“Ekipi i paplotësuar, s’mund të flasim për Superioren”. Ahmetaj: Flamurtarin e zgjodha me zemër, por zgjati pak
Flamurtari ishte një zgjedhje zemre për Alesandro Ahmetajn. Gjasat janë që e ka mbyllur aventurën si kuqezi, por që mbetet e paharruar. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Ahmetaj rrëfehet për gjithçka.

Për mesfushorin momenti më i bukur ishte goli që shënoi në ndeshjen kundër Besës. Më i vështiri ishte fundi i kampionatit kur u vendos në diskutim ngjitja dhe që nuk iu dha mundësia të tregonte veten. Mesfushori zbulon se ka ofertat për sezonin e ardhshëm, si nga Shqipëria, ashtu edhe nga Italia.
Ahmetaj, ku gjendesh tani dhe me çfarë po merresh?
Aktualisht gjendem në Itali, në Rimini, afër familjes. Kam filluar stërvitjen individuale këtu afër shtëpisë.
Je kontaktuar nga Flamurtari?
Jo, nuk kam pasur asnjë kontakt nga Flamurtari që pas mbylljes së sezonit të fundit.
Keni një ide se ku do ta vijoni karrierën?
Për sa i përket së ardhmes, nuk dihet ende se ku do të vijojë karriera ime futbollistike. Kam pasur bisedime me disa ekipe në Itali dhe në Shqipëri, por ende asgjë konkrete.
Si ishte aventura jote te Flamurtari?
Ishte një aventurë e shkurtër dhe plot me emocione.
Çfarë përjetimi ndryshe nga skuadrat e tjera patët te Flamurtari?
Duke pasur rrënjët si vlonjat, të qrnurit pjesë e Flamurtarit ishte një kënaqësi e madhe.
Si mendon se do të paraqitet skuadra në Superiore?
Nuk mund të flasim se si do jetë paraqitja në Superiore, sepse ekipi nuk është kompletuar akoma. Gjithsesi, shpresoj dhe i uroj Flamurtarit të arrijë çdo objektiv që ka si synim.
Cili ishte momenti më i bukur apo i vështirë në Vlorë?
Momenti më i bukur ishte goli që shënova ndaj Besës. Për sa u përket momenteve më të vështira ishe fundi i kampionatit, ku arritëm të vinim në diskutim hyrjen direkt në Superiore dhe që nuk arrita të kisha një minutazh të konsiderueshëm për të treguar veten. Erdha në Vlorë duke bërë një zgjedhje me zemër, pasi fitova tri kupa dhe eksperiencat europiane me Egnatian.
Ishte e lehtë apo e vështirë Kategoria e Parë ku luajtët?
Kategoria e Parë nuk është aspak e thjeshtë. Terrenet, duelet dhe taktikat janë ndryshe nga Superiorja.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL













