Egnatia, suksesi kalon nga “bërthama” e plotë. Kampionët kanë edhe përvojën e duhur për në Europë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2025 | 8:14

Egnatia, suksesi kalon nga “bërthama” e plotë. Kampionët kanë edhe përvojën e duhur për në Europë

Pas shpalljes për herë të dytë radhazi si kampione e Shqipërisë, Egnatia tashmë është përqendruar tërësisht te ndeshjet e raundit të parë kualifikues në Ligën e Kampionëve.egnatiaShorti i ka vënë përballë një skuadër të kalueshme si kampionët islandezë të Breidablik dhe për të besuarit e Edlir Tetovës pritshmëritë janë të mëdha. Klubi nga Rrogozhina nuk kërkon thjesht një paraqitje simbolike, por synon të bëjë një rrugëtim sa më të gjatë në arenën ndërkombëtare. Për këtë arsye, stafi teknik dhe drejtuesit i kanë besuar grupit të lojtarëve me përvojë, që i dinë mirë pritshmëritë dhe presionin e ndeshjeve të mëdha. Sfida e parë do të luhet më datë 8, në “Arena Egnatia”, ku do të kërkohet që të vihet një dorë te kualifikimi. Në Europë këtë sezon Egnatia vjen me disa “armë plus”, që Tetova shpreson t’i ketë në favor përballë Breidablik.

BËRTHAMA – Ndryshe nga shumë ekipe shqiptare që përballen me lëvizje të shumta në merkato pas një sezoni të suksesshëm, Egnatia ka zgjedhur rrugën e qëndrueshmërisë. Bërthama e skuadrës është ruajtur, me theks te lojtarët me peshë në dhomat e zhveshjes dhe në fushën e lojës. Pikërisht kjo vazhdimësi është një nga armët e forta të rrogozhinasve në duelet ndërkombëtare që i presin. Praktikisht, te titullarët që do të ketë Egnatia në Europë, bie në sy prezenca e Kastriot Selmanit që zëvendësohet “kokë më kokë” me Arbin Zejnullain. E gjithë pjesa tjetër e titullarëve nuk ndryshon nga ajo që është përdorur kryesisht gjatë gjithë sezonit që lamë pas.

PËRVOJA – Diferenca në ndeshjet europiane shpesh nuk bëhet vetëm nga cilësia, por nga eksperienca në menaxhimin e momentit. Kjo është një tjetër arsye pse Egnatia i ka varur shpresat te lojtarët që e kanë kaluar këtë rrugë më parë. Të gjithë i kanë provuar emocionet e Europës dhe kanë mbi supe një eksperiencë të mjaftueshme për të bërë edhe më mirë në Europë. Bëhet fjalë për elementë që garantojnë qetësi dhe balancë në situata të vështira. Një nga asetet kryesore të Egnatias në këtë fazë është sulmi. Janë tre futbollistë aktualë, të cilët kanë gjetur rrjetën në Europë. Regi Lushkja është lojtari më në formë deri tani, me 3 gola dhe 1 asist, duke treguar qartësisht se është gati për të marrë rolin e liderit në fazën ofensive. Në krah të tij, Kastriot Selmani dhe Fernando kanë regjistruar secili nga një gol dhe një asist në ndeshjet e tyre në Europë. Mbetet për t’u parë nëse do të lënë edhe këtë sezon shenjë në Europë me ekipin e Egnatias.

AMBICIA – Egnatia nuk po e fsheh aspak ambicien. Skuadra ka udhëtuar drejt Europës me besim të plotë në forcat e veta dhe me synimin për të përfaqësuar denjësisht kampionatin shqiptar. Me një grup të harmonizuar, një staf teknik të qëndrueshëm dhe një sulm që po gjen formën në kohën e duhur, Egnatia është gati për të shkruar një tjetër faqe të lavdishme në historinë e saj. Klubi kampion ka ndërtuar një identitet të fortë lojtarësh që besojnë te njëritjetri dhe te filozofia e trajnerit, duke reflektuar maturi dhe profesionalizëm në çdo aspekt. Kjo përgatitje dhe ky unitet brenda grupit janë sinjale të qarta se Egnatia nuk është në Europë për të bërë figurë, por për të lënë gjurmë dhe për të vazhduar rritjen si një skuadër me qëllime afatgjata.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL