EKSKLUZIVE/ Aleksi-Egnatia nuk ka marrëveshje, në mes janë futur paratë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2025 | 19:00

EKSKLUZIVE/ Aleksi-Egnatia nuk ka marrëveshje, në mes janë futur paratë

Egnatia gjendet në një minikrizë këto javë të fundit, pasi ka sigluar humbjen e tretë radhazi.aleksiNjë situatë jo e zakonshme për kampionët, të cilët këto dy sezone nuk janë ndodhur ndonjëherë në këtë gjendje. Me vetëm tri pikë larg Vllaznisë dhe Dinamos, rrogozhinasit kanë vënë në rrezik vendin e parë, por edhe të dytë, ndaj kërkohet menjëherë kthesa në sfidën e radhës, atë me Skënderbeun në shtëpi. Ngushëllimi i vetëm është që e kanë siguruar prej kohësh një vend në “Final 4” dhe për këtë arsye kanë nisur të bëjnë llogaritë për skuadrën që do të kenë në kupat e Europës dhe sezonin e ardhshëm. Në njëfarë mënyre kjo situatë i ka vënë në gjendje “gjumi”, duke bërë që të mos marrin dot as rezultatet në fund.

ALEKSI – Një nga investimet që Egnatia po ia merr frytet, ka qenë afrimi i Albano Aleksit. Mesfushori erdhi në radhët e rrogozhinasve para dy sezonesh dhe vitin e parë fitoi titullin kampion, kupën dhe superkupën si protagonist në fushë, ndërsa në të njëjtën rrugë janë edhe këtë vit. Mirëpo, me mbarimin e këtij sezoni mbaron edhe kontrata mes palëve dhe nëse nuk do të ketë rinovim mes tyre, rrugët do të ndahen. Burime të “Panorama Sport” pohojnë se palët janë ulur për të biseduar për rinovimin e saj, por nuk po gjendet gjuha e përbashkët. Mesfushori kërkon një përmirësim të termave financiarë të kontratës, duke parë edhe performancën dhe kontributin e tij në skuadër, duke u kthyer në një lider. Mirëpo, për momentin, në kampin rrogoshinas nuk ia plotësojnë dot kërkesat dhe gjërat kanë mbetur pezull. Aleksi ka kontratë deri më 30 qershor, duke vënë kështu në rrezik edhe qëndrimin e tij për kupat e Europës. Gjithsesi, burimet pohojnë se bisedimet do të vijojnë, sepse në vija të përgjithshme dëshirs e të dyja palëve është të vijojnë bashkëpunimin edhe për të paktën një sezon.

KËRKESAT – Prej disa sezonesh, 32-vjeçari është ndër më të mirët në rolin e tij në futbollin shqiptar dhe ofertat në drejtim të mesfushorit nuk kanë munguar. Duke ditur situatën e tij me rrogozhinasit, ku i mbaron kontrata në fund të sezonit, kanë ardhur sinjalet e para nga skuadra të tjera të Superiores, të cilat janë të gatshme të bëjnë edhe një sforco ekonomike për ta afruar. Megjithatë, mbetet për t’u parë sesi do të vijojnë gjërat, por duket se për Egnatian nuk do të jetë e lehtë që ta mbajë mesfushorin në radhët e saj edhe për këtë sezon.

V. MEMA-PANORAMASPORT.AL