Egnatia synon kthimin te fitoret, Bylisi si “magazinë pikësh” në kampionat
Egnatia e ka nisur sezonin e ri në Superiore larg asaj që pritej nga një skuadër që dy vitet e kaluara u bë histori me sukseset e saj. Vetëm 1 pikë e grumbulluar nga 6 të mundshme është një bilanc i zbehtë, që ka sjellë jo pak diskutime e tension në kampin rrogozhinas. Problemet e paraqitjes, mungesa e qartësisë në lojë dhe sidomos rezultatet e dobëta e kanë bërë të domosdoshme një reagim të shpejtë, përndryshe ekipi rrezikon të hyjë në një spirale negative që është e vështirë të përmbyset.

SHANSI I MADH, BYLISI – Dhe për ironinë e fatit, pikërisht Bylisi shfaqet përballë si rivali i radhës. Një kundërshtar që vitin e kaluar nuk i solli aspak probleme Egnatias. Përkundrazi, skuadra e Tetovës u tregua absolute ndaj ballshiotëve, duke fituar të katër përballjet direkte dhe duke marrë plot 12 pikë nga 12 të mundshme. Ky precedent është arma më e fortë morale për djemtë e drejtuar nga stafi aktual, të cilët e dinë se përballë kanë një ekip të vështirë, por jo të pathyeshëm.
Kur një skuadër ka fituar të gjitha ndeshjet e sezonit të kaluar kundër një rivali të caktuar, kjo nuk është rastësi. Është tregues i një përballje ku raportet kanë qenë gjithnjë në favor të saj. Egnatia ka në dorë këtë traditë për ta kthyer në motivim shtesë. Loja është e hapur, sepse Bylisi ka ambiciet e veta, por rrogozhinasit e dinë që në fushë duhet të zbresin me bindjen e një ekipi që ka dominuar më parë dhe që mund ta bëjë sërish.
FITORJA SI OKSIGJEN – Një sukses në Ballsh do të ishte më shumë sesa tre pikë. Do të ishte oksigjeni i munguar i këtij fillimi sezoni, një lloj “restarti” që do ta fuste skuadrën në shinat e duhura. Vetëm një fitore mund të shuajë problemet që janë shfaqur dhe t’i japë Egnatias qetësinë për të parë më gjatë drejt kampionatit. Ky është edhe mesazhi që jepet brenda grupit: “Duhet patjetër fitore”.
Përndryshe, çdo rezultat tjetër do të thellonte krizën dhe do të sillte një atmosferë të padëshiruar, në një kampionat që nuk fal. Takimi në Ballsh nuk është vetëm për tre pikë. Ai është një test karakteri, një provim force dhe një përgjigje ndaj kritikëve. Do të shihet nëse Egnatia e këtij sezoni është në gjendje të rikthejë menjëherë dinamikën e vitit të kaluar apo do të mbetet peng i problemeve të brendshme. Për momentin, rruga e shpëtimit duket se kalon vetëm nga një rezultat pozitiv kundër Bylisit.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













