Egnatia, në Vorë me misionin për të marrë fronin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 14, 2026 | 8:44

Egnatia, në Vorë me misionin për të marrë fronin

Egnatia i ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes që do të kenë sot me Vorën në transfertë. Pritet që Tetova ta ketë të plotë ekipin dhe të hedhë në fushë lojtarët më në formë.EGNATIANë Rrogozhinë e kanë të qartë se ndaj Vorës nuk është thjesht një ndeshje radhe për Egnatian. Është një mundësi konkrete për të marrë kreun e renditjes, qoftë edhe për 24 orë, duke marrë parasysh që Vllaznia me Elbasanin do të luajnë ditën e nesërme mes tyre. Rrogozhinasit synojnë një fitore për t’u dërguar një mesazh të qartë rivalëve në garën për titull.

Tri pikët ndaj Vorës do ta ngjisin skuadrën në majë, duke e vendosur presionin mbi ndjekësit. Në këtë fazë të sezonit, çdo javë ka peshë specifike dhe çdo lëvizje në renditje ndikon psikologjikisht. Qëndrimi në krye, edhe përkohësisht, përforcon besimin brenda grupit dhe rrit ndjesinë se fati i kampionatit është në dorën e tyre.

PA LUKS PËR HAPA FALS – Egnatia e ka të qartë se gabimet nuk tolerohen më. Pikët e lëna në javët e fundit ndaj Tiranës dhe Bylisit shërbejnë si kambanë alarmi. Në një kampionat të ekuilibruar, ndalesat ndaj skuadrave që luftojnë për objektiva të ndryshëm mund të kushtojnë shumë në fund. Pikërisht për këtë arsye, përballja me një ekip që synon mbijetesën nuk shihet si formalitet, por si një test serioz pjekurie. Kampionati fitohet duke mos gabuar në këto sfida, aty ku presioni është i padukshëm, por i fortë.

ÇELËSI I SUKSESIT – Trajneri Edlir Tetova e di se ndeshja mund të komplikohet nëse Vora zgjedh të mbyllet në prapavijë dhe të presë rastin e saj në kundërsulm. Skenari është i qartë: sa më shumë të kalojnë minutat pa gol, aq më shumë rritet tensioni dhe nervozizmi. Plani është që avantazhi të vijë sa më herët. Një gol në pjesën e parë do të hapte lojën, do të detyronte kundërshtarin të dalë nga mbrojtja kompakte dhe do t’i krijonte më shumë hapësira Egnatias për të shfrytëzuar cilësinë në fazën sulmuese. Përndryshe, rreziku i një ndeshjeje të bllokuar mbetet real.KG

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL