Egnatia nuk dorëzohet, objektivi titull dhe Kupa në horizont

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2026 | 18:12

Egnatia nuk dorëzohet, objektivi titull dhe Kupa në horizont

Egnatia vijon të ndjekë me këmbëngulje dyshen e kreut, Vllaznia dhe Elbasanin, duke mbetur vetëm dy pikë larg tyre në renditje. Edhe pse javët e fundit nuk kanë qenë në nivelin e pritur, sidomos duke marrë parasysh situatën e vështirë që skuadra po kalon për shkak të dënimeve dhe mungesave, rrogozhinasit nuk janë dorëzuar dhe mbeten plotësisht në garë për titullin kampion.

EGNATIA

Në një kampionat të luftuar deri në detaje, çdo hap fals mund të rezultojë vendimtar. Për Egnatian, ndeshja ndaj Bylisit përfaqëson një mundësi të artë për të rikuperuar terren, sidomos nëse rivalët direkt hasin vështirësi në përballjet e tyre, të cilat konsiderohen më të forta në këtë fundjavë. Megjithatë, fokusi kryesor mbetet te marrja e maksimumit në fushë, përpara se të hedhin sytë nga rezultatet e të tjerëve. Paralelisht me kampionatin, Egnatia mbetet një pretendent serioz edhe në Kupë, ku ka siguruar një vend në gjysmëfinale dhe do të përballet pikërisht me Elbasanin.

ECURIA E 10 JAVËVE – Në analizën e 10 javëve të fundit, vihet re qartë një rënie e ndjeshme e formës së Egnatias, e cila ka lënë pas shumë pikë në krahasim me rivalët direkt. Nga 30 pikë të mundshme, skuadra ka arritur të grumbullojë vetëm 14, një tregues jo edhe aq i keq, por që mbetet pas me rivalët. Në krahun tjetër, Vllaznia dhe Elbasani kanë shfrytëzuar më mirë këtë periudhë, duke mbledhur respektivisht 20 dhe 19 pikë, çka u ka dhënë mundësinë të bëjnë parakalimin në renditje.

Ndërkohë, performanca më e mirë i takon Partizanit, që ka grumbulluar 21 pikë në të njëjtën periudhë, duke konfirmuar një formë shumë të mirë, edhe pse pa ndikuar drejtpërdrejt në pozicionin e Egnatias në krye. Këto shifra tregojnë qartë se rrogozhinasit kanë humbur ritmin në momentin më delikat të sezonit. Megjithatë, diferencat në renditje mbeten të vogla dhe çdo gjë është ende e hapur. Trajneri Edlir Tetova dhe skuadra e tij duhet të reagojnë menjëherë, duke ndryshuar “marsh” në javët e mbetura për të rikthyer besimin dhe për të synuar sërish vendin e parë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL