Gardiani i Kosovës, i cili së fundmi ishte pjesë e një klubi në Turqi, aktualisht është pa skuadër, çka e bën të mundshme një marrëveshje në këtë fazë merkatoje. Tirana kërkon të forcojë repartin e portës dhe profili i Bekajt shihet si një alternativë e sigurt, duke qenë se ai njeh mirë realitetin bardheblu. Bekaj ka qenë më parë pjesë e Tiranës, ku ka lënë gjurmë me paraqitjet e tij dhe ka kontribuar në fitimin e një kampionati dhe një Superkupe të Shqipërisë.
Kjo e bën rikthimin e tij një opsion të natyrshëm për drejtuesit, të cilët synojnë të shtojnë eksperiencë në skuadër. Gjithsesi, situata mbetet ende në kuadër të merkatos, pasi më herët mes palëve ka pasur edhe përplasje, madje çështja ka përfunduar edhe në gjyq. Pavarësisht kësaj, kontakti i fundit tregon se të dyja palët janë të hapura për të gjetur një gjuhë të përbashkët dhe për të mbyllur një kapitull të vjetër në funksion të një rikthimi të mundshëm. Në ditët në vijim pritet të qartësohet nëse ky interes do të konkretizohet në marrëveshje, apo nëse Tirana do të ndjekë pista të tjera për portën.
TURQIA – Portieri i Kombëtares së Kosovës, Visar Bekaj vendosi të largohej nga klubi turk Hatajspor. Bekaj kishte kontratë deri në qershor të vitit 2026 me klubin, por vendosi që të shkëpus me marrëveshje. Visar Bekaj konfirmoi largimin e tij nga skuadra turke nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, duke e falenderuar për vitet e kaluara tek Hatajspor.
“Faleminderit Hatajspor për dy vitet e gjysmë të kaluara! Ka qenë nder të luaj për këtë stemë dhe të ndaj fushën me shokë skuadre të shkëlqyer. Falënderime të veçanta për tifozët dhe stafin e trajnerëve për mbështetjen e tyre gjatë gjithë kohës time këtu. I uroj klubit gjithë të mirat në të ardhmen”, shkruante ai. Kujtojmë që Visar Bekaj iu bashkua Hatajsporit në vitin 2023, duke bërë 39 paraqitje për skuadrën që garon në ligën e parë të Turqisë.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













