EKSKLUZIVE/ Bajroviç, vendimtar për Tiranën ndaj korçarëve: Gol i rëndë, kam pritur të luaj më shumë! Tani të mundim Teutën (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 17, 2025 | 22:24

EKSKLUZIVE/ Bajroviç, vendimtar për Tiranën ndaj korçarëve: Gol i rëndë, kam pritur të luaj më shumë! Tani të mundim Teutën (VIDEO)

Të marrësh përsipër të godasësh një penallti në fund për një skuadër si Tirana që i ka jetike pikët, nuk është e lehtë. Admir Bajroviç duket se është i mësuar të marrë përgjegjësi mbi supe dhe këtë bëri ditën e djeshme përballë Skënderbeut.

Bajroviç dhe Prengaj pas golit

Bajroviç dhe Prengaj pas golit

Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport” pas ndeshjes, sulmuesi i bardhebluve pohon se kjo fitore ishte shumë e rëndësishme për vazhdimësinë, teksa pret një tjetër rezultat pozitiv ndaj Teutës këtë javë. Edhe pse nuk ka luajtur shumë minuta këtë sezon, 29-vjeçari pohon se i mjafton një minutë në fushë për të dhënë maksimumin për skuadrën. Nuk ka objektiva personalë, ndërsa mendon se në Shqipëri është një ligë e fortë me talente dhe lojtarë cilësorë që zgjedhin të luajnë në vendin tonë.

Sa e rëndësishme ishte kjo fitore për ju?

Kjo fitore erdhi në një moment kyç për të gjithë ekipin, ku kërkonim tri pikët. Ky ishte vetëm një hap i vogël, sepse kemi shumë vështirësi që do të na vijnë përpara. Duhet të vazhdojmë të bëjmë atë që bëmë sot(dje), të fitojnë.

Patët emocione te penalltia?

Sigurisht, gjithnjë ka emocion. Por, nuk është penalltia ime e parë që godas dhe për më tepër në një moment të vështirë për ekipin tim. Për këtë arsye përpiqem që të rri shumë i qetë dhe të bëj atë që mundohem gjithnjë, të shënoj gola.

I jeni larguar disi fundit, është një ogur i mirë për vazhdimësinë?

Më e rëndësishmja është që ne duhet të vazhdojmë të fitojmë. Për këtë mendojmë për momentin.

Ndeshja e radhës më Teutën, shpresoni të shënoni sërish?

Patjetër që po, por më e rëndësishmja nuk është shënoj unë apo jo. Më i rëndësishëm është ekipi dhe të marrim tri pikët. Ashtu si sot (dje) edhe kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme.

Katër gola deri më tani, çfarë objektivash personalë keni?

Nuk kam luajtur aq shumë sa pretendoja në fillim, por gjithmonë dua të ndihmoj ekipin si të luaj një minutë apo dhjetë. Gjëja më e rëndësishme është që ekipi të bëjë mirë dhe nga kjo mund të vijnë edhe rekordet personale. Por, parësorja është që ekipi të bëjë mirë.

Si të duket futbolli shqiptar në krahasim me kampionatet e tjera?

Është një kampionat shumë i mirë me talente të reja. Për të marrë një shembull, sot (dje) Mihana dhe Vogli e ndihmuan shumë ekipin, duke na dhënë një dorë të madhe për të fituar. Po ashtu, kemi edhe shumë lojtarë të tjerë të rinj të talentuar në ekip. Liga është shumë e fortë dhe shumë lojtarë të mirë vijnë të luajnë këtu.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL