EKSKLUZIVE/ Alivoda: Europa e arritur për Vllazninë, është radha e trofeve. Futbolli në Emirate, më i shpejtë se i Superiores (E PLOTË)
Rejan Alivoda, tashmë pjesë e futbollit të Emirateve të Bashkuara Arabe në radhët e Itihad Kalba, ka folur së fundmi ekskluzivisht për “Panorama Sport”.
Mesfushori ka rrëfyer për këtë eksperiencë dhe diferencat me Superligën. Ndër të tjera shkodrani është ndalur edhe te kampionati shqiptar dhe veçanërisht Vllaznia. Sipas ish-futbollistit të kuqebluve, skuadra këtë sezon, pavarësisht luhatjeve, ka shanse të mëdha për fitimin e titullit kampion.
Rejan, si po shkon ky sezon në Emirate për ju?
Mendoj se ka qenë një sezon përshtatjeje, sepse nuk është aspak një kampionat i lehtë, siç mund ta mendojë dikush. Ka shumë konkurrencë, me ekipe shumë mirë të përgatitura. Kam qenë titullar thuajse gjatë gjithë kohës dhe ndihem shumë mirë. Kam besimin e të gjithëve, por patjetër duhet të bëj më mirë dhe të përmirësohem më shumë çdo herë.
Cila është diferenca me kampionatin shqiptar?
Këtu ka një ritëm tjetër, është futboll më i shpejtë dhe dinamik. Në Shqipëri ndoshta është një futboll më fizik dhe me përplasje, ndërsa në Emirate preferohet një stil më elegant i futbollit. Kjo, edhe për shkak të trajnerëve të shumtë të huaj që kanë ardhur dhe kanë dhënë eksperiencën e tyre në futbollin e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Mund të jetë Itihad Kalba një trampolinë për ju?
Patjetër që po, sepse nga ky kampionat ka pasur lëvizje të bujshme. Unë duhet të punoj shumë që të realizojmë objektivat së bashku me ekipin. Pastaj, të mendohet për lëvizje të tjera në të ardhmen, së cilës asnjëherë nuk i dihet.
Keni pasur mundësi ta ndiqni Superioren, si ju janë dukur skuadrat?
Jam munduar ta ndjek në përgjithësi kampionatin. Nuk është se kam parë surpriza, sepse kanë fituar ato ekipe që pretendojnë dhe që po udhëheqin. Kampionati ka qenë shumë i fortë, i rivalizuar dhe besoj se do të shohim të tjera ndeshje të forta deri në fund të tij
Po Vllaznia në veçanti?
Vllazninë e ndjek çdo herë, sepse është ekipi i zemrës së çdo shkodrani. Skuadra është brenda objektivave, tashmë me sigurimin thuajse 100% të Europës. Po ashtu, ekipi ka kaluar në gjysmëfinale të Kupës dhe pretendente në kampionat. Pavarësisht se gjithmonë ka vend për të bërë më mirë, kuqeblutë më duken në rrugën e duhur dhe uroj të kenë suksesin në përfundim!
Pse nuk ka ecur ekipi me ritmin që pritej?
Ndoshta lodhja e periudhës së fundit apo ndryshimet e shpeshta në formacion. Megjithatë, edhe skuadrat e tjera kanë pasur ndalesa si Vllaznia, prandaj edhe nuk janë aq të shkëputura në krye të tabelës. Gjithçka do të ngelet e hapur deri në minutën e fundit të kampionatit, sepse diferencat janë të vogla.
Mund të jetë skuadra kampione në fund?
Vllaznia ka disa nga lojtarët më të mirë në vend në përbërje. Skuadra duhet të tentojë deri në fund titullin dhe besoj se i ka mundësitë. Vitin e shkuar ne u eliminuam në gjysmëfinale të “Final 4” e ndërsa këtë sezon e shoh ekipin më të fortë për t’i arritur deri në fund kompeticionit.
Kuqeblutë do të ndeshen me Egnatian këtë mesjavë, si e parashikon?
Është një ndeshje për t’u shijuar nga të gjithë. Do të jenë dy nga ekipet më cilësore përballë dhe pres të shijojmë një ndeshje të bukur. Patjetër që dëshiroj një fitore të Vllaznisë dhe unë mendoj se ekipi merr një rezultat pozitiv në këtë
ENDRI ÇINARI -PANORAMASPORT.AL













